Αυγουστίνος Καντιώτης



1) DITË GËZIMI DHE HAREJE, 2) DITË DRITE, 3) A FESTOJMË ASHTU SIÇ DUHET

date Απρ 19th, 2009 | filed Filed under: Albanian

DITË GËZIMI DHE HAREJE

Fragment i shkëputur nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti

“U gëzuan nxënësit kur panë Zotin”
(Ioan. 20:20)

Mëndërisht, të dashur lexues, mëndërisht le të shkojmë në Tokën e Shënjtë, atje ku ndodhi drama e dramave.  Mëndërisht le të shkojmë në Golgotha.

Mishërimi i Dashurisë sakrifikohet

Është e Premjta e Madhe, ora 3 pasdite.  Një errësirë e dendur vazhdon të mbulojë tokën.  Dielli përpara pamjes së frikëshme të kryqëzimit të Birit të Perëndisë, fshehu rrezet e tij.  Jisu Krishti, Dashuria e mishëruar, ndodhet në momentet e fundit të jetës së tij mbi dhe’.  Pas pak prej buzëve të tij të hidhëruara dëgjohet dhe fjala e fundit “MBAROI”.  Dhe “duke ulur kryet dha shpirtin” (Ioan. 19:30).

Armiqtë e Krishtit, farisenjtë dhe shkronjësit, kryepriftërinjtë dhe priftërinjtë, dhe populli mosmirënjohës duke parë ndryshimet natyrore që po ndodhnin u frikësuan; po prisnin nga çasti në çast mos ndoshta Jisu Krishti zbriste nga kryqi dhe lëshonte rrufe dhe i shfarroste të gjithë ata nga faqia e dheut.  Por tani që dëgjuan fjalën e tij të fundit “MBAROI” u qetësuan.  Krishti tashmë është i vdekur!… “E çfarë mund të bëjë një i vdekur?  Kur ishte gjallë bëri shumë gjëra mahnitëse, por tani… kush i jep rëndësi një të vdekuri?  Krishti nuk ekziston më.  Skëterra e errët e përpiu, ashtu si dhe të gjithë të tjerët para tij”.  Këto pra duke menduar armiqtë e Krishtit u qetësuan.  Qëndruan dhe pak momente të tjera si spektatorë përpara pamjes së frikëshme dhe kur konstatuan që Jisui nuk jepte asnjë shënjë jete filluan të largohen prej atij vëndit të krimit dhe të kthehen në Jerusalem për të festuar festën e tyre të madhe judaike, pashkën e tyre, të cilën gjatë viteve të mëparshme kur jetonte Krishti e festonin me shqetësime dhe trazira.  Kryqëzuesit të mbytur nga protesta e ndërgjegjes së tyre për këtë kryevepër padrejetësie do të festonin me madhështi pashkën judaike.
Armiqtë e Krishtit gëzohen sepse Krishti nuk jeton më.  Po nxënësit e tij? Një  atmosferë e thellë keqardhjeje, melankolie dhe dëshpërimi ka pushtuar shpirtet e tyre.  Të gjithë shpresat e tyre i kishin mbështetur tek Krishti.  I lanë të gjitha pas dhe ndoqën Krishtin.  E ndoqën me besë dhe shpresë se Mësonjësi i tyre, më i fuqishëm se Davidi dhe Solomoni, do të mundte të gjithë armiqtë dhe do të shpallej mbret i Israelit.  Dhe ata duke qënë pranë tij do të kishin ndere dhe lavdi.
Por tani?  Tani me vdekjen e tij të vajtueshme të gjitha shpresat e tyre humbën.  Të dëshpëruar dhe të frikësuar diskutojnë midis tyre duke thënë: “ne shpresonim që ai ishte ai që do të shpërblente Israelin” (Luk.24:21).

U Ngjall Shpresa

Gëzohen armiqtë e Krishtit.  Dëshpërohen nxënësit e Krishtit.  Por papritur, oh çfarë shdërrimi!  Armiqtë e Krishtit dëshpërohen dhe dridhen, ndërsa nxënësit e Krishtit gëzohen dhe ngazëllohen me një gëzim dhe hare’ që nuk ka gjuhë t’a përshkruajë.  Lepujt dalin nga vrimat ku ishin fshehur dhe si luanë tani guximtarë dhe pa frikë janë gati të predikojnë kudo në botë Ungjillin e Krishtit.  O Perëndi, çfarë shndërrimi!
Por pyes: çfarë i bëri nxënësit të ndryshojnë krejt gjendjen e tyre shpirtërore, çfarë ndodhi dhe u ngjall shpresa e tyre e vdekur,  kush i armatosi ata me guxim dhe kurajo kaq të madhe dhe kush i dërgoi përpara mbretërve dhe perandorëve të predikojnë Krishtin duke qënë gjithmonë gati të pësojnë edhe ata të njëjtin kryqëzim si Krishti?!
Ky shndërrim nuk ka tjetër shpjegim përveç se një ngjarje.  Dhe kjo ngjarje, që është ngjarja më tronditëse në historinë e botës, është Ngjallja e Lavdishme e Krishtit.  Pa këtë ngjarje atmosfera melankolike do të bëhej akoma dhe më e keqe, dhe dishepujt, krejt të zhgënjyer do të vdisnin pranë rrjetave dhe varkave të tyre të peshkimit tek të cilat ishin kthyer pas kryqëzimit të Krishtit.  Po! Ngjallja e Krishtit nuk është mit.  Nuk është trillim i fantasisë së dishepujve, të cilët në gjendjen e tyre psikologjike që ndodheshin ishte e pamundur të mendonin ngjallje.  Dishepujt, keqbesues dhe mosbesues në fillim,  vetëm kur panë dhe dëgjuan Krishtin rrëfyen ngjalljen e tij dhe vetëm atëhere ajo reja e zezë e dëshpërimit u shpërnda dhe zemrat e tyre ndritën prej gëzimit të patreguar. “U gëzuan nxënësit kur panë Zotin” n’a thotë Ungjillori Joan (Ioan.20:20).  U gëzuan nxënësit.  Po vetëm nxënësit u gëzuan? U gëzuan dhe gratë mirofore, të cilat nga dashuria e flaktë për Krishtin u denjësuan të dëgjojnë ato të parat “KRISHTI U NGJALL”.  U gëzuan ëngjëjt dhe Kryeëngjëjt, të cilët që lartazi panë triumfin e së vërtetës mbi gënjeshtrën, triumfin e virtytit mbi të keqen, triumfin e dritës mbi errësirën.  Dhe më shumë se gjithë të tjerët u gëzua Hyjlindësja Mari, e cila gjatë kryqëzimit të Birit të saj ndjehu thikën me dy presa të përshkojë tej për tej zemrën e saj nënore.  O nxënës të Krishtit, KRISHTI U NGJALL!  Gëzohuni dhe ngazëllohuni!
Ngjallja e Krishtit është shkëmbi i patundur sipër të cilit do të valvitet në shekuj flamuri i të Kryqëzuarit.

