Αυγουστίνος Καντιώτης



KRISHTLINDJA (Bishop Augoustinos Kantiotes) – ΧΡΙΣΤΟΥΓΕΝΝΙΑΤΙΚΑ ΜΗΝΥΜΑΤΑ

date Δεκ 16th, 2021 | filed Filed under: Albanian

KRISHTLINDJA

ΧΡΙΣΤΟΥΓΕΝΝΙΑΤΙΚΑ ΜΗΝΥΜΑΤΑ

ΓΕΝΝΗΣΗ ΚΥΡΙΟΥSot bota e krishterë feston Lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht, ngjarja më unike në historinë tonë. “Dielli iu afrua tokës dhe ajo nuk u dogj” – thotë shën Joan Gojarti. “I madh je, o Zot, dhe të mëdha janë veprat e tua”. Kjo është çështje besimi. Nëse beson se realisht Perëndia u bë njeri që të na shpëtojë, jo vetëm në grazh, por në zemrën tënde, qiejt do të hapen, natyra do të ngazëllehet dhe do të gëzohet, engjëjt do të këndojnë: Lavdi Perëndisë në më të lartat! (Lluk. 2.14).
Krishtlindja, e kremtja e shenjtë, fillimi dhe rrënja, “metropoli i të kremteve”, sipas shën Joan Gojartit. Himnologjia e kësaj të kremteje është një ndër më të bukurat e Kishës Orthodhokse.
Por le të shikojmë ku dhe si lindi Krishti?

E kishte gjithë pushtetin të zgjidhte një vend për t’u lindur. Mund të kishte lindur në një nga qytetit e mëdha e të rëndësishme të asaj kohe si Athina, Roma, Aleksandria, Antiokia. Por nuk lindi në asnjë nga këto kryeqytete që simbolizojnë Babiloninë, prishjen, fuqinë satanike. Lindi në një fshat të vogël e të parëndësishëm, 10 km larg Jerusalemit dhe pjesën e jetës e kaloi në një fshat të vogël e të përbuzur si Galilea e Nazaretit. Krishti lindi në një shpellë që të mësojë thjeshtësinë dhe përulësinë e jetës.
Krishti lindi në një stallë të pistë në shoqërinë e kafshëve. Stalla është gjendja e botës. Krishti nuk lindi i rrethuar me njerëz, por me kafshë, gjë e cila simbolizon jetën kafshërore të botës. Gojarti i shenjtë thotë: Si të të quaj, o njeri, kur shkelmon si gomari, rrëmben si ujku, je dinak si dhelpra, je grykës si ariu, sulmon si tigri, mban të keqen si gamilja, derdh helm si gjarpri?… Krishti lindi në stallë që ta marrë njeriun e ta lartësojë deri në qiell. […]
Kushtet e Lindjes së Zotit janë shumë të përulura. “Ç’gjë ka më të ulët se shpella, apo më të përulur se shpërgënjtë?” (Dëgjimi i së kremtes), dhe më të varfër se korita? Megjithatë Krishti si Perëndi që është mund të kishte lindur në kushte të tjera.
Mund të mos kishte lindur nga grua, siç ndodhi me njeriun e parë, Adamin, i cili nuk lindi nga një nënë. Për Perëndinë të gjitha janë të mundura. Atëherë, pse lindi nga një grua? Lindi nga gruaja, siç thotë apostulli i së kremtes (shih Gal. 4.4), që ta nderojë gruan. Në fillim, para shpalljes së Ungjillit, gruaja nuk ishte e barabartë me burrin. Konsiderohej më poshtë dhe burri sillej me të si të donte. Krishtërimi e lartësoi figurën e saj, e bëri motër, bashkëshorte, nënë, përderisa një grua, e Tërëshenjta, u bë Mbretëresha e qiejve.
Krishti lindi nga një e virgjër – që ta nderonte virgjërinë, e cila në kohët para krishtërimit ishte diçka e panjohur, e përbuzur dhe e mbytur nga imoraliteti dhe ndyrësia.
Krishti mund të kishte erdhur në jetë si një i rritur, si Adami. Por lindi si foshnjë. Pse? Që të nderojë foshnjat. Në kohën e lashtë foshnjat konsideroheshin qenie të përbuzura, pronësi e babait. Për shembull në Spartë foshnjat që nuk i pëlqenin etërit, i rrëmbenin dhe i hidhnin në humnerën e Kaidas; në Romë i hidhnin si mace dhe qenj nëpër rrugë ose i linin t’i hanin ujqit që zbrisnin nga malet Apenin.
“Ja Krishti lind”, psal Kisha. Ç’kuptim kanë këto fjalë?
Së pari, Krishti lind me një lindje pa kohë dhe të përmbinatyrshme nga Ati qiellor përpara shekujve. Kjo është dogmë. Disa u përpoqën ta injoronin ngjarjen e lindjes së Krishtit. Por vetë fakti i kronologjisë, e cila e ndan historinë në para dhe pas Krishtit e vërteton këtë.
Së dyti, kemi lindjen në kohë “prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari”.
Së treti, kemi lindjen mistike të Krishtit në zemrat e njerëzve. Si lind Krishti në zemrat e njerëzve. Përgjigjja vjen nga shën Pavli në Letrën e tij drejtuar Galatasve: “Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!” (Gal. 4.19). Çfarë vendi ka Krishti në zemrën tonë? Shikoni njerëzit dhe veprimtaritë e tyre në këtë ditë të shenjtë, dhe do të nxirrni konkluzion nga bisedat, argëtimet dhe këngët. Për fat të keq, askush nuk flet për Krishtin! Sikur të mos kishte lindur, si të ishte një i panjohur i madh.
Krishti lind në zemrat tona kur pendohemi për mëkatet tona dhe e besojmë si Shpëtimtarin dhe Çliruesin tonë. Atëherë e fronëzojmë në shpirtin tonë dhe e ndiejmë se e kemi të gjallë brenda nesh.

Bishop Augoustinos Kantiotes

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.