Αυγουστίνος Καντιώτης



Archive for the ‘Albanian’ Category

1) “SHPIRT DHE KRISHT JU DUHET”

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Μαρ 13th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Μετάφραση στα Αλβανικά του κείμενου του π. Αυγουστίνου ΨΥΧΗ ΚΑΙ ΧΡΙΣΤΟΣ ΣΑΣ ΧΡΕΙΑΖΕΤΑΙ Αλέξανδρος Φιλίππου
Aleksander Filip

Nga botimet “E DIELA-ΚΥΡΙΑΚΗ”
“U rrëmbeva nga Shpirti ditën e Dielë dhe dëgjova përpara meje një zë të madh si zë trumpete”
(Apokalipsi 1:10)

“SHPIRT DHE KRISHT JU DUHET”

(Shën Kosmai i Etolisë)

Sot të dashurit e mij është e Diela e 3-të e Kreshmëve të Mëdha.  Kemi arritur deri në mes të një rruge të vështirë dhe po zhvillojmë një betejë shpirtërore.  Ndiejmë nevojën të qëndrojmë diku të marrim frymë dhe të ripërtërijmë forcat për të vazhduar më tej.  Në luftë, kur beteja arrin një fazë të vështirë, luftëtarët marrin krahë kur shohin të shpaloset përpara tyre flamuri, sado frikacakë që të jenë në atë pikë marrin guxim për të luftuar.  Kështu pra dhe ne.  Marshojmë përpara dhe në mes të rrugës gjejmë pemën me gjethet që bëjnë hije, gjejmë Kryqin e Shënjtë.  Ushtarë të Krishtit jemi, dhe në një moment kritik të luftës sonë kundër mëkatit, kundër të dheshmeve të kësaj bote, kundër mishit dhe kundër djallit, Kisha e Shënjtë shpalos flamurin e saj të pamposhtur, Kryqin e Shënjtë.

Nën këtë flamur të të Kryqëzuarit luftuan ashpër mijëra shënjtorë.  Nën këtë flamur n’a thërret edhe ne sot Kisha nëpërmjet fjalëve të Krishtit që u lexuan në Ungjillin e sotshëm.  A e dëgjoni trumpetën? “Përpara marsh, jo në vend ndalo!”.
Trumpeta e parë është sinjal i lirisë.  Askush tjetër nuk e mbështeti në mënyrë kaq të theksuar sa Krishti të drejtën e njeriut për të qënë i lirë.  Çfarë trumpeton sot? “Kush të dojë le të vijë pas meje” (Mark 8:34).  Nuk detyron askënd – “kush të dojë” thotë.  Përpara teje gjendet edhe uji edhe zjarri, nëse zgjedh ujin do të freskohesh, nëse zgjedh zjarrin do të digjesh, zgjidh e merr pra (Shih Urtësia Sirah 15:16).  Krishti pra e le njeriun të lirë dhe kurrë nuk ushtron dhunë.  Kërkon vullnetarë të lirë e të gatshëm për t’iu bindur dhe për të zbatuar urdhërat e tij të shënjta.
Dhe proklamata e dytë e Krishtit n’a thotë: ju ftoj në betejë për të fituar jo gjëra të vogla dhe të parëndësishme por për një çështje tepër të lartë – dhe dalin prej gojës së Tij fjalë të paçmuara – “sepse ç’dobi do të ketë njeriu nëse fiton gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij?” (Mark 8:36-37).  Dhëntë Zoti të hapen zemrat tona të ashpra dhe t’i futim brenda në zemër këto fjalë të cilat kohë më përpara kur i dëgjonin njerëzit ndjenin brenda tyre tërmetin e shënjtë të pendimit.

“Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij”!  Ungjilli bën fjalë për shpirt.  Dhe ky është një subjekt i tërë më vehte.  Ose ekziston shpirti ose nuk ekziston – një nga të dyja.  Nëse nuk ka shpirt atëhere ka të drejtë Epikuri dhe ndjekësit e tij të sotshëm materialistë dhe të pafe’ që ngrehin lart parrullën “Le të hamë e pimë dhe të bëjmë qejf se nesër do të vdesim” (Shih Isaia 22:13, dhe Let. I. më Korinth.15:32).  Por nëse shpirti ekziston – dhe vërtet ekziston! –  atëherë duhet t’a shohim botën nga një këndvështrim tjetër dhe duhet të mendohemi mirë.  Sepse jeta nuk mbaron tek varri me një lopatë dhe’.  Varri është fillimi i jetës së re pambarim.
Por, do të thotë tjetri, unë jam shkencëtar, dua prova, dua prova bindëse që të besoj.  Një herë pra, një doktor ateist, duke bërë operacion përpara studentëve të tij, i trazoi të përbrëndëshmet e të sëmurit që operonte duke thënë “ku është shpirti?”…. Oh i marri!  Kërkonte të gjente shpirtin e njeriut në të përbrëndëshmet e tij.  Jo o vëllezër!  Shpirti ekziston.  Do të thuash “nuk e shoh”.
Mund të të numuroj një sërë gjërash të cilat nuk i sheh por që ekzistojnë.  Një kupë ujë përmban brenda saj me mijëra mikrobe, të cilat nëse do të mund t’i shikonim nuk do t’a pinim kurrë atë ujë.  Atmosfera është gjithashtu plot e përplot me mikrobe, të cilat i thithim.  Janë kaq të vogla sa nuk i shohim dot.  Vetë ajrin që thithim dhe n’a jep jetë a e shohim?  Kush e pa?  Nuk e shohim por e ndjejmë dhe jetojmë rezultatet e tij: e dëgjon që oshëtin, e ndjen të rrahë fytyrën tënde,  e sheh të tundë gjethet, të çrrënjosë pemët, të tërbojë detin.  Nga këto shfaqje të tij bindemi për ekzistencën e ajrit.
Në qiell ekzistojnë trupa qiellorë të panumurt të cilët syri i njeriut nuk mund t’i dallojë dot.  Doni edhe një shembull tjetër?  Jetojmë në kohën e energjisë elektrike.  Kush e pa rrymën elektrike?  Askush.  Por shohim një llambë e cila lëshon dritë, ose prekim një nga telat elektrikë dhe n’a godet duke n’a hedhur përtokë.  Të gjitha këto pra nuk i shohim por ato ekzistojnë.

Kështu është edhe me shpirtin.  Nuk duket por shfaqet me mënyra të ndryshme.  Si shfaqet shpirti?
Para së gjithash është mendimi – një mënyrë kryesore pra që vërteton ekzistencën e shpirtit.  Ndërsa ndodhesh në shtëpi me mëndje arrin nëpër vënde tepër të largëta.  Ke miq e të afërm në mërgim?  Përnjëherësh arrin atje dhe me mëndje ndodhesh pranë.  Ndërkohë që trupi yt ec këtu me shpirt gjendesh në Australi, në Nju Jork, në Çikago etj… Si? Me mendimet e tua, me shpirtin tënd.  Oh mendimi!  Kërruset Arkimedi i zhytur në planet e tij, çuditet dhe habitet, dhe ndërkohë që jeta e tij është në rrezik ai bërtet: “mos m’i trazoni rrathët”, e pra kështu bëhen zbulimet.  E gëdhin gjithë natën astronomi duke vrojtuar yjet, bën vlerësime, nxjerr përfundime.  Doktori studion thellë libra të tëra, mëson organizmin, kontrollon të sëmurin, nxjerr diagnozën, jep metodën e shërimit.  Tek të gjithë mendimi është burim frymëzimi, është krijimtari, poemë, këngë.  Kështu edhe besimtari ndërsa ndodhet me trup në Kishë me shpirt fluturon lart në Fronin e Trinisë së Shënjtë së bashku me ëngjëjt “Ne që simbolizojmë mistikërisht Qerubimet…” dhe dëgjon me shpirtin e tij “Shënjt Shënjt Shënjt Zoti Savaoth…” (Isaia 6:3, dhe Liturgjia Hyjnore).
Oh mendimi njerëzor!  A ka peshore t’a peshojë dot mendimin e njeriut?  Kush mund t’a peshojë?  Është diçka e palëndëshme por në të njëjtën kohë edhe e vëretetë.
Më i lartë se mendimi është ndjenja, më e lartë se mëndja është zemra.  E sheh infermieren që nga dashuria dhe altruizmi qëndron gjithë natën tek koka e të sëmurit?! A peshohet dot ndjenja sa e rëndë është? Është e palëndëshme por përbën realitet.
Do edhe diçka akoma më të lartë?  Është vullneti.  Vullneti i njeriut ngreh pesha tepër të rënda, thyen çdo ndalesë dhe çan tej për tej malet, kapërcen çdo pengesë dhe ia del mbanë me trimëri në arritje të larta përpara të cilave mbetemi gojëhapur.