Besimi i mund të gjitha

Mëndërisht, të dashur lexues, mëndërisht shkuam në vendin e kafkës ku pamë Krishtin të kryqëzuar dhe më pas të ngjallur së vdekurish.  Le të kthehemi tani në botën e sotme.  Pamja të cilën paraqet epoka jonë për nga ana e besimit, moralit, dhe nga ana shoqërore është për të vajtuar.  Kudo që të shkojmë mbi dhe’ të njëjtën pamje do të shohim, me ndryshime të vogla.  Kudo shikon vendin e kafkës.  Kudo sheh kryqe.  Jisu Krishti me mijëra mënyra kryqëzohet përsëri.  Figura e Tij e ëmbël fishkëllohet, tallet dhe përqeshet.  Jo vetëm të rinjtë, të cilët ndjekin ato programet anti-krishtërore të televizionit – ose më mirë të them të “televerbimit” jo të televizionit – por edhe pleqtë të cilët ndodhen në fund të jetës së tyre tallin dhe përqeshin të Kryqëzuarin.  Varavai është përsëri i lirë.  Krishti përsëri mbi kryq.  Mashtrimi dhe diplomacia mbizotërojnë kudo.  Gurë shahu janë të pafuqishmit në duart e të fortëve të botës.  “Armët tona janë fuqia dhe forca jonë, trembuni ju o popuj”.  “Kryqëzoje, kryqëzoje atë” – të varfrin, të paarmatosrurin, të pafuqishmin kudo në botë ku gjendet! Dëgjohen pra këto thirrje anembanë planetit tonë mëkatar, i cili mburret për civilizimin dhe teknologjinë e tij, për udhëtimet në hapësirë, por që në të vërtetë është në prag të vdekjes.  Errësirë përsëri mbi tokë, edhe pse kemi kaq shumë drita teknike…

Armiqtë e deklaruar të Krishtit gëzohen dhe dëfrejnë, mburren duke thënë që pas pak kohe emri i Jisu Krishtit nuk do të prekë më shpirtin e njerëzimit.  Besojnë se po afrohet fundi i Krishtërimit.  Ata pak besimtarë që kanë mbetur sot, besimtarë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, vuajnë nën atmosferën e rëndë që krijon mjegulla e tmerrëshme e mosbesimit, e pafesë, dhe e korruptimit.
Por kjo mjegull e pabesimit dhe prishjes nuk do të qëndrojë kështu përjetësisht.  Ngjallja e shpërbën këtë mjegull të dendur.  E shpërbën dhe e zhduk këtë mjegull nga zemrat e atyre që besojnë tek Krishti i Ngjallur.  Le të ulërijë pra mosbesimi.  Le të mobilizohen dhe le të luftojnë Kishën e Krishtit demonët e ferrit.  Brenda zemrës së besimtarëve ndrit dielli i gëzimit të Ngjalljes, i atij gëzimi që ndjenë në zemrat e tyre dishepjut “kur panë Zotin” (Joan 20:20).

Gëzimi mbretëron

Me këtë BESIM dhe ne, të dashur vëllezër, me këtë besim le të kremtojmë Ngjalljen e Krishtit.  Me besimin që të gjitha të dheshmet dhe të kalburat, të gjitha teoritë anti-kristiane, të gjitha sistemet ateiste që sot shquhen dhe magjepsin shumë njerëz, një ditë do të bien dhe do të zhduken prej faqes së Tij dhe një diell do të shkëlqejë përjetësisht.  O të pafe’, dëgjoni Kishën e Krishtit që marshon me himne triumfale:

“Le të ngrihet Perëndia dhe le të përndahen armiqtë e tij, le të ikin prej faqes së tij gjithë ata që i kanë mëri.  Do të humbasin si tymi në erë dhe do të shkrihen si dylli përpara zjarrit” (Psalm. 67:2-3).

