Αυγουστίνος Καντιώτης



MBAROI

date Απρ 8th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Great and Small Miracles

MBAROI

Predikim gojor i mbajtur të Premten e Madhe
të vitit 1965 nga atëhere arqimandrit At Avgustini
Fragmenti u shkëput nga  libri “Drejt Golgothasë – ΠΡΟΣ ΤΟΝ ΓΟΛΓΟΘΑ”

Jisui pra kur mori uthullën tha: Mbaroi,
dhe uli kryet e dha shpirtin.
(Joan 19:30)

Vdekja, të dashur të krishterë, është e frikëshme.  Fundi i çdo njeriu shkakton prekje, sidomos fundi i atyre njerëzve me të cilët jemi të lidhur nëpërmjet gjakut apo miqësisë.  Fundi pra i njerëzve me të cilët jemi të lidhur, por edhe fundi i atyre njerëzve të cilët kanë dhënë kontribut të madh ndaj njerëzimit n’a prek dhe n’a kushton.  Kush prej nesh të mbledhur sot për të marrë pjesë në vojtjet e shënjta të Shpëtimtarit, kush pra prej nesh këto ditë nuk kujton me lotë në sy prindërit e tij apo të afërmit e tjerë të familjes si dhe miqtë e tij, të cilët nuk janë më në këtë jetë?  Kush nuk kujton fjalët e fundit që i tha secilit prej nesh nëna apo baba, apo fjalët e fundit të personave të tjerë të dashur?  Mbarimi i personave tanë të dashur n’a prek thellë dhe n’a trondit.  Dhe fjalët e tyre të fundit mbeten të paharruara.  Dhe nëse prekemi nga fundi i të dashurve tanë dhe fjalët e tyre të fundit n’a tronditin, shumë herë më tepër duhet të n’a tronditë fundi i Atij i cili është i dashuri i të dashurve, fundi i Atij i cili i bëri aq mirë njerëzimit sa askush tjetër në botë, duhet të n’a tronditë fundi i Atij ndaj të cilit dashuria jonë duhet të tejkalojë çdo dashuri tjetër të dheshme.

Ja Zoti ynë!  Po kalon çastet e fundit të jetës së tij të dheshme.  Është i shkretë.  Është i braktisur.  Nuk ka asnjë lloj përkujdesjeje, bile as përkujdesjet më bazë të cilat ia ofrojnë atij që vuan familja dhe miqtë.  Dëgjon mallkime dhe sharje.  Dy drurë të fortë bëhen shtrati i tij.  Jastëku i tij është kurora me gjëmba.  Balli i tij, këmbët dhe duart e tij janë tërë gjak.  Sytë e tij shuhen.  Zemra e tij jep rrahjet e saj të fundit.  Gjuha e tij e thatë trokë dhe e ngjitur pas laringut, ashtu siç thotë dhe psallmi (Psallm 21:16).  E megjithëse i braktisur dhe i shkretuar, edhe pse piu kupën e hidhur së bashku me llumin,  edhe pse u godit fort me kamxhik, edhe pse veshët e Birit të Virgjëreshës dëgjuan sharje dhe mallkime, edhe pse turma u tregua kaq msomirënjohëse duke preferuar të lirohet Varavai në vend të tij, edhe pse gjyqtarët treguan gjithë ligësinë dhe armiqësinë e tyre ndaj tij, edhe pse zemra njerëzore u tregua akoma më e ligë dhe më e egër sesa zemra e tigrit, heroi i Golgothasë – shumë e përulët shprehja që thashë – e megjithë këto Ai ruan gjithë gjakftohtësinë e shpirtit të Tij.

