Αυγουστίνος Καντιώτης



Kryqi Mburrja e Pavlit

date Μαρ 1st, 2010 | filed Filed under: Albanian

Γ’ ΝΗΣΤΕΙΩΝ – ΚΥΡΙΑΚΗ ΣΤΑΥΡΟΠΡΟΣΚΥΝΗΣΕΩΣ ΜΕΤΑΦΡΑΣΗ ΣΤΑ ΑΛΒΑΝΙΚΑ

(Aπόσπασμα από τό βιβλίο τού Γέροντος π.Αυγουστίνου «Ο ΤΙΜΙΟΣ ΣΤΑΥΡΟΣ» – ΕΚΔΟΣΗ Α’ 1995 – Ο Σταυρός τό καύχημα τού Παύλου!)

E DIELA III-të KRESHMËS – FALJA E KRYQIT
Fragmenti u shkëput nga libri i Gjerondit te nderuar At Avgustinit,
“KRYQI I NDERUAR”, Botimi i I-rë, 1995

ΑΦΙΕΡΩΜΑ ΤΟΥ ΜΕΤΑΦΡΑΣΤΗ

…μέ βαθιά αγάπη τής καρδιάς μου καί πνευματική ευγνωμοσύνη τής ψυχής μου, το αφιερώνω στόν σεβαστό Γέροντα, στόν ανίκητο καί παραδειγματικό μαχητή της ΟΡΘΟΔΟΞΙΑΣ, στόν φωτισμένο ιεράρχη της του Χριστού Μεγάλης Εκκλησίας, στόν φλογερό καί ακούραστο ιεροκήρυκα του Λόγου του Θεού, Επίσκοπο Φλωρίνης, πατέρα Αυγουστίνο…

ΧΡΙΣΤΕ ΒΟΗΘΕΙ ΕΠΙΣΚΟΠΩ ΑΥΓΟΥΣΤΙΝΩ!

Kryqi

Mburrja e Pavlit

ΣΤΑΥΡΟΣ ιστ“Por për mua qoftë larg të mburrem me
tjetër gjë veç për Kryqin e Zotit tonë JisuKrisht, me anë të
të cilit bota është kryqëzuar tek unë, dhe unë tek bota”
(Let.Pavl.Galat. 6:14)

A dëgjoni, të dashurit e mij, a dëgjoni se për çfarë mburret apostolli i kombeve Shën Pavli?  A mundemi dhe ne vallë të mburremi për atë që mburret edhe Shën Pavli?

Në një kohë që njerëzit duke rrojtur në errësirën e idhujve, mëndjemëdhenj dhe arrogantë, nga njëra anë qytetarët e Romës të cilët mburreshin për perandorinë e tyre të lavdishme – superfuqinë e botës së atëhershme – nga ana tjetër populli i Greqisë që mburrej për artin e bukur dhe urtësinë e tij, Izraelitët nga ana tjetër mburreshin për vendosjen formale të Ligjit, dhe të gjithë këta së bashku silleshin me ironi dhe tallje ndaj kryqit, Shën Pavli ngre zërin dhe duke bërtitur predikon që përmbi legjeonet romake, përmbi filozofët dhe artistët, përmbi çdo thesar të dheshëm, përmbi çdo kënaqësi trupore, përmbi të gjitha sakrificat dhe ligjet formale të Izraelit, përmbi të gjitha këto qëndron diçka më e lartë që rrezaton si diell – Kryqi i Zotit tonë Jisu Krisht.

O Romakë, Grekë dhe Judhenj, mëndjemëdhenj dhe arrogantë, ju bëj thirrje të besoni dhe të mësoni që fjala që mbaj për Kryqin nuk është marrëzi dhe skandal, por “fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë” (Let.I.Pavl.Kointh.1:24).

Përse kjo mburrje?

Mburrja e Pavlit është kryqi.  Por përse është mburrje?  Kësaj pyetjeje i përgjigjet  vetë Pavli.  Tek sakrifica mbi Kryq e Jisu Krishtit, Shën Pavli gjen një burim fuqie mistike, e cila si një tërheqie shpirtërore e shkëputi atë (Pavlin) nga bota e kotë dhe e lidhi me idealet e mëdha dhe të larta të besimit më Krishtin, besim nëpërmjet të cilit jeta ka kuptim.
Kryqi pra burim force!  Dhe këtë eksperience të fuqisë së kryqit Shën Pavli e jetoi dhe vetë personalisht.  Shën  Pavli nëpërmjet fuqisë së kryqit fitoi mbi sundimet e dy perandorive të mëdha të cilat mbizotëronin dhe mbizotërojnë njerëzimin.  Njëri pushtet është ai i botës.  Pushteti tjetër është egoja.