Vëllezër dhe etër!  Gëzimi i Ngjalljes le të mbretërojë në zemrat tona.  Me gjithë shpirt pra le të thërresim fort KRISHTI U NGJALL!

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

***********************************************

DITË DRITE

Fragment i shkëputur nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti

“Sot shkëlqen nga drita e gjithë bota, qielli dhe dheu, dhe i nëndheshmi Ferr; le të festojë e gjithë krijesa Ngritjen e Krishtit që jetë n’a siguron.”

U NGJALL ZOTI!  Edhe çfarë se rrojmë në kohët e distancimit të njerëzimit prej Perëndisë?  Edhe çfarë se thërresin kundër ngjalljes saduqenjtë e rinj të kohëve të sotshme?  Edhe çfarë se sulen si qenër të zgjidhur nga zinxhiri të pafetë dhe ateistët?  Me të vërtetë u Ngjall Zoti!  Duhen prova dhe vërtetime?  A është e nevojshme të vërtetojmë që ekziston dielli?  O njerëz, hapni dritaret e dhomave tuaja të errëta dhe lereni dritën e diellit pranveror të vërshojë brenda shtëpive tuaja. O të pafe’ hapni dritaret, hapni zemrat tuaja të kyçura, dhe do të shihni dhe do të ndjeni që gjatë natës së Ngjalljes me ngazëllim psall Kisha: “Sot shkëlqen nga drita bota, qielli dhe dheu, dhe i nëndheshmi Ferr…”.
U Ngjall Zoti!  Errësira u shpërnda.  Dielli i paperënduar lindi.  Me mijëra diej ndriçojnë botën.  Drita e Ngjalljes ndrit qiellin, dheun dhe ferrin. Çdo gjë shkëlqen nga drita.

Dritë në të përmbiqiellshmet

U Ngjall Zoti.  Ndriçohen nga Ngjallja e Tij në fillim qiejt.  Nën Dritën e Ngjalljes ëngjëjt shohin më qartë dhe më kthjellët fytyrën e Jisuit.  Sepse misteri që mbulonte Jisuin, Birin e Virgjëreshës, ishte i pafund, i madh dhe i pakapshëm, ishte i pakuptueshëm edhe nga intelekti i Ëngjëjve.  A nuk shkruan himni i Tetë Tingujve “Nuk e dinin si more trup ëngjëjt e tu të patrup”?  A nuk psallën ai krijuesi tjetër i Hymnit Akathist: “Gëzohu o lartësi ku nuk ngrihen dot mëndjet njerëzore; Gëzohu o thellësi e pakuptueshme nga sytë e ëngjëjve”?  O lartësi dhe thellësi e misterit!  Perëndia mori trup.  Perëndia u lind në grazhd.  Perëndia ec dhe shoqërohet së bashku me njerëzit në kushte shumë të përulëta.  Pamje tepër e veçantë, e paparë në botë ndonjëherë.  Ëngjëjt ndjekin hap pas hapi udhën e Jisu Krishtit, dhe nga momenti në moment habiten dhe çuditen.  Ç’është kjo?  Çuditen dhe habiten me fenomenet e ndryshme të Jetës së Tij.  Perëndia që nuk e nxenë dot qiejt e nxe pa u ndryshuar ena virgjërore.  Perëndia bëhet shërbëtor dhe lan këmbët e nxënësve të tij.  Perëndia…kalon agoni në kopshtin e Gjethsemanisë!  Dhe zëri tronditës “O Perëndia im, o Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”!  Si do t’iu duken të gjitha këto ushtërive të Ëngjëjve?!  Si të kuptohen këto gjëra nga qeruvimet dhe nga serafimet?  Këto që po ndodhin e tejkalojnë akoma dhe aftësinë mendore të ëngjëjve.  Por Ngjallja e Zotit hedh dritë.  Dritë ndriçuese.  Ëngjëjt tani nën këtë dritë shohin Jisuin të dalë nga cikli i përulësisë, të dalë nga retë e zeza të ligësisë njerëzore dhe të lëshojë dritë me gjithë shkëlqimin e Hyjnisë së Tij.  Ngjallja përhap kudo Dritë, lëshon ngjyra të veçanta në të gjitha stadet e jetës së dheshme të Zotit, dhe tani ëngjëjt futen më thellë në misterin e madh.
Krishti u Ngjall. Shkëlqejnë qiejt!

Dritë mbi të dheshmet

Pse vetëm qielli ndriçohet?  Edhe dheu ndriçohet nga drita e begatë e Ngjalljes.  Sepse njerëzit, ata njerëz që e venë vehten e tyre nën dritën e Ngjalljes, e shohin dhe kuptojnë që gjërat njerëzore nuk drejtohen nga fati që nuk ekziston, nuk i qeverisin forca të errëta, shohin se gjërat njerëzore nuk përbëjnë një problem të pazgjidhshëm, nuk përfundojnë në varr, por shohin që jeta ka një vijë ndriçuese, ka një qëllim të caktuar, ka një destinacion.  Nga çasti që u dëgjua dhe u besua që “Krishti u Ngjall”, dyshimi, dëshpërimi, mosbesimi, skepticizmi dhe çdo sistem tjetër që ka simbol ligësinë, dërmohen brenda shpirtit të atij që beson dhe ia lenë vendin Ngjalljes së Zotit.  Dritë pra në zemrën e besimtarit.