Është i dënuar.  Pas pak jep shpirt.  Nëse dikush prej nesh u gjend pranë të dënuarve me vdekje në momentet e tyre të fundit, do të kujtojë që nga goja e tyre në momentin e fundit dolën fjalë të hidhura dhe rënkime, shpeshherë akoma dhe mallkime dhe vlasfimira kundër atyre të cilët i konsiderojnë si shkaktarë për dënimin e tyre.  Por nga goja e Zotit nuk del asnjë mallkim.  Nga buzët e tij të qashtra dalin rreze drite, dalin bekime, dalin fjalë të cilat edhe pse të shkurtra dhe të prera përmbajnë kuptime mbihyjnore, duke ua kaluar në lartësi dhe thellësi të gjitha fjalëve të të gjithë filosofëve të cilët admiron kjo botë.
Ashtu si çdo vënd i Tokës së Shënjtë, bregdeti i Tiveriadhës dhe shkretëtira, kodrat dhe hijet e pemëve, lumi i Jordhanit dhe çdo vend të cilin e shkelën këmbët e qashtra të Jisuit përpara se të kryqëzohej, shdërohen në Kishë të bukur dhe në amvon, kështu dhe kryqi, mbi të cilin jepnin shpirt përbindëshat e tmerrëshëm të perandorisë Romake, nga momenti që pranoi sipër drurëve të tij të fortë trupin e kulluar të Zotit, automatikisht u shdërrua në tribunë e cila tejkalon tribunat e të gjithë oratorëve, u shdërrua në tribunë e cila qëndron më sipër se çdo tribunë tjetër e kësaj bote, u shdërua kryqi në një amvon të lartë dhe superhyjnor, u shdërua – që të përdor dhe një fjalë bashkëkohore – në një radiostacion i cili vazhdon ndër shekuj të transmetojë në botë mesazhet më të larta dhe më të bukura.
Shtatë mesazhe transmeton ky radiostacion i shënjtë, shtatë janë fjalët e kryqëzimit.  Si adhurues të përulur, si krimba që zvarritemi përpara këmbëve të të Kryqëzuarit, si hiç, të padenjë bile të zemë në gojë emrin e tij, mëkatarë mbi të gjithë mëkatarët, ndjejmë mjerrimin tonë gjatë kësaj dite të shënjtë.  Dhe ndofta duhej të heshtnim, duhej të derdhnim lotë, duhej të rënkonim, të gjenim ndonjë vrimë të shkretë ku të qanim për mëkatat tona, këto ndofta duhej të bënim.  Nuk ka gjuhë të himnojë të Kryqëzuarin, nuk ka penel të pikturojë ikonën e Tij të përmbi-bukur, nuk ka poet që të arrijë në lartësinë e paarritur të madhështisë së Zotit tonë Jisu Krisht.
Adhurues pra të përulur, duke e shoqëruar Jisuin gjatë gjithë ditëve të mëparshme të Javës së Shënjtë, vijmë dhe sot përpara tij.  Le t’i mbyllim veshët tanë ndaj zërave përdhosës së kësaj bote, dhe duke hapur veshët e brendëshëm, veshët pra të shpirtit tonë le të dëgjojmë vetëm fjalën e njërit, fjalën e Perëndi-njeriut, fjalën e parafundit prej të shtatë fjalëve të kryqëzimit; është fjala “Mbaroi”.
Do të përpiqem të interpretoj këtë fjalë të Zotit.  Çfarë thashë? Të interpretoj? Është pafytyrësi kjo që them.  Jo, nuk mundem.  Më duhet të rrëfej përpara jush pazotësinë time për të hyrë në kuptimet e thella që përmban fjala e Zotit.  Fjala “Mbaroi” është një oqean mesazhesh qiellore.  Vetëm do të guxojmë të prekim sipërfaqen e oqeanit.  Dhe ashtu si dallëndyshet, të cilat në pranverë fluturojnë sipër detit dhe ulen duke iu afruar sipërfaqes dhe me cepat e krahëve të tyre prekin ujërat e kaltërta, në të njëjtën mënyrë edhe ne, si dallëndyshe pranvere duke prekur detin e mesazheve hyjnore, do të përpiqemi të marrim dhe më pas të ofrojmë një pikëzë prej oqeanit hyjnor të fjalës “Mbaroi”.