Këto gjëra të palëndëshme pra, mendimi-ndjenja-vullneti, kanë një bazë, një qëndër, një burim.  Të lëndëshmet kanë burim trupin, ndërsa të palëndëshmet, gjërat shpirtërore pra të cilat e ngrehin njeriun më lart se kafshët kanë burim shpirtin.  N’a thonë disa të marrë nga mëdtë që e kemi prejardhjen nga majmuni, nga shimpazeja.  E pranoj që trupërisht edhe mund të ngjasojmë.  Por një humnerë e pakapërcyeshme n’a ndan prej tyre, shpirti.  Sepse ekziston edhe një diçka tjetër më e rëndësishme se ato që përmendëm më sipër.  Kush është kjo e rëndësishme?  Ujku pasi ha shqerat bëhet mënjanë në qetësi, luani pasi shqyen antilopën fle, skifteri rrëmben pulën dhe shplodhet.  Por a e sheh njeriun?  Njeriu – jo kur vret! Oh nëse vret! – por vetëm një fjalë të rëndë të thotë dhe ndjen një barrë të rëndë brenda tij.  Nuk është kafshë, nuk është bishë.  Përbrenda tij ka një thëngjill të ndezur flakë.  Kush është kjo?  Ndërgjegjia.  Preferoj më mirë të më pickojë akrepi sesa ndërgjegjia ime.
Të gjitha këto fenomene të cilat janë tërësisht të një natyre shpirtërore vërtetojnë që njeriu përbëhet prej një substance të palëndëshme dhe të pavdekshme, dhe kjo substsancë e palëndëshme quhet shpirt.  Por deri tani nuk ju kam thënë asgjë.  Është dhe diçka tjetër që vërteton në mënyrë të patundëshme, njëqind për qind, ekzistencën e shpirtit.  Është Golgothaja, është Kryqi i Shënjtë dhe i nderuar, është Krishti i cili nuk tha kurrë gënjeshtra.  Si një autoritet i lartë dhe superior n’a siguron që ekziston shpirti.  Në mënyrë të veçantë, sot në këtë ditë të Shënjtë, prej Kryqit të tij, me kurorën prej gjëmbash mbi krye, me buzët e vyshkura nga etja, me duart e shpuara prej peronave, me këmbët e tij të gjakosura, dhe me brinjën e shpuar prej shtizës, n’a thërret duke thënë:
“Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij”  A ka sigurim apo provë më të fortë se kjo?!