Çfarë është jeta?  Pasuri dhe thesare?  Shfrytëzim?  Shijim i kënaqësive trupore?  Shndërrim në kafshë apo bishë?  Adhurim i egos?  Jo!  Jeta tani merr kuptimin e saj të vërtetë.  Jeta është sakfrificë, Golgotha, kryq, dhe pas kryqit është ngjallje, sipas modelit të jetës së Krishtit.  Besimi i hedh hapat duke u ndriçuar nga Ngjallja e Zotit.  Ec në rrugën e vështirësive, ec në rrugën e detyrës, ec në rrugën e kryqit, duke u gëzuar me një gëzim mistik dhe të patreguar.  Dhe nuk është vetëm në këtë rrugë.  Zoti i gjallë është shoqëruesi i tij i ëmbël.  Kur gjendet në stuhi dhe furtunë nuk i ndalon hapat e tij, nuk dekurajohet nga pengesat, nga rëniet tragjike që pëson, nuk dekurajohet as nga fitoret e përkohëshme të të ligut.  Pamja e Ngjalljes së Zotit është e gjallë përpara syve të tij.  Gjatë natës së errët të jetës së tij, gjatë sulmeve të egra të ligësisë, gjatë tërbimit të hidhërimeve të njëpasnjëshme, besimtari sheh dritën e Ngjalljes, sheh shkëmbin ku mund të kapet dhe të mbahet i patundur, sheh spirancën prej ku mund të varret, dhe kjo spirancë e sigurt është premtimi i Zotit të Ngjallur, e cila ndër shekuj arrin deri në veshët e tij mistikë:

“O Zëri yt i ëmbël dhe hyjnor! Ashtu siç shpalle, me të vërtetë me ne je deri në mbarim të shekujve o Krisht, dhe ne besnikët gëzohemi dhe ngazëllohemi duke të patur Ty spirancë shprese.”

Drita e Ngjalljes ndriçon gjithë jetën e besimtarit.  Kjo dritë e shoqëron edhe atje kur të gjithë e braktisin, edhe atje ku llampat dhe llambadhet e botës shuhen, edhe atje ku trimat dridhen, edhe atje ku filosofët shtrydhin trutë duke u çuditur, edhe atje ku shkencëtarët të zbehur mbyllin librat e tyre dhe nuk shohin asgjë tjetër përveç errësirës që shpon sytë, zymtësi.  Zymtësi dhe errësirë e pamasë është varri.  Por për kë?  Për ata që nuk besojnë.

Por për atë që beson, për atë që mban në dorë lambadhen e Ngjalljes, varri ndriçohet, dhe duke qëndruar në varret e të dashurve ëmbëlsohet me vizionin e ngjalljes së përbashkët, e ngjalljes së të gjithëve, fillim i të cilës është Ngjallja e Zotit.  “Por tashti Krishti u Ngjall së vdekurish dhe u bë fillimi i atyre që kanë fjetur.” (Let.I.Pav.Korinth.15:20).

Dritë edhe në Ferr

Krishti u Ngjall!  Dheu ndriçohet.  Po vetëm dheu ndriçohet?  Drita e Ngjalljes depërton edhe në thellësitë e skëterrës dhe shpërndan atje dritën e ngushëllimit në shumicën e panumurt të të vdekurve.  Sa të sigurt jini që këtu në tokë festohet Pashka, po aq të sigurt të jini që do të vijë çasti kur do të dëgjohet edhe atje trumpeta e ngjalljes së të vdekurve, dhe menjëherë hadi do të boshatiset dhe vdekja do të zhduket dhe gjithë ata që shpëtuan do të psallin himnet festive: “Ku është o vdekje thumbi yt?  Ku është o had, fitorja jote?” (Let.I Pav.Korinth.15:55).

Krishti u Ngjall.  Dritë u bënë qiejt!  Krishti u Ngjall.  Ndriçohet dheu i tërë!  Krishti u Ngjall. Llamburit gjithë natyra!  Krishi u Ngjall, akoma dhe skëterra ndriçohet.
Skëterra?  Errësira ndriçohet?  Cila skëterrë?  Demonët!  Demonët?  Po, demonët.  Edhe demonët ndriçohen nga Ngjallja.  Por si ndriçohen?  Drita e Ngjalljes nuk është për ta gëzim, por ngjall frikë tek ata dhe iu kall tmerrin ushtrive të tyre; ashtu siç hidhet dritë mbi errësirën për të zbuluar fajtorin, i cili në atë moment do të deshte të zhdukeshin të gjitha drita e botës, të gjitha dritat elektrike, të gjithë diejt, që të mos gjendet asnjë dëshmimtar i krimit të tij, në këtë mënyrë pra ndriçohen demonët.  Dritën e Ngjalljes e panë edhe demonët dhe u drodhën nga frika.  Po, e panë edhe ata!  Ashtu siç thotë edhe Shën Ignat Hyjprurësi “Krishti i Ngjallur u pa edhe nga ëngjëjt, edhe nga njerëzit, edhe nga demonët”.  Demonët, përpara Ngjalljes kishin një ide të turbullt për Jisu Krishtin.  Dëgjonin dhe ndiqnin mësimet e tij.  Shihnin mrekullitë e tij.  Me vëmendje ndiqnin jetën e tij.  E konsideronin Jisuin një personalitet të rrallë dhe të veçantë, dikur e quajtën dhe Bir Perëndie (Matth. 8:29, Mark.5:7,Lluk.8:28), por kurrë nuk e imagjinonin që brenda Tij kishte tërësi hyjnore.  Personin e Krishtit vetëm e supozuan.  Pikërisht për këtë arësye i lëshuan me tërbim organet e tyre deri në vdekje.  Por varri, dhe pas varrosjes dhe ngjallja, vërtetuan misterin e madh.  Perëndi ishte dhe jo thjesht vetëm një njeri.  Skëterra nuk mund t’a nxinte, nuk mund t’a përfshinte dot Perëndi-njeriun.  Ashtu siç shkëlqyeshëm thotë dhe Shën Joan Gojëarti në një nga fjalët e tij:

“Skëterra mori trup brenda saj por i doli Perëndi.  Pranoi brenda tij dhe’ por u ndodh përballë qiellit.  Mori një të burgosur por fajtor nuk ishte… U Ngjall Krishti dhe demonët u dërmuan”.