*****

“Mbaroi”! Mbaroi pikë së pari një jetë të cilën edhe me mikroskop sikur t’a analizonim nuk do të gjenim në të as edhe një njollë, as mangësinë më të vogël.  Çdo jetë njeriu, duke filluar që nga më i përuluri dhe deri tek më të lartët të cilët kjo botë i admiroi, paraqet mangësi.  Edhe sikur një ditë të vetme të rrojë njeriu mbi dhe’ nuk mund të jetë i pamëkatëshëm, thotë Jovi i shënjtë (14:4-5).  Një historian thotë “u lindëm që të mëkatojmë”.  Mangësi dhe dobësi vihen re edhe në jetët e më të shënjtëve.  Mangësi vihen re edhe në jetën e filosofit të lashtë Grek i cili mësonte vetënjohjen dhe lartësinë e virtytit (Sokrati).
Disa duan dhe guxojnë t’a krahasojnë atë filosof me Krishtin.  Ky krahasim është përdhosje.  Jeta e Krishtit, e ekzaminuar qoftë me teleskop qoftë me mikroskop nuk paraqet as edhe njollën më të vogël, as edhe mangësinë më të vogël.  Krishti është Emanueli i panjollëshëm dhe i qashtër.  Dielli ka njolla – kjo është vrojtuar – por dielli shpirtëror i cili shkëlqen me rrezet e tij prej tribunës së Kryqit nuk paraqet as edhe një pikël apo njollën më të vogël.
Më kot përpiqen armiqtë e Krishtit duke bërë kërkime në Ungjillin e Tij, dhe më kot i shtrydhin trutë me shpresë se mos zbulojnë mangësi tek Krishti.  Armiq të vjetër apo të rinj të Krishtit përpiqen t’i bëjnë anatomi jetës së Krishtit, dhe i ngjyejnë penat e tyre në helmin e fjalës së tyre vallaha’ artistike duke hedhur kështu baltë mbi fytyrën e Zotit, por më kot.  Ponti Pillat vërteton që ata janë mashtrues.  Pillati nuk e njohu Krishtin.  Por vetëm disa orë, gjatë të cilave Jisui qëndroi në pallatin e tij ushtarak, ishin të mjaftueshme për t’a bindur që Ai ishte i përsosur.  Tri herë doli në ballkonin e pallatit ushtarak dhe trumbetoi “Unë nuk gjej ndonjë faj tek Ai” (Joan 18:38).  Ëndra që pa një natë më pare gruaja e Pillatit, Klaudia Prokla, e konfirmonte me siguri dëshminë e Pillatit.  Gruaja pra e Pillatit me indinjim protestoi dhe tha: “Mos i bëj gjë atij të drejti, sepse shumë pësova në ëndërr për të.” (Matthe 27:19).
N’a siguorjnë për qashtërinë e Tij edhe dishepujt të cilët e panë vetë me sytë e tyre dhe e dëgjuan vetë me veshët e tyre: “Nuk bëri asnjë mëkatë, dhe asnjë mashtrim nuk doli nga goja e tij”, n’a thotë Shën Pjetri në Letrën e tij të Parë 2:22).  Pyetja që Krishti iu drejtoi armiqve të tij, pikërisht ajo pyetje që do t’iu drejtohet armiqve ndër shekuj, pyetja pra “Cili prej jush më shan për faj?” (Joan 8:46) nuk ka përgjigje.
Virtyti dhe mirësia e Jisuit ndrit dhe shkëlqen si dielli, vrityti dhe mirësia e Jisuit tejkalon virtytin dhe mirësinë e ëngjëjve, virtyti dhe mirësia e Jisuit është Dritë.  Ashtu sikunëdr drita përthyhet kur del nga prizmi dhe nxjerr shtatë ngjyrat e ylberit, kështu dhe virtyti i Krishtit përthyhet nga Kryqi si prej prizmit dhe lëshon ngjyrat e të gjitha virtyteve.  Virtyti i Krishtit mbuloi qiejt.  “Virtyti yt o Krisht mbuloi qiejt”, psallën sot Kisha.
Mbaroi pra një jetë aq e qashtër, aq e shënjtë dhe hyjnore sa të tillë tjetër kurrë nuk ka për të patur mbi dhe’