*****

Përpara se t’a mbyll fjalën të dashurit e mij, po ju kujtoj dhe diçka tjetër, një diçka për të cilën n’a siguron edhe shkenca.  Kush është kjo?  Vjen momenti dhe një kambanë e madhe, një kambanë e madhe që varet në yjet e qiellit do të ushtojë “Erdhi Fundi”!  Është e sigurt që po afron fundi i botës.  Kur do ndodhë kjo gjë nuk mund të themi, ashtu siç bëjnë heretikët dëshmimtarë të Jahovait duke dhënë data të caktuara.  Por një gjë është e sigurt, fundi po afron.
Dhe atëhere dy gjëra do të ekzistojnë vetëm shpirti dhe Krishti!  Shpirti do të gjykohet dhe Krishti do të gjykojë.  Këto të dyja n’a duhen vetëm, thekson Shën Kosmai i Etolisë, dhe sikur tërë bota të përmbyset dhe të gjithë demonët të sulen mbi ne nuk mund të n’a i marrin – shpirtin dhe Krishtin.  Të varfër dhe leckamanë, të dëbuar dhe të përndjekur, omologjitë dhe martirë të Krishtit, të Krishterë të vërtetë, të gjithë pra le t’i mbajmë, le t’i shtrëngojmë fort këto të dyja – shpirt dhe Krisht!  Jo, le t’i bërtasim djallit dhe demonëve të tij, këto të dyja kurrë nuk do t’i dorëzojmë!  Sepse e tha Krishti dhe fjala e tij mbetet e vërtetë në jetë të jetëve “Ç’dobi do të ketë njeriu në fitoftë gjithë botën dhe dëmton shpirtin e tij?!”.

+Episkop Avgustini
Predikimi u mbajt gojarisht në Kishën e Shën Sostit
në lagjen e Nea Smirnit – Athinë
më datë 13 Mars, 1977.

********************************************

Të painfluencuar nga mjedisi i keq që i rrethonte

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Të painfluencuar nga mjedisi i keq që i rrethonte

Predikim gojor i mbajtur nga Mitropoliti i Follorinës Avgustin më 30 Janar, 1987 në Kishën e shënjtë të Shën Pandelimonit në Follorinë

Sot, të dashurit e mij, është e kremte e madhe, është e kremtja e arsimit.  Festojnë mësonjësit. Nuk e kam fjalën për mësuesit dhe profesorët e shkollave të sotshme.  Këta të sotshmit i japin mësim vetëm një brezi.  Pas disa vitesh mësimdhënie në arsim ikin dhe vijnë të tjerët, ikin dhe shkojnë në varrezat ose dalin në pension.  Ju pyes, a mund të më thoni se kush ishte drejtori i gjimnazit të qytetit tonë përpara 50 vjetësh?!  Kush ishin mësuesit dhe profesorët e qytetit tonë përpara 50 vjetësh?!  Ikën pra të gjithë dhe u zhytën në oqeanin e harresës.
Por mësonjësit që festojmë sot janë mësonjës jo të një brezi të vetëm, por të shumë brezave, janë mësonjës të shekujve të panumërt, të mijëvjeçarëve të tërë.  Janë Tri-arkondët, Tre Ierarkët e mëdhenj: Vasili i madh, Grigor Theollogu dhe Joan Gojëarti.  Këta nuk janë mësonjës vetëm të një brezi pra, sepse e mundën kohën; dhe për sa kohë që të lindë dielli e të ndriçojnë yjet, për sa kohë që të fryjnë erërat kujtimi i tyre do të jetë i përjetëshëm.  Dhe për t’i dalluar këta mësonjës nga mësuesit që shkojnë e vijnë, ata në gjuhën e shënjtë të Kishës quhen mësonjësit ekumenikë, mësonjës pra të të gjithë universit.  Dhe kjo nuk është një fjalë boshe por fakt.  Kudo që të shkojmë, në të gjitha gjërësitë dhe gjatësitë e rruzullit tokësor, në universitetet e huaja dhe kudo, mësohen Vasili i madh, Grigor Theollogu dhe Joan Gojëarti.
Dhe nuk quhen thjesht mësonjës ekumenikë.  Pranë këtij titulli kanë dhe një titull tjetër – quhen dhe Etër të shënjtë. Ashtu sikundër ati do fëmijët e tij, edhe ata i deshën fëmijët dhe të rinjtë me të gjithë flakën e zemrave të tyre.
Por përpara se të beheshin mësonjës, mësonjës ekumenikë, fiziognomira të shquara dhe të vetme në botën e arsimit, përpara pra se të bëheshin mësonjës ishin nxënës.  Dhe ashtu siç janë shembuj mësonjësish ashtu janë edhe shembuj nxënësish.  Në qoftë se do të kisha një kinema – do të desha një kinema të Perëndisë, jo të djallit – nëse do të kisha kinema do të krijoja një filmë me titull “Tre Ierarkët si nxënës”.  Oh!  Me mëndje po e ngre kinemanë përpara syve dhe po ju paraqes tani Tre Ierarkët e mëdhenj si nxënës, kur ishin në moshën 10 vjeç, 15 dhe më pas 20 vjeçarë.  U ulën në bankat e shkollës për vite të tëra, derisa ishin gati si mësonjës – në fillim pra ishin nxënës dhe më pas mësonjës.
Çfarë n’a thotë jeta dhe eksperienca e tyre?!