Dritë kudo dhe përgjithmonë

Me ngjalljen pra të Zotit çdo gjë u mbush plot dritë.  Me këtë Dritë çfarë lloj drite tjetër, natyrale apo artificiale, do të mund të krahasohet?  Dielli?  Po dielli ndriçon dhe ngroh deri në një pikë të caktuar.  Ka në hapësirë distanca të tilla që nuk i arrijnë dot rrezet e diellit.  Por edhe pak metra poshtë sipërfaqes së detit dielli nuk depërton dot.  Për thellësitë pra të oqeaneve dhe për lartësitë e qiejve dielli nuk ekziston.  Një qiri pra i dobët ndriçon një qoshe të hapësirës së pamasë dhe të pafund.  Por Ngjallja e Zotit është dritë e paperënduar, dritë që ndriçon qiellin, dheun dhe skëterrën.  Rrezatimi që reflektohet nga Ngjallja e Krishtit nuk mund të kufizohet nga koha apo vëndi dhe distanca.  Drita mistike depërton kudo.  Edhe çfarë nëse dikush jeton në mes të Eskimezëve dhe një tjetër jeton në mes të Etiopianëve?  Edhe çfarë se dikush jetoi 3 shekuj përpara Krishtit dhe tjetri jeton në shekullin e 21-të pas Krishtit, dhe dikush tjetër do të jetojë 500 vjet më pas?  Drita e Ngjalljes depërton kudo pavarësisht pra nga koha dhe vëndi apo distanca.  Ndriçohen djepat e foshnjave, por në të njëjtën kohë ndriçohen edhe varret e paraardhësve.  Drita e Ngjalljes ndriçon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.  Ndriçon shekujt e tërë.

Çfarë do të mund t’a shuajë atë Dritë?  Ai që thotë se do të mund t’a shuajë Dritën e Ngjalljes ngjan me atë të marrin i cili hipi mbi një shtyllë telefonike dhe duke fryrë me tërbim mburrej se do të shuante diellin!  Përpjekje të kota dhe demonstrim çmëndurie do të thoni.  Por përpjekje vërtet të kota dhe çmënduri e vërtetë, themi ne, janë tentativat e të gjithë atyre të cilët me argumenta të marra të mëndjeve të tyre të luajtura vëndit mburren duke thënë se një ditë do të mund t’a shuajnë dritën që ndezi Ngjallja e Krishtit.
O të pabesë ndër shekuj!  Përqëndroni sa të doni të gjitha forcat tuaja në këtë pikë.  Flisni, mbani ligjërata, shkruani sa të doni, mprehni thikat sa të doni, ngjituni lart sa të doni.  Çfarëdo që të bëni Krishti u Ngjall!  Ky Diell gjithmonë do të ngjitet lart e më lart, do të shpërndajë retë, do t’a mposhtë gjithmonë errësirën dhe do të ftojë në shpëtim popuj dhe kombe të tërë.

“Ejani merrni dritë nga Drita që nuk perëndon”.

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at

AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

***********************************************

A FESTOJMË ASHTU SIÇ DUHET

Kapitulli u shkëput nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti
(σελ.. 148-159)

“Dita e Ngjalljes le të ndriçohemi, Pashka e Zotit Pashka,
se ja prej  vdekjes në jetë dhe prej dheut në qiell
n’a shpuri Zoti Krisht me këngë mundëse”
(Kënga I e Kanonit të Pashkës)

Erdhi të dashur vëllezër Ngjallja.  Erdhi Pashka.  Le t’a falenderojmë Zotin, sepse akoma dhe një herë tjetër n’a vlerësoi të festojmë dhe të marrim pjesë në panairin e kësaj dite të lavdishme, që është mbretëresha e të gjitha festave dhe panairëve të Krishtërimit.  Qoftë kjo Pashkë, Pashka më e bukur e jetës sonë.  Dhe do të jetë Pashka më e bukur e jetës sonë nëse festojmë jo ashtu siç do bota, por ashtu siç do Zoti.  Dhe do të festojmë ashtu siç do Zoti nëse të gjithë ne, burra e gra, të gjithë sa mbajmë emrin e nderuar “i/e Krishterë” hapim veshët e zemrës sonë dhe dëgjojmë zërin e dhimbsur të Kishës sonë të Shenjtë Orthodhokse, e cila më thellë se të gjitha rrymat e tjera Kristiane zotëron kuptimin e vërtetë të kësaj feste madhështore dhespotike.  Himnet e Ngjalljes janë kryevepër.  Këto himne rrjedhin mjaltin e shpirtit, të cilin si bletë punëtore e mblodhën anembanë në lulet e Shkrimeve të Shënjta himnografë që nuk krahasohen me askënd.