*****

“Mbaroi” një jetë e cila paraqiti një diçka tepër mahnitëse.  Vini re me kujdes ju lutem.  Jeta e Zotit u profetizua që më parë.  N’a u mësua veshi me fjalën profeci dhe nuk n’a bën më përshtypje.  Por ju pyes: kush prej nesh mund të parashikojë, duke patur dhe vetinë më të vogël parashikuese, se kush do të qeverisë vendin pas 100 vjetësh?  Askush pra.  E ardhmja nuk dihet, e ardhmja është pafundmëri.
As çfarë do sjellë e nesërmja nuk di njeriu.  E megjithatë, ndërsa jeta e njerëzve fillon vetëm pas lindjes së tyre, dhe ndërsa jeta e burrave historikë shkruhet vetëm pasi mbaron jeta e tyre mbi dhe’, jeta e Njërit u parashkrojt shumë vite përpara se Ai të paraqitej mbi dhe’.  A ishte e mundur për shembull që të parashkruhej historia e Aleksandrit të madh të Maqedonisë përpara se të lindte dhe përpara se të bënte gjithë ato bëma që bëri? E megjithatë jeta e Krishtit ishte parashikuar dhe parashkruar përpara shekujsh të tërë, ishte shkruar 500, 1000, 1500, 2000 vjet përpara se Ai të lindej mbi dhe’.
Që prej kohës së Adhamit kishin filluar profecitë për Krishtin dhe kështu kishte filluar shkrimi i historisë së Krishtit.  Adhami e pa i pari Krishtin, duke dëgjuar zërin e Perëndisë t’i thotë se një prej pasardhësve të tij (Adhamit pra) do të bënte betejë të ashpër dhe në fund të betejës do të shkatërrohej koka e dragoit (Të Bërët 3:15).  E pa Noe si ylber zemërgjërësie në qiell që ndriçonte botën (Të Bërët 12:2-3), 13:16).  E pa Moisiu në ferrën që nxirrte zjarr (Të Dalët, kapitulli 3).  E pa profeti Iezekil, në fillim si përrua i cili me kalimin e kohës u shdërua në një lumë të thellë pranë brigjeve të të cilit lulëzuan kopshte me lule erëmira (Të Dalët, kapitulli 47).
E panë të gjithë profetët.  Por më qartë se gjithë të tjerët e panë Davidi dhe Isaia.  Nuk dua t’ju lodh më tepër në këtë pikë.  Vetëm ju lutem, hapni Dhjatën e Vjetër dhe lexoni psallmin e 21-të të Psalltirit, si dhe kapitujt 52 dhe 53 të profetit Isaia.  Dhe atje do të shihni jo thjesht të skicohet, por tepër gjallë të pikturohet ikona e të Kryqëzuarit.  Duke lexuar psallmin e 21-të dhe kapitujt 52 dhe 53 të Isaias duket sikur Davidi dhe Isai japin – më lejoni të them këtë shprehje – sikur japin reportazh duke qënë të pranishëm poshtë Kryqit dhe mbajnë shënime për çastet e fundit të Nazareasit që po vdes.  E megjithatë nuk jetuan në kohën e Krishtit, nuk u gjendën në Golgotha së bashku me ushtarët dhe nxënësit e Krishtit, nuk e panë me sy dhe as nuk e dëgjuan me veshët e tyre Krishtin, por jetuan njëri 1000 vjet dhe tjetri 800 vjet përpara Krishtit.
Ju pyes: nëse të gjitha këto profeci nuk u përmbushën në personi i Krishtit atëhere në cilin person të historisë mbarë botërore u përmbushën?  Kjo veshje e Profetive të Mesias, e cila u end me penjë të shumëllojshëm në punishten e pëlhurave të përjetësisë, nuk i ka hije një xhuxhmaxhuxhi magjik, nuk i ka hije një statuje, nuk i ka hije thjesht një profeti apo filosofi, nuk i ka hije një mbreti, por i ka hije vetëm Atij lartësia e të Cilit tejkalon yjet e qiellit.  Pyesim Judhenjtë: tek kush përmbushen profecitë që kini në Dhjatën e Vjetër?  Vetëm të verbërit nuk mund të shohin që pas profecive është personi i shënjtë Jisu Krishti.
Dijetarë hebrenj të kohëve të fundit, rabinë të cilët nga njëra anë kanë librat e profecive të tyre dhe nga ana tjetër kanë jetën e Krishtit, duke i krahasuar të dy palët rrëfejnë që Jisu Krishti është përmbushja e profecive të Dhjatës së Vjetër.  Përpara disa vitesh një rabi shprehu me sinqeritet pas studimit të Dhefteronomit që Jisu Krishti është Mesia që pritej.