*****

Ishin fëmijë të rrallë, me talente dhe nga familje të nderuara.  Kishin etje të madhe për dije.  Për këtë arësye i lanë fshatrat dhe qytetet e tyre dhe ikën larg.  Dhe ku shkuan, në Paris apo Londër?!  Këto qëndra në atë kohë nuk ekzistonin.  Ato vënde ku sot ngrihen lart gradaçelat e qytetërimit dhe civilizimit fallco, ato vënde pra në ato kohë nuk ishin tjetër veçse pyje ku banonin bisha të egra.  Shkuan në Athinë, qëndra e lavdishme e asaj kohe që ishte qyteti i famshëm i arteve dhe shkencave.  Atje pra shkuan të plotësojnë njohuritë e tyre.
Dhe ndërsa Athineasit e asaj kohe shquheshin për artet dhe shkencat dhe ishin në kulmin e lavdisë, nga ana morale dhe fetare ishin në gjëndje të vajtueshme, ashtu siç përmendin dhe historianët e asaj epoke.  Kishin kaluar 3 shekuj që atëhere kur Apostoll Pavli predikoi besën e Krishtit në majë të shkëmbit të famshëm të Ariosit pranë Akro’polit – në Arios Pagos pra – e megjithatë rrënjët e idhololatrisë të paraardhësve tanë ishin akoma shumë të forta.  Athina e asaj kohe ishte në shumicën e popullsisë qytet pagan.  Në çdo njëqind banorë njëri ishte i Krishterë, dhe kishte vetëm një Kishëz të vogël kur vinin për nevojat e tyre të Krishterët.  Kudo shikonje idhuj, statujat e Athinës, Dhionisit, Artemisit dhe perëndive të tjera.  Dhe të rinjtë e asaj kohe?!  Ata gjendeshin në degjenerim të madh.  Kishin rënë fare përtokë.
Në mes të asaj shoqërie pra të korruptuar të Athinës jetuan dy miqtë dhe shokët e vërtetë, Vasili i madh dhe Grigor Theollogu.  Si jetuan?! A nuk u ndikuan nga mjedisi rrethues?!  Mjedisi rrethues ka forcë tepër të madhe influencuese.  Nëse hedhim dy pika uji të ëmbël në oqeanin Atlantik, a është e mundur që këto dy pika të ruajnë ëmbëlsinë e tyre?! Sigurisht që jo.  Kështu pra ishte shumë e vështirë edhe për këta dy të rinj të qëndronin të pastër dhe të kulluar.  Por fakti është që vërtet mbetën të tillë duke mos u ndikuar aspak prej atij ambjenti.