Nëpërmjet tij mundi botën

Εσταυρ. Μοναχ ιστShën Pavli e mundi botën!  Por për cilën botë bëhet fjalë?  Për botën e diellit, hënës, yjeve, tokës dhe detit, lumenjve dhe pemëve, kafshëve, njerëzve dhe në përgjithësi të gjitha krijesave të Perëndisë?  Botë janë edhe këto të gjitha, të cilat janë krijuar me kaq rregull, urtësi dhe bukuri.  Por në thënien e mësipërme të Pavlit, ashtu si në të gjitha thëniet e tjera të Shkrimit të Shënjtë, botë quhet tërësia e atyre njerëve të cilët u larguan nga Perëndia, u shkëputën nga qendra e çdo bukurie dhe mirësie, dhe enden në errësirën e mashtrimit dhe mosnjohjes, duke kryer kështu të gjitha mëkatat e neveritshme që të kallin tmerr dhe zhgënjim.  Kjo botë pra mbizotëron në tërë dheun.  Dhe kryetar i kësaj bote është djalli i cili e drejton këtë botë me të gjitha mjetet dhe organet e tij shkatërrimtare – pikërisht për këtë arësye djalli quhet “mbizotërues i tokës” (Let.Pav.Efes. 6:12).  Dhe bota ka metodat e veta frikësuese, ashtu si dhe ato joshëse dhe magjpsëse.  Metodat frikësuese janë ironitë dhe talljet, përqeshjet dhe sharjet, shpifjet dhe dëbimet, si dhe martirizimi (vuajtjet dhe torturat).  Nëpërmjet këtyre metodave bota kërkon të terrorizojë besimtarët, që kështu ata të mohojnë Krishtin.  Ndërsa joshëse janë të gjitha të mirat që ofron bota dhe të cilat perceptohen nëpërmjet shqisave.
Ndikimi i botës mëkatare është tepër i madh.  Edhe në epokën tonë magjepsjet dhe frikësimet e botës janë të rrezikshme.  Por ashtu si Krishti i mundi edhe joshjet edhe frikësimet e botës, kështu edhe Shën Pavli, duke marrë fuqi nga i Kryqëzuari, vuajtet dhe pësimet e të cilit i studion me hollësi, kështu dhe Shën Pavli pra i mundi edhe joshjet edhe gogolët e kësaj bote.  Bota, e cila për ata që janë larg Krishtit është kaq tërheqëse dhe e tmerrshme, për Shën Pavlin është e vdekur.
Nëpërmjet fuqisë së Kryqit, thotë Shën Pavli, bota vdiq dhe nuk ekziston më për të.

Nëpërmjet tij mundi egon

Për Shën Pavlin jo vetëm botës së jashtme iu hoq kryqi dhe nuk ekziston më, por edhe ajo bota tjetër, bota e brendëshme vdiq dhe nuk ekziston më.  Dhe bota e brendëshme nuk është tjetër veçse egoja.
Egoja e njeriut, ashtu siç u zhvillua pas rënies në mëkatë të Adamit dhe Evës, është një ego e tmerrëshme, shkatërrimtare, është një ego kafshërore e dhënë pas kënaqësive trupore, një ego plot të meta, plot ligësi dhe mëkata, të cilat të marra së bashku përbëjnë një pafundëri, një perandori të tmerrëshme, kryetar i së cilës është përsëri satanai.  Provë e fuqisë së madhe të kësaj perandorie është fakti që shumë mbretër dhe perandorë, të cilët pushtuan botën e tërë, më së fundi u pushtuan nga vetë mëkatat e tyre, si p.sh. Aleksandri i Madh i cili në gjendje dehjeje vrau shokun e tij të ngushtë Klitin!
Kjo ego pra kishte folenë e saj edhe brenda Pavlit, si pasardhës i krijesës së parë Adamit.  Por Pavli me fuqinë e kryqit i mundi pasionet e këqia, dhe mëkatat nuk kanë mbi të asnjë fuqi por janë të vdekura.