*****

“Mbaroi” një jetë përsosmëria e së cilës nuk ka të dytë në botë.  “Mbaroi” një jetë e cila – si fenomen i vetëm në botë – u parashkrojt përpara se të fillonte mbi dhe’.  “Mbaroi” një jetë e cila përmban paradoksin e mëposhtëm.  Njerëzit kur jetojnë mbi dhe’ mund të n’a ndihmojnë apo të n’a bëjnë mirë për aq kohë sa janë gjallë, por pas vdekjes ndalojnë të gjitha bamirësitë apo ndihmat dhe s’kanë më se ç’të n’a bëjnë.  Ndaj gruaja qan ku i vdes burri, ndaj qajnë fëmijët kur iu vdes babai, ja pra pse qajnë popujt e tërë kur iu vdesin udhëheqësit e tyre të mëdhenj.  Me vdekjen ndalojnë bamirësitë e këtyre njerëzve.
Oh çfarë misteri! Më vjen zali në këtë moment.  A e kuptuat se çfarë ju thashë? Njerëzit kur rrojnë n’a ndihmojnë dhe n’a bëjnë mirë.  Por kur vdesin ndalojnë bamirësitë.  O Krisht, çfarë oqeani që je!  Kush mundet t’a konceptojë këtë mister?  Vdekja e Jisu Krishtit nuk është vdekje e një njeriu të zakonshëm; vdekja e Jisu Krishtit është vdekja e një njeriu i cili i tejkalon të gjitha lartësitë e virtytit dhe urtësisë njerëzore.  Vdekja e Jisu Krishtit është jeta jonë.  Jeta jonë? Vdekja jetë?  Oh sa gjëra paradoksale!
Në këtë pikë të dashur vëllezër i lutem Shpirtit të Shënjtë të ndriçojë mëndjet tuaja sepse në qoftë se nuk kuptoni këtë pikë atëherë më kot quheni të Krishterë.  Cila është kjo pikë?  Është kjo: Kryqi i Zotit nuk është vetëm një amvon i lartë, nuk është vetëm një podium qiellor, nuk është vetëm një radiostacion hyjnor i cili n’a drejton mesazhe qiellore; Kryqi i Krishtit – o Krisht
Shpëtimtari ynë i Kryqëzuar, o Shpirt i Shënjtë të lutem ndriçoi mëndjet e lexuesve të mij që të kuptojnë siç duhet Shkrimet e Shënjta – Kryqi i Krishtit është… çfarë është?

Hidhini një sy Kishës.  Veçoni gjënë më të shenjtë që ka Kisha; nuk janë as polielet as kandilet.  Gjëja më e shënjtë dhe më e veçantë që ka Kisha është Trapeza e Shënjtë.  Po t’ia heqim Kishës Trapezën e Shënjtë Kisha nuk është më Kishë.  Por Trapeza e Shënjtë ka mbështetëse të Premten e Madhe, ka mbështetëse Kryqin.  Kryqi është tribunë qiellore, Amvon i lartë, është radiostacion transmetues i mesazheve hyjnore.  Dakord deri këtu?  Por mos qëndroni deri këtu – ecni përpara me besim.  Ah sikur të mundja të mbjell në zemrat tuaja besimin!  Kë besim?  Besimin që Kryqi është alltar, është therrore, është sakrificë që s’ka të dytë!
Pikat e gjakut që rrjedhin nga kurora me gjëmba, pikat e gjakut që rrjedhin nga duart dhe këmbët e shpuara me perona, ai gjak është shpëtimi ynë.  Mos më flisni as për flori, as për argjënd, as për gurë të çmuar, dhe për asnjë gjë tjetër.  Çdo molekulë, çdo elektron i gjakut të Krishtit – o bamirësi hyjnore dhe e lartë- çdo elektron i gjakut që pikon mbi tokë, mbi tokën mëkatare dhe përdhosëse, çdo pikë gjaku bëhet lumi i Jordhanit brenda të cilit lahen në përjetësi të gjithë mëkatarët e dheut. “Gjaku i Jisu Krishtit n’a pastron nga çdo mëkatë (Let. I Joan 1:7).  “Mbaroi” pra jeta e Atij sakrifica e të Cilit u bë shpëtimi i njerëzimit.

*****
“Mbaroi”! Të shpreh akoma dhe një mendim tjetër, mbaroi jeta që ka edhe këtë të veçantë tjetër që s’e ka asnjë jetë tjetër: ndërsa në varret e njerëzve shkruhet që jetoi nga ky vit deri në këtë vit, në varrin e Krishtit nuk shkruhet “jetoi” por “jeton”.  Po! Rron dhe mbretëron Krishti në jetë të jetëve.  Oh çfarë misteri!  Ai Nazareasi i përulur, që nuk kishte asnjë qindarkë në xhepat e tij, ai që u përbuz dhe u braktis, ai që nuk kishte asnjë lloj arme, ai që nuk i shërbyen as nxënësit e tij, Ai jo vetëm që jetoi 33 vjet mbi dhe’ dhe realizoi shumë më shumë gjëra të pakrahasueshme sesa ai filosofi i lashtë i Greqisë, por edhe rron dhe mbretëron.  Vdekja e tij nuk ishte mbarimi, ashtu siç e interpretuan armiqtë e tij, por ishte fillimi i jetës së re të botës.  Mbretëria e Krishtit nuk do të ketë kurrë mbarim!