Një vështrim mbi detyrat tona

Për të nxjerrë në pah këtë mësim mjaltë-rrjedhës të Ngjalljes së Zotit duhet t’iu referohemi me përpikmëri të gjitha Shkrimeve të Shënjta.  Fjalët e himnografëve dhe Etërve të Shënjtë të Kishës burojnë ëmbëlsi dhe janë tepër të kënaqëshme.  Janë më të kënaqëshme se mjalta dhe dylli.  Vetëm ata që kanë shqisat e shijimit shpirtëror për së mbrapshti nuk mund të shijojnë ëmbëlsinë e këtyre mësimeve, dhe me neveri hedhin sytë e tyre mbi ato që ka shtruar Kisha e Shënjtë në trapezën shpirtërore gjatë kësaj dite të lavdishme.
Nuk përsëritim të njëjtat gjëra.  Por duke shkuar në burimet e pashterrshme të Orthodhoksisë, me kupën tonë iu ofrojmë atyre që festojnë disa pika nga urtësia hyjnore.  Le të flasim më konkretisht.  Pyesim: cilat janë detyrat e të Krishterëve besëmirë gjatë kësaj dite të shënjtë?  Do t’i përmendim më poshtë.  Ata që kanë veshë do të dëgjojnë.  Ata që nuk kanë veshë nuk do të dëgjojnë.  Dhe jo vetëm që nuk do të dëgjojnë por edhe do të qeshin dhe do të tallen… Le t’i mëshirojë Zoti pra!

1) NË KISHË

Detyrën e PARË n’a i jep himnografi duke thënë:

“Le të ngrihemi që me natë dhe le t’i shpiem në vënd të miros himne Kryezotit, dhe t’a shohim Krishtin që si djelli i drejtësisë iu fal jetë të gjithëve”

A dëgjoni pra?  Detyra jonë është vajtja në Kishë që herët në mëngjes.  Ranë këmbanat? U dëgjuan tingujt e tyre të ëmbël? Përveç të sëmurëve, asnjëri dhe asnjëra të mos qëndrojë indiferent në shtëpi.  Të gjithë, “këmbë për këmbë” duhet të drejtohen drejt Kishave.  Ashtu si gratë mirofore të cilat gjatë natës së Ngjalljes nuk fjetën, por duke e patur zemrën plot ndjenja fisnikërie, dashurie, dhe adhurimi për Zotin, ndenjën zgjuar dhe “herët në mëngjes” shpejtuan për tek varri dhe u denjësuan të dëgjojnë ato të parat lajmin që “Krishti u Ngjall”, kështu pra dhe ne, të gjithë nëpër Kisha!

2)    DERI NË FUND

Por kjo nuk është e vetmja detyrë.  Nuk mjafton vetëm ardhja në Kishë gjatë natës së Ngjalljes.  Erdhëm në Kishë?  Kemi për detyrë të qëndrojmë në Kishë deri në fund.  Kjo pra është detyra jonë e dytë.  Dhe ndërsa detyra e parë zbatohet me ardhjen në Kishë kur dëgjojmë të bien këmbanata, e dyta a zbatohet  vetëm me qëndrimin në Kishë?
Oh fatkeqësisht!  Vihet re një fenomen që është vërtet për të vajtuar.  Çfarë ndodh?  E dini shumë mirë ju se çfarë ndodh.  Shumë veta, burra e gra, të cilët gjatë gjithë vitit nuk shkelin këmbë as tek pragu i Kishës, por paraqiten në Kishë vetëm natën e Pashkës, këta komitë pra të tërësisë kishëtare, mërziten nga qëndrimi i zgjatur në Kishë.  Ambjenti i Kishës nuk është për ta i këndshëm apo i kënaqshëm.  Por në vende të tjera, atje ku kënaqen, qëndrojnë deri në mëngjes.  Kurse këtu në Kishë?  Mezi presin orën që të ikin nga Kisha.  Prandaj në momentin që dëgjojnë “Krishti u Ngjall” fillojnë dhe ikin.  Largohen turma-turma, ashtu siç erdhën turma-turma.  Por të dashur zonja dhe zotërinj dëgjomëni:
Thirrja “Krishti u Ngjall” që dëgjuat nuk është fundi i shërbesës së shënjtë të natës së Pashkës.  Është vetëm fillimi.  Është krisma përshëndetëse me të cilën Kisha përshëndet ditën e re, ditën e ndritëshme, ditën e lavdishme gjatë së cilës ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së këtij planeti.  Menjëherë pas “Krishti u Ngjall” vazhdojnë festimet në panairin e Kishës.  Vazhdon kanoni ligjvënës i Ngjalljes.  Më pas kryhet Liturgjia Hyjnore e cila mbaron me predikimin festiv me rastin e Pashkës e shkruajtur nga Shën Joan Gojëarti, një predikim që nuk mund të krahasohet me asnjë predikim tjetër përsa i përket mënyrës si tingëllon dhe kuptimeve që përçon.  Dhe duhet, zonja dhe zotërinj, të qëndroni deri në fund të Liturgjisë.  Por ju në vënd që të qëndroni deri në fund ktheni kurrzin dhe largoheni…
Si t’a quajmë këtë sjelljen tuaj?  N’a lejoni t’ju pyesim:  në qoftë se supozojmë që një prej të fortëve të dheut, apo një mik i juaji ju fton personalisht në një mbrëmje festimi çfarë do të bënit?  Sapo të vinit në mbrëmje do të iknit?  Nuk do të prisnit derisa të mbaronte mbrëmja dhe të përshëndoshnit të zotin e shëtpisë?  Po, kështu do të vepronit sepse kështu ju thonë rregullat e mirësjelljes.  Jini të sjellshëm dhe tregoni shumë kujdes për këto gjëra.  Nuk doni t’ju quajnë të pasjellshëm, të egër dhe barbarë.  Doni të dukeni me edukatë përpara zotërve të kësaj bote, të cilët ju ftojnë personalisht në mbrëmjet e tyre.  Por ndaj Zotit Krisht si silleni?  Ai që ju fton natën e shënjtë të Ngjalljes është personi më i lavdishëm i qiellit dhe dheut bashkë.  Është Mbret i mbretërve dhe Zoti i zotërinjve.  Është Mbreti i Ëngjëjve dhe Shënjtorëve.  Ai ju fton në mbrëmje të festoni.  A e besoni këtë gjë?  Përgjigjuni sinqerisht.  Në qoftë se nuk e besoni atëhere përse vini në Kishë?  Vetëm për të bërë adetin?  Asnjë dobi dhe përfitim nuk kini nëse vini në Kishë vetëm për një formalitet.  Por nëse e besoni si Zot, si triumfues i gjithë shekujve dhe Mbret i të gjithëve dhe të gjithave, atëhere “ejani t’i falemi dhe t’i biem ndër këmbë vetë Krishtit Perëndisë dhe Mbretit tonë”.  Atëhere duhet të qëndroni në Pallatin Hyjnor, në Kishën e Shënjtë pra, deri në fund, derisa Zoti nëpërmjet organeve të Tij, priftërinjve meshëtarë, të n’a lajmërojë që mbaroi mbrëmja mbretërore.

