Αυγουστίνος Καντιώτης



ZËRI I NDËRGJEGJIES

date Αυγ 25th, 2009 | filed Filed under: Albanian

ZËRI I NDËRGJEGJIES

Njeriu është i dukshëm por edhe i padukshëm.  Përsa i përket pjesës së dukshme njerëzit nuk kanë shumë ndryshime midis tyre.  Por përsa i përket asaj që nuk duket (botës së brendëshme) njerëzit ndryshojnë jashtë mase njëri nga tjetri.  Nëse vrojtojmë me kujdes botën tonë shpirtërore – ashtu si polumbari zhytet deri në thellësitë e fundme të detit – do të vemë re gjëra tepër të çuditëshme.  Do të zbulojmë pikë së pari gjithë ato veti që n’a veçojnë si njerëz nga të gjithë krijesat e tjera.  E para nga të gjitha është llogjika, të cilën si një kompjter të shkëlqyer ia fali Perëndia njeriut dhe jo kafshëve, dhe me këtë kompjuter njeriu mbizotëroi mbi të gjithë botën natyrore.  Por përveç llogjikës n’a dha edhe diçka tjetër e cila është një gjë tepër misterioze, n’a dhuroi një aparat të padukshëm, n’a dhuroi një busull në thellësi të botës sonë të brendëshme, e cila quhet NDËRGJEGJIE!  “Dy gjëra më bindin për ekzistencën e Perëndisë, thotë filosofi Paskal, yjet e qiellit dhe zëri i ndërgjegjies”.  Por çfarë është me saktësi ndërgjegjia?  Ndërgjegjia mund të përkufizohet si aftësia e njeriut për të dalluar të mirën nga e keqia, të drejtën nga e gabuara.  Është pikërisht ndërgjegjia ajo që të nxit për të bërë të mirën dhe jo të keqen, dhe në të njëjtën kohë vuan tepër shpirtërisht kur në vënd të së mirës bën të keqen.

Këtë zë të ndërgjegjies dëgjonte brenda tij edhe i urti Sokrat dhe kështu vinte në kundërshtim me të ashtuquajturit e kulturuar të kohës së tij.  Për ndërgjegjien bën fjalë edhe Apostoll Pavli në kapitullin e dytë të letrës së tij drejtuar Romanëve.  Gjithë ata që dëgjojnë zërin e ndërgjegjies të buçasë brenda tyre quhen njerëz të ndërgjegjshëm.  Në të njëjtën mënyrë, gjithë ata që e përbuzin dhe e mbytin zërin e ndërgjegjies brenda tyre quhen njerëz të pandërgjegjshëm.
Ndryshimi është se njerëzit e pandërgjegjshëm janë tepër fatkeqë, në krahasim me njerëzit e ndërgjegjshëm të cilët kudo që të ndodhen, akoma edhe përpara vdekjes janë tepër të lumtur.  Të gjitha problemet psikologjike pa përjashtim e kanë rrënjën tek brejtja që shkakton zëri i ndërgjegjies.  Për këtë arësye është tepër i domosdoshëm dhe i nevojshëm rrëfimi tek ati shpirtëror, sepse barra e rëndë e mëkatit sjell si rezultat një presion të tmerrëshëm në botën e brendëshme shpirtërore, akoma edhe në qoftë se kanë kaluar shumë vite, qoftë edhe nëse askush nuk e di mëkatin që është kryer.
Ka shumë njerëz të cilët rrëfyen publikisht mëkatin që kryen me qëllim që të gjejnë sado pak qetësi përbrenda tyre.  Shën Joan Gojëarti n’a thotë: “më mirë të të thumbojë akrepi sesa ndërgjegjia jote”. Zëri i ndërgjegjies shtyu shumë njerëz në vetvrasje.  Ndaj duhet treguar kujdes, jo dëshpërim si Judha por rrëfim tek petrahili i atit shpirtëror.  Dostojevski tha: “pasi u rrëfeva ndjeva parajsën të lulëzojë brenda zemrës sime”.
Rendni pra që të gjithë tek petrahili i rrëfimit që të fitoni mbi tundimet e mëkatit, dhe kështu të kënaqeni jo vetëm me parajsën e bukur të natyrës por të jetoni dhe shijoni edhe parajsën e shkëlqyer të shpirit tuaj, kyçi i së cilës është misteri i shënjtë i rrëfimit.

† I Follorinës Avgustini
Pjesë nga fjalimi me rastin e fillimit të vitit shkollor 1989

Përktheu nga Greqishtja
Aleksander P. Filip

Comments are closed.