*****

Vëllezërit e mij! Ju paraqita Kryqin e Zotit si një amvon i lartë, si një radiostacion qiellor, si një sakraficë që s’ka të dytë.  Oh çfarë shpërfytyrimi, çfarë shndërrimi, çfarë mrekulli!  Kryqi u bë Froni i Mbretit Krisht!  Në frone të tjera të cilat u ngritën si kështjella të larta, shpesh-herë mbi piramida eshtrash, që u ngritën me dhunë dhe shfrytëzimin e popujve u ulën të mëdhenjtë dhe mbretërit e kësaj bote.  Por nuk më thoni, ku janë tani ato frone?  Ato frone që shpëtuan nga furtunat e kryengritjeve, ato frone që shpëtuan nga kalbja dhe shkatërrimi tani gjenden nëpër muzeumet e Londrës dhe të Parisit si relika, si kufoma.  Ku janë kurorat dhe gradat që zbukuronin krerët e të mëdhenjve të kësaj bote?  Edhe ato katandisën relika.  Por Froni i Zotit ekziston dhe është akoma i lartë.  Froni i Zotit mposht kohën dhe rrjedhën e saj dhe do të vazhdojë të ekzistojë përgjithmonë.  Ky Fron është Kryqi.  Kallami që i vunë në dorën e djathtë është shkopi mbretëror.  Me atë kallam i mposhti Nazareasi të gjithë skeptrat e tjerë mbretërorë.  Dhe kurora prej gjëmbash është kurora mbretërore e Zotit Krisht.
Ja pra mrekullia.  Kaluan 20 shekuj që atëhere kur u ngjit mbi Kryq Krishti.  Dhe deri sot vijnë përpara Kryqit dhe do të vijnë shumicë njerëzish si valë deti me zërat e tyre si gumëzhima e ujrave, vijnë dhe do të vijnë përgjithnjë për të djegur përpara këmbëve të të Kryqëzuarit temjanin e adhurimit të tyre ndaj Tij.  Vjen foshnja që e mban nëna në krah dhe puth Kryqin, vjen i moshuari me flokë të thinjura, vjen dyqanxhiu vjen dhe zyrtari, vjen mbreti vjen dhe fshatari, vjen bariu analfabet që nuk di të verë as firmën vijnë gjithashtu edhe shkencëtarët e mëdhenj dhe ulin kryet e tyre përpara të Kryqëzuarit, të gjithë vijnë dhe puthin me adhurim dhe dedikim të Kryqëzuarin – Gëzohu o mbreti ynë!

*****

Por çfarë dëgjoj kështu?  Midis kësaj njohje në mbarë botën të Krishtit si udhëheqës dhe ndriçues dëgjohen dhe zëra të çakorduar.  Ka edhe ateistë, ka patur dhe do të ketë fatkeqësisht deri në mbarim të shekujve.  Po a nuk dëgjoni se çfarë thotë Ungjilli?  “Do të vështrojnë mbë atë që shpuan” (Joan 19:37).  Është e sigurt pra që do të vijë një moment kur edhe armiqtë më të mëdhenj të Krishtit do të përulin kryet përpara të Kryqëzuarit “Në emrin e Jisuit do të unjet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhe’ edhe nën dhe’.  Edhe çdo gjuhë do të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot për lavdi të Perëndisë Atit.” (Let. Pav. Filip. 2:10-11).
Në këtë moment më vjen ndërmend një ateist.  Jetoi gjatë shekullit të 19-të dhe shkroi një libër me fjalë magjepsëse.  Libri ishte kundër Hyjnisë së të Kryqëzuarit.  Por në fund të librit, deshi s’deshi himnizoi madhështinë e Jisu Krishtit.  “Prehu”, thothë – “në lavdinë tënde o nismëtar bujar.  Vepra jote shkoi dhe nuk kthehet më.  Prej lartësisë së heshtjes hyjnore do të shohësh rezultatet e mangëshme të punëve të tua, të paqëndrueshmërisë njerëzore… Me mijëra njerëz do të lartësohen, nëpërmjet teje.  Flamur do të kemi kundërshtimet tona ndaj teje.  Ti do të jesh pika për të cilën  do të bëhen beteja të përflakta.  Për mijëra njerëz do të jesh guri themeltar i njerëzimit, por ai që të dojë do t’a fshijë emrin tënd nga faqia e dheut dhe do të tronditet emri yt nga themelet…”.
Nuk e di të dashur vëllezër – të ardhmen e njerëzimit.  Por edhe nëse – shënojeni mirë në mendjet tuaja – edhe nëse njerëzimi arrin yjet dhe ndërton aeroporte në Hënë dhe në Mars, edhe nëse supozojmë që në Mars banojnë qënie të llogjikshme më të mira se ne, të jeni të sigurt që nuk kanë për të patur fe’ më të lartë se feja e Nazareasit.
I bekuar pra qoftë emri i Tij në jetë të jetëve.  Le të mbyllen gojët e të pafeve, u zhduktë ateizmi nga faqia e dheut dhe le të bëhemi të gjithë një kitarë e cila të himnojë ndër shekuj emrin, emrin e emrave, emrin e bekuar dhe të përmbilavdëruar të të Kryqëzuarit
Nuk do të desha në këtë pikë të mbyll fjalën time pa vënë në dukje akoma dhe një të vërtetë tjetër.  Cilën të vërtetë?