Vdekje e shënjtë

Doni t’ju përshkruaj një pamje të kësaj vdekjeje të shënjtë?  Shkoni në varrezat.  Gjeni varrin e dikujt i cili ishte i pushtuar nga mëkati i argjendashjes, dhe mbi pllakën e varrit hidhni një sasi të madhe monedash të arta.  Nëse do ishte gjallë, edhe një prej monedhave të arta do t’a “elektrizonte” dhe do të bënte gjithçka për t’a shtënë në dorë.  Por tashmë ai është i vdekur dhe nuk i bën përshtypje floriri dhe argjëndi i gjithë botës.  Më pas vizitoni varrin e dikujt i cili ishte i dhënë pas kënaqësive trupore.  Një fjalë, një vështrim, një buzëqeshje prej një gruaje të pacipë mjaftonte për t’a shtënë në mëkatë.  Por tani edhe sikur ndonjë nga ato gratë e bukura që “tronditin” të gjallët do të qëndronte tek varri i tij ai si i vdekur do të dergjej atje pa lëvizur.  Nëse nuk jini lodhur shkoni dhe vizitoni edhe varre të tjera dhe vendosni mbi ato varre çfarëdo lloj gjëje të dheshme që i tërhiqte kur ishin në këtë botë.  Do të konstatoni edhe atje një apati të plotë, një mos-ndjeshmëri dhe indiferencë të plotë.  Të gjitha këto sende që i deshin dhe i çmonin shumë gjatë jetës në botë, kryesisht gjellët e preferuara, të cilat në lashtësi i vendosnin nëpër varre të afërmit dhe miqtë e të vdekurve, qëndrojnë të paprekura mbi varre dhe bëhen ushqim i punonjësve të varrezave.
E vdekur pra është bota për Shën Pavlin.  Por edhe Pavli është i vdekur për botën.  Vdekje e dyfishtë, vdekje e shënjtë!
Duhet në këtë pikë të jap patjetër një shpjegim me qëllim që të parandaloj ndonjë keqkuptim që mund të lindë.  Vdekja për të cilën bën fjalë Apostoll Pavli në thënien e tij të famshme në letrën drejtuar Galatianëve, nuk ka asnjë lidhje me ‘nirvanën e budistëve’.  Nirvana është shfarrosje e personalitetit njerëzor, sepse përfshin përveç të tjerave edhe vdekjen e çdo gjëje të mirë dhe të bukur që ka natyra njerëzore.  Për Shën Pavlin vdekja ka kuptimin e vdekjes së çdo mëkati, çdo prirjeje dhe tendence drejt mëkatit.  Kjo vdekje është varri, është vdekja e njeriut të vjetër, por njëkohësisht edhe ngjallja e çdo të mire, e çdo të hijshme dhe të bukur.  Vdekje pra do të thotë gremisja e kalibes së qelbur dhe të fëlliqur dhe ngritja mbi gërmadhat e saj e një ndërtese të bukur dhe të shkëlqyer më Krishtin.  Kjo pra është “krijesa e re” (Let.Pav.Galat.6:15).  Është pikërisht ajo që thotë Apostolli në letrën drejtuar Galatianëve “Bashkë me Krishtin u kryqëzova; dhe s’rroj më unë, por rron Krishti tek unë…” (Let.Pav.Galat.2:20).  Domethënë, mëkati tek unë vdiq.  Brenda meje jeton Krishti.  Ato që mendon Krishti mendoj edhe unë.  Ato që ndjen Krishti ndiej edhe unë.  Gjithë të mirat që bën Krishti bëj edhe unë.  Kjo është jeta e re, mënyra e re e jetesës, e cila është e huaj për botën, dhe krejt e kundërt me mënyrën e jetesës të atyre që jetonin dhe akoma jetojnë larg Krishtit.

Kryqi është edhe mburrja e jonë

O vdekje e Shën Pavlit!  O mburrje e Shën Pavlit!  Sa larg jemi nga ky ideal!  Brenda nesh akoma rron bota e ligësive dhe mëkatave, brenda nesh akoma rritet pema e pafrutshme me mijëra degë që e ka emrin “ego”, “njeriu i vjetër” pra (shih Let.Pav.Rom.6:6; Efesianët 4:22; Kolosianët 3:9).  Ndërsa bota e jashtme në të cilën jetojmë, bota e mashtrimit dhe mëkatit, herë duke përdorur metoda joshëse dhe herë duke përdorur metoda frikësimi n’a tërheq në mëkatë e paudhësi.  Të dobët dhe duke lënguar nga mëkati s’kemi fuqi të themi atë që tha Shën Pavli “Bashkë me Krishtin u kryqëzova; dhe s’rroj më unë, por rron Krishti tek unë…”
Ne n’a përshtatet më tepër ajo që tha Shën Avgustini.  Jemi në një oqean të frikshëm dhe të tmerrshëm, me dallgë të tërbuara dhe ku mbytje ndodhin çdo ditë.  Por ashtu si ai që ndodhet në rrezik mbytjeje rrëmben trapin si dru shpëtimtar dhe nëpërmjet tij ia del mbanë të vozitë drejt limanit dhe si përfundim të shpëtojë, kështu edhe ne, duke u ndodhur në rrezik mbytjeje në detin e egër të kësaj bote, le të rrëmbejmë drurin shpëtimtar, d.m.th KRYQIN, dhe duke e shtrënguar atë fort le të kemi brenda nesh sigurinë që do të arrijmë me Hirin e Shënjtë në limanin e jetës dhe lumërisë së përjetëshme.
Po pra, nëpërmjet KRYQIT do të gjejmë forcë dhe fuqi.  Nëpërmjet KYQIT do të vijë shpëtimi.  Ndaj le të jetë KRYQI edhe për ne mburrje.

† Episkop Avgustini
Shkëputur nga libri “KRYQI I NDERUAR – Ο ΤΙΜΙΟΣ ΣΤΑΥΡΟΣ” Botimi I, 1995
Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër P. Filip
E Diela III-të Kreshmës, Mars 2010

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.