Dhe si shpëtuan?!  Ishin nxënës shembullorë, i deshin shumë shkronjat e shënjta, studionin Homerin, Thukidhidhin, Platonin dhe Aristotelin, të gjitha shkencat.  Ashtu si bleta fluturon nga lulja në lule për të mbledhur nektarin, kështu dhe ata u hodhën në livadhet e urtësisë së lashtë.  Studiuan ditë e natë shumë libra, por më tepër se të gjitha librat studiuan një dhe vetëm një libër – Shkrimin e Shënjtë.  E kishin këtë libër në kraharoret e tyre dhe i dinin përmendësh të gjitha librat e Shkrimit të Shënjtë.  Ja pra si shpëtuan, me studimin e Shkrimit të Shënjtë, kështu shpëtuan.  Ja pra si shpëtuan, me shoqërinë e tyre të fortë dhe të pathyeshme.  Ishin, ashtu siç thonë, “një shpirt në dy trupe”.  Ishin pra shembull i unitetit shpirtëror, që do të thotë bashkë-ekzistenca e të njëjta koncepteve, ndjenjave dhe dëshirave.  Ishin shembull i rrallë miqësie dhe shoqërie.  Si shpëtuan pra?!  N’a tregojnë vetë ata.  Athina kishte shumë rrugë, të cilat të çonin nëpër theatro apo qëndra të tjera zbavitëse dhe dëfrenjëse.  Nga të gjitha ato rrugë pra Vasili i madh dhe Grigor Theollogu njihnin vetëm dy: rrugën që të shpinte në Kishë dhe rrugën që të shpinte në shkollë.  Asnjë rrugë tjetër nuk njihnin.
Këto pak fjalë për këta të dy Ierarkë të mëdhenj.  Por çfarë do të themi për Joan Gojëartin?!  Edhe ai shkoi në shkollë.  Idhujtarë ishin bashkë-nxënësit e tij.  Idhulltar i madh ishte profesori i tij Livani, i cili në moshë pleqërie, kur e pyetën se kë do të linte pasardhës të katedrës të shkollës së ligjëratës dhe retorikës u përgjigj: “do të desha shumë Ioanin, nëse nuk do të m’a kishin marrë të Krishterët”.
Nuk u ndikuan pra askpak nga mjedisi rrethues i asaj kohe.  Vasili i madh dhe Grigor Theollogu kishin në klasën e tyre një idhulltar fanatik, fytyra e vërtetë e të cilit fshihej pas maskës së pseudo-kristianit.  Shtirej sikur ishte në anën e tyre, shkonte bashkë me ta në Kishë, lexonte Shkrimin e Shënjtë, por të gjitha këto i bënte me hipokrizi të madhe.  Ky pra ishte Juliani, i cili pas pak vitesh u bë perandor i perandorisë romake, dhe me tërbim të madh luftoi besën e Krishtit dhe përpiqej t’a çrrënjoste dhe t’a zhdukte.  Ekzistojnë shumë shkrime të Grigor Nazianzinoit – Grigor Theollogut pra – ndaj perandorit romak Julianit femohues.