*****

“Mbaroi”! E Premtja e Madhe që në kohët e hershme është lidhur me kujtimin e atyre të dashurve tanë që kanë vdekur.  Dhe gjatë kësaj dite shkojnë të Krishterët nëpër varret e të dashurve të tyre, dhe së bashku me të Vdekurin e Madh kujtojnë të vdekurit e tyre të vegjël.  Kjo ditë lidhet me kujtimin e vdekjes.
Do të më lejoni të hedh një sy mbi jetën tuaj.  Nga dashuria ime për ju do të them diçka për shpirtet tuaja.  Ju lutem mos më konsideroni si fallxhor të mandatave të këqia.  Lutem që Zoti të mbulojë me Hirin e Tij jetët tuaja, familjet tuaja, dhe të gjithë ne.  Uroj që të mos shohin më sytë tanë Pashkë të dhimbshme dhe tragjike, ashtu si ato Pashkë që ne më të vjetërit kemi jetuar në të kaluarën.  Por më lejoni të them këtë: mos ndoshta kjo e Premte e Madhe që festojmë sot është e Premtja e Madhe e fundit për disa prej nesh?  Kush n’a ka firmosur kontratë që kjo e Premte e Madhe nuk është e Premtja e Madhe e fundit e jetës sonë? Mundet fare mirë të jetë e fundit për mua që ju flas, dhe mund të jetë e fundit për ju që më dëgjoni, dhe kështu të mos shohim më të Premte të Madhe këtu në tokë.  Nëse jeta e Krishtit është dritë dhe model, nëse çdo fjalë e tij u shkrojt për të shërbyer si yll ndriçues që n’a çon tek e vërteta, ejani atëhere vëllezër dhe mbyllni veshët tuaj ndaj ulërimave të kësaj bote, përqëndrohuni në punët e shpirtit tuaj dhe merreni fjalën “Mbaroi” dhe bëheni peshore me të cilën të matni punët e jetës suaj të deritanishme.
“Mbaroi”! tha Ai dhe me qetësi shpirtërore e dorëzoi shpirtin e tij në duart e Atit Qiellor.  “…dhe uli kryet dhe dha shpirt” (Joan 19:30).  Pyetjen e mëposhtëme ia drejtoj në rradhë të parë vehtes sime, jua drejtoj dhe juve.  Vjen ora kur ëngjëlli që lartazi zbret në tokë dhe merr shpirtin tonë.  Në atë moment, a mundet që secili prej nesh të thotë atë që tha dhe Krishti “Mbaroi”???
O prindër që jetoni në shekullin e 20-të apo të 21-të, në shekullin e çnderimit, shkatërrimit dhe korruptimit, nëna dhe baballarë që keni fëmijë, a mundeni që në momentet e fundit të jetës suaj, kur fëmijët tuaj ju rrethojnë duke qarë, a mundet që të thoni dhe ju: O Zot, detyrat tona si prindër i përmbushëm në këtë botë, aq sa kishim mundësi bëmë, i ushqyem edhe trupat por edhe shpirtet e fëmijëve tanë, dhamë shembullin tonë të mirë tek fëmijët tanë, O Zot “Mbaroi”.  A mundet t’a thoni atë fjalë ashtu siç e tha Krishti?  A mundet të thoni “Ja unë dhe fëmijët që më dha Perëndia”? (Isaia 8:18, Let.Pav.Hebr.2:13).
Ju mësues dhe profesorë që kini ndërmarrë veprën e shënjtë të edukimit të brezave të rinj, bëjini analizë vehtes tuaj dhe pyesni vehten tuaj: a japim mësim ashtu siç mësoi Nazareasi?  A mbjellim në zemrat e nxënësve tanë mësimet hyjnore të Zotit tonë?  A do të mundni ju o mësues dhe profesorë kur të vijë fundi, juve si mësues të vegjël përpara Mësonjësit të Madh të thoni “Mbaroi”???
O ju drejtorë, gjeneralë, arkondë dhe mbretër që uleni nëpër frone të larta, a do të mundeni kur të afrohet fundi i jetës suaj dhe kur kryeëngjëj do të fluturojnë sipër pallateve dhe froneve tuaja për t’ju marrë shpirtin, do të mundeni pra të thoni dhe ju atë që tha Krishti “…nuk erdha që të shërbehem por të shërbej”??? (Matth.20:28, Mark10:45).  A është jeta juaj dedikim ndaj shërbimit të popullit???  Në qoftë se po atëherë të thoni dhe ju “Mbaroi”.
Dhe tani pasi u ktheva për nga pallatet mbretërore dhe të mëdha, pasi u ktheva për nga krerët dhe fuqia e pushtetit, pasi u ktheva nga familjet, më lejoni të kthehem edhe për nga Kisha e Shënjtë dhe të them: priftërinj të të Lartit dhe kryepriftërinj, titujt tuaj nderojmë dhe respektojmë, juve që gjendeni në frone që llamburitin dhe sipër krerëve tuaja nuk kini kurorë gjëmbash por mitra të florinjta, ju të cilët nderojmë, priftërinj të të Lartit dhe kryepriftërinj që qëndroni rreth alltarëve të shënjtë, vendosni dorën në gjoks dhe pyesni vehten tuaj: a i përmbushët detyrat tuaja të shënjta ndaj të Kryqëzuarit?  Rroni dhe merrni frymë vetëm për besën tuaj?  Jini gati të vdisni për Atë i Cili vdiq për gjithë botën?  Atëhere dhe ju si nxënës të Vasilit të Madh, si nxënës të Joan Gojëartit, si imitues të Apostoll Pavlit mund të thoni:  “Sepse unë tani jam duke derdhur gjakun dhe koha e ikjes sime arriti.  Luftën e mirë luftova, udhën e mbarova, besimin e ruajta.  Pastaj më mbetet kurora e drejtësisë, të cilën do të m’a japë në atë ditë Zoti, gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që duan dukjen e tij.” (Let. II-të e Pav. Tim. 4:6-8).