3)    Afrohuni tek Kupa Jetëdhënëse

Vetëm mbrëmje festive është?  Shërbesa e shënjtë nuk është thjesht një mbrëmje.  Është pafund, më tepër se një mbrëmje.  Është ftesë për të marrë pjesë në misterin e shkëlqyer dhe të mrekullueshëm të Eukaristit Hyjnor.  Pa shikoni se si n’a fton himnologu:

“Ejani të kungohemi me verën e hardhisë së vreshtës së bekuar të Perëndisë sonë, se Jisui sot u ngrit dhe u hapi qiellin gjithë besnikëve, pra e himnojmë Jisuin Perëndi në jetë të jetëve”.

Ejani n’a thotë të pijmë nga prodhimet e vreshtit, të pijmë nga vera që në mënyrë çudibërëse u shndërrua në gjakun e Krishtit.  Ejani të kungohemi me misteret e qashtra, dhe të ngazëllohemi me këtë bashkim të hyjshëm me Zotin.  Ejani të shijojmë të mirat e shumta të mbretërisë së Tij, duke e himnuar atë si Perëndi në jetë të jetëve.
Shën Joan Gojëarti në fjalën e tij festive të Ngjalljes n’a fton të marrim pjesë duke n’a thënë:

Trapeza është plot, merrni të gjithë.  Mishi i viçit është me bollëk, asnjë të mos ikë i urrtuar.

Kush është viçi?  Mos vallë bën fjalë për trapezën materiale në të cilën shtrohen gjellë të zgjedhura?  Edhe trapeza e të mirave materiale nuk ndalohet.  Përkundrazi edhe rekomandohet, për shkak të atmosferës festive të ditës.  Por Shën Gojëarti kur thotë “viçi” dhe i fton të gjithë në këtë trapezë të madhe gjatë natës së Ngjalljes nënkupton kungimin me misteret e shënjta.  E tha vetë Zoti kategorimatikisht: “Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë dhe unë tek ai” (Joan 6:56).
O të Krishterë, feston Pashkë ai që denjësisht kungohet me misteret e shënjta.  Të tjerët, të cilët nuk besojnë dhe përbuzin këtë mister, nuk festojnë Pashkë.  Për të tjerët që nuk besojnë dhe qëndrojnë indiferentë Pashka katandis në një festë të të ngrënit me llupësi dhe pangopje, në një festë pa asnjë kuptim të thellë.
Kungata e shënjtë pra, kjo është detyra e tretë që duhet të kryejë i Krishteri gjatë natës së shënjtë të Ngjalljes.

4)    MBAHENI DITËN TË SHËNJTË

Përveç tre detyrave të mësipërme, duhet të kryejmë edhe një të katërt.  Cila është detyra e katërt?  N’a i rekomandon përsëri himnologu i shënjtë.  Thotë:

“Dita më e shkëlqyer dhe më e shënjtë është Pashka e Madhe, e para ditë e javës, që mbretëron mbi të gjitha, e kremte e të kremteve dhe panair i panairëve, le t’a bekojmë Krishtin për jetë të jetëve”