*****

Dhe tani dua t’iu drejtohem fëmijëve dhe të rinjve tanë dhe t’iu them:
Tre Ierarkët e mëdhenj janë shembull pedagogu dhe mësonjësi, por përpara se të bëheshin shembuj mësonjësish ishin shembuj nxënësish.  Edhe ju o fëmijë dhe të rinj jetoni në mes të një mjedisi që është nga më të korruptuarit – e them dhe e pranoj – dhe rrezikoheni t’ju marrë lumi.
Rrezikoheni për shkak të shoqërive të këqia që bëni.  Para pak ditësh erdhi në dyert e Mitropolisë një nënë dhe qante:  dhespoti im, e humba fëmijën, më thoshte.  U përzie me shoqëri të këqia, më parë vetëm lexonte dhe studionte, ndërsa tani kthehet vonë në shtëpi dhe në gjendje të vajtueshme…
Një gazetë me emër e Athinës para pak kohësh publikoi statistika të cilat thoshin që brenda një viti humbën 400 vajza dhe 300 djem, dhe prindërit të merakosur dhe të shqetësuar i kërkojnë.  Rrezikoheni akoma edhe nga pamjet e ekraneve, të cilat reklamojnë punëra që nuk zihen dot në gojë.  Rrezikoheni nga shtypi, pasi botohen libra dhe revista ateiste, që ju ngjajnë farave të demonëve, dhe të cilat pa pasur asnjë lloj prove bindëse shkruajnë që njeriu e ka prejardhjen nga majmuni.  Rrezikoheni nga droga – një gazetë tjetër me emër e qytetit të Selanikut shkruante që droga tashmë ka hyrë dhe në shkollat fillore!  Por akoma më shumë rrezikoheni nga një lloj tjetër droge, jo drogë për trupin por drogë për shpirtin, dhe kjo drogë është shumë herë më e keqe – kjo drogë e ka emrin televizor, është “droga me prizë”.  Një ateist që përpara disa vitesh mori në dorë televizionin tha: “me një buton vetëm do të ndryshoj mëndjet e njerëzve”.
Rrezikoheni pra nga të gjitha këto, edhe pse mësuesit dhe profesorët e mirë përpqen jashtëzakonisht shumë nëpër shkolla, edhe pse prindërit dhe Kisha përkujdesen dhe përpiqen për ju që të mos rrezikoheni.  Atëhere ç’u pa puna kur njëri ndërton dhe tjetri prish e shkatërron?  Atë çka ndërton familja, shkolla dhe Kisha, brenda një nate e bëjnë gërmadhë…
Më dhimbset rinia, ndaj po flas kështu.  Por kam besim se do t’i qëndroni kondra dhe do t’i rezistoni rrymës së lumit.  Qëndroni të patundur dhe të paepur.  Poshtë yjeve dhe sipër yjeve nuk ka emër tjetër më të fuqishëm, nuk ka asnjë gjë tjetër më madhështore dhe më të lartë se Zoti ynë Jisu Krisht, të cilin bekoheni dhe përmbilartësoheni përherë e në jetë të jetëve. Amin!

Përktheu nga Greqishtja,
Aleksandër Filip
25 Janar, 2008-Kujtimi i Atit tonë ndër Shënjtorët Grigor Theollogut

Simboli i Kryqit

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Nga veprat e Shën Joan Gojëartit

Simboli i Kryqit

…E shikon se sa fuqi ka Kryqi? Kur i dëgjon keto, i dashur, kurrë të mos dëshpërohesh, por duke menduar dhe kuptuar njeridashjen e pamasë të Perëndisë, shpejto dhe korrigjo gabimet e tua.  Sepse ndërsa i dha kusarit tepër hir, duke qënë mbi kryq, shumë më tepër hir do të n’a jape neve, me njeridashjen e tij, në qoftë se duam të rrëfejmë mëkatat tona.  Ndaj, që të shijojmë dhe ne njeridashjen e Tij, nuk duhet te kemi turp për të rrëfyer mëkatat tona, sepse ka forcë të madhe dhe shumë fuqi rrëfimi.  Dhe vërtet, kusari mbi kryq u rrëfye dhe gjeti dyert e Parajsës të hapura. Ai që vidhte u rrëfye dhe gjeti guxim për të kërkuar mbretëri.  Deri në atë moment të jetës së tij nuk kishte kërkuar kurrë mbretëri.  Më thuaj, o kusar, çfarë të shtyu dhe u kujtove të kërkosh mbretëri?  Çfarë sheh dhe tani flet? Ato që duken janë Kryqi, akuzat, talljet, përbuzjet dhe ngacmimet.  Po, përgjigjet.  Vetë Kryqi është symbol i mbretërisë.  Ndaj e quaj mbret, sepse e shoh të kryqëzohet, dhe detyra e mbretit është të vdesë për ata që ka nën autoritetin e tij.  Ai tha: “Bariu i mirë sakrifikon dhe shpirtin e vet për dhentë e tij”.  E pra, mbreti i mirë sakrifikon dhe shpirtin e tij për ata që ka në vartësi.  Dhe meqënëse  sakrifikoi jetën e Tij e quaj Mbret dhe i them “Kujtomë o Zot kur të vish në mbretërinë tënde”.

Do pra të mësosh se si Kryqi është symbol i mbretërisë, dhe sa serioze është kjo çështje? Ja pra, nuk e la kryqin këtu mbi dhe’, por e mori dhe e ngriti deri në qiell.  Ku duket kjo gjë? Me Kryqin do të vijë përsëri gjatë Ardhjes së Dytë!  Por le të shohim si do të vijë. Dëgjo pra vetë Krishtin, çfarë tha për Ardhjen e Tij të Dytë, për krishtërit e rremë, për profetët e gënjeshtërt, për Antikrishtin:  “nëse ju thonë, ja Krishti tek është atje tutje, ja Krishti tek është në shkretëtirë, mos shkoni”, që të mos mashtrohet asnjë prej jush dhe të bjerë në kurthin e tyre, sepse përpara Krishtit do të vijë Antikrishti, dhe kini kujdes se mos ndoshta duke kërkuar bariun bini në duart e ujkut.  Për këtë arësye ju tregoj shënjat e Ardhjes se Bariut. Dhe meqënëse kur erdhi në botë herën e parë askush nuk i kushtoi vëmendje, mos mendoni se kështu do të ndodhë edhe në Ardhjen e Tij të Dytë.  Natyrisht, herën e parë erdhi pa u kuptuar, sepse kërkonte delen e humbur.  Por herën e dytë nuk do të jenë kështu gjërat. Po si do të jenë?!  Tha Zoti këto, dhe thuaju dhe te tjerëve gjithashtu: “Ashtu siç ndodh vetëtima nga lindja deri në perëndim, kështu do të shfaqet dhe Biri i njeriut”.  Të gjithë do t’a shohin dhe askush nuk do të ketë dyshim.  Sepse ashtu siç nuk është e nevojshme të bejmë kërkime pasi bie vetëtima dhe t’a vemë në dyshim nëse ndodhi apo jo, kështu nuk do të jetë e nevojshme të ekzaminojmë nëse u shfaq Krishti apo jo.  Deri këtu akoma nuk i jemi përgjigjur çështjes në fjalë, pra nëse do të vijë bashkë me Kryqin.  Dëgjo pra edhe këtë që e thotë qartazi vetë Krishti: “Atëhere, pra kur të vij, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të jape më dritë”.  Akoma dhe yjet më të ndritur do të humbin shkëlqimin. “Yjet do të bien, dhe shënja e Birit të Njeriut do të shfaqet në qiell”.
E shikon pra sa e madhe do të jetë shënja dhe çfarë shkëlqimi do të ketë?  Dielli do të errësohet, hëna nuk do të japë më dritë, yjet do të bien nga qielli dhe vetëm shënja do të duket, mësoe pra se kjo shënjë do jetë më e ndritur se drita e hënës dhe më e shkëlqyer se dielli…
Po përse dhe për çfarë arësye do të vijë duke patur me vete kryqin?  Ja pra kush është shkaku: që të kuptojnë kryqëzuesit maninë e tyre, dhe që t’i nënshtrojë ata për mëkatat e tyre.  Dëgjo se ç’thotë ungjillori i tij “Atëherë do të duket shënja e Birit të njeriut në qiell dhe do të bjerë mbi të gjitha kombet e botës”, sepse kur të shohin akuzuesin do të kuptojnë mëkatat e tyre.  Dhe pse çuditesh që do të vijë me Kryqin?  Ashtu si veproi në rastin e Apostollit Thoma, që duke dashur t’a ndreqë për pabesimin e