O vëllezërit e mij bashkëmëkatarë!  Kur të vijë çasti i vdekjes sonë dhe marangozi të përgatitë kryqin që do të vihet në krye të varrit tonë, lutem dhe uroj që secili prej nesh të jetë në gjendje t’i drejtohet Zotit duke thënë si Shpëtimtari i Kryqëzuar “Mbaroi”, “O Zot, në duart e Tua jap shpirtin tim!” (Luka 23:46).

U kryqëzove për mua, që të më burosh ndjesën, u shpove në brinjë që të burosh rrjedhë jete, me perona u mbërtheve që të vërtetohem unë për lartësinë e pushtetit tënd nga thellësi e pësimeve të tua e të të thërres o Krisht Jetëdhënës: Lavdi edhe Kryqit tënd edhe Pësimit tënd o Shpëtimtar.
(Nga troparet e Lumërimeve të mbrëmësores së të Enjtes së Madhe)

Fragmenti u shkëput prej librit “DREJT GOLGOTHASË” («ΠΡΟΣ ΤΟΝ ΓΟΛΓΟΘΑ») i episkop Avgustin Kantiotit

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

«Καί βαστάζων τόν σταυρόν αυτού εξήλθεν είς τoν λεγόμενον κρανίου τόπον, ός λέγεται εβραiστί Γολγοθά» (Ιωάν. 19,17)
Απόσπασμα από τό βιβλίο τού π. Αυγουστίνου «ΠΡΟΣ ΤΟΝ ΓΟΛΓΟΘΑΝ», ΤΕΤΕΛΕΣΤΑΙ (σελ.159-172).
Μετάφρασι είς τήν Αλβανικήν από τόν Αλέξανδρο Φιλίππου – Aleksandër Filip

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.