A dëgjuat?  E shënjtë është dita e Pashkës.  Por jo vetëm me fjalët dhe himnet e Ngjalljes duhet të jetë e shënjtë dita e Pashkës, por edhe me vepra.  E shënjtë duhet mbajtur përgjatë periudhës ditë-natë.  Ditë e shënjtë!  Si mbahet e shënjtë kjo ditë?  Mëndja të çohet tek Zoti i Ngjallur.  Gjuha të flasë për Të.  Le të psallë himnet e Tij.  Le të predikojë madhështimet e Tij.  Zemra le të digjet nga dashuria për Dhëndrin, për Diellin e drejtësisë që lindi duke u ngritur nga varri.  Dëshira jonë le të drejtohet drejt punëve të mira të cilat do të vërtetojnë që me të vërtet u Ngjall Krishti dhe një jetë e re po lind në botë.  Ka të sëmurë?  Le t’i vizitojmë.  Ka fatkeqë?  Le t’i ndihmojmë.  Ka armiq?  Le t’i falim.  Ka të pafe’ dhe vlasfimtarë të Zotit?  Le të biem ndër gjunjë dhe le të lutemi për ta, që drita e paperënduar e Ngjalljes të ndriçojë zemrat e tyre.  Le t’a zgjerojmë zemrën tonë që të përfshijmë në të gjithë botën.  Dhe kurrë të mos harrojmë që ato sa thamë, ato sa bëmë, ato sa shpenzuam për të ndihmuar të afërmin tonë (të afërmin sipas kuptimit të Ungjillit) janë shumë të vogla, shumë të pakta, pothuajse zero në krahasim me gjithë ato që n’a ofroi, që n’a dhuroi me sakrificën mbi Kryq Zoti i Ngjallur.  Jo para, jo pozita të larta dhe të mëdha, jo frone të bukur, por edhe sikur jetën tonë, dhe jo vetëm një jetë por edhe me mijëra jetë të kishim dhe t’i sakrifikonim të gjitha për Të, nuk do të mund t’ia kundërshpërblenim lartësisë dhe madhështisë të mirëbërjeve të pafund të Krishtit.  Me të vërtetë:

“Si do t’ia shpërblejmë Zotit për gjithë ato të mira që n’a bëri?  Për ne Perëndia u bë njeri, për natyrën e prishjes Fjala u mishërua dhe jetoi me ne, u bë mirëbërës për mosmirënjohësit, çlirimtar për rrobërit, për ata që rronin në errësirë lindi dielli i drejtësisë, Kryq duroi Ai që nuk mund të pësojë asgjë, në ferr u bë dritë, në vdekje u bë jetë, dhe për të rënët u ngjall.  Le t’i thërresim Atij, o Perëndia jonë lavdi më Ty.”

5)    Të mbajmë të pastër Javën e Ndritur

Në vazhdim të detyrave të mësipërme duhet të kryejmë dhe një detyrë të pestë.  Kjo është:

Jo vetëm dita e parë e Ngjalljes të mbahet e pastër nga çdo lloj mëkati, por edhe gjithë java që vijon, ajo javë që quhet Java e Ndritur, e cila konsiderohet si një ditë e vetme, vazhdim i ditës së parë dhe të madhe të Ngjalljes së Zotit, e gjithë java pra duhet mbajtur e pastër.  Jo të ndjekim filma të turpshëm dhe shfaqje teatrale, jo vallëzime të shfrenuara, jo të luajmë me letra, jo ndeshje sportive tifozësh të tërbuar, jo dehje dhe shthurrje, apo rrugaçëri të tjera të ndryshme, por lexim i shpeshtë i Shkrimeve të Shënjta, ushqim shpirtëror, vajtje e përditëshme në Kishë, kungim i shpeshtë, punë njeridashëse dhe mëshiruese, ngjallje të shpirteve, këto pra janë ato punë që duhet të kenë synim të Krishterët gjatë ditëve të Javës së Ndritur.  Këto n’a porosit Kisha jonë e Shënjtë.  Hapni Pidalin – Librin e Kanoneve dhe lexoni kanonin e 66-të të Sinodhit të 6-të Ekumenik.

Vallë do të n’a dëgjoni?

Këto pra predikojmë gjatë natës së shënjtë të Ngjalljes.  Por kush i dëgjon?  Kush i zbaton?  Zëri ynë bërtet në dhe’ të shretë e të thatë.
Ashtu siç kemi  thënë dhe më parë, dhe nuk do të pushojmë së thëni, jetojmë të dashur vëllezër dhe etër, jetojmë në një kohë të frikëshme, në një kohë të largimit të njerëzve nga Perëndia dhe udha e Perëndisë, jetojmë në një kohë gjatë së cilës shpirti i antikrishtit me mënyra dhe forma nga më të ndryshmet ka hyrë në jetën e përditëshme të njerëzve dhe përpiqet të gremisë të gjitha digat e moralit dhe të fesë dhe t’i shndërrojë në këneta të qelbura me erë të fëlliqur ato kopshte të Perëndisë që deri dje lulëzonin.
Por të dashur, Lavdi Perëndisë, sepse me gjithë shthurrjen dhe mosbesimin që mbizotëron sot në botë nuk mungon besimi dhe virtyti.  Janë dhe të zgjedhurit e Perëndisë.  Është grigja e Perëndisë.  Janë adhuruesit besnikë dhe të dedikuar të Zotit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur.  Janë bijtë dhe bijat besnike të Kishës Orthodhokse, të cilët iu binden këshillave dhe mësimeve shpirtërore të etërve të tyre shpirtërorë.  Kemi mjaft shembuj të dashurisë dhe dedikimit ndaj Kishës së Shënjtë.  Diell shprese është Ngjallja e Zotit.  Le të shpresojmë dhe ne për gjithë të mirat.
Rënçin gjithmonë gëzueshëm këmbanat e të gjitha Kishave tona duke lajmëruar dhe duke shpallur në qiejt “Krishti u Ngjall”.

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

***********************************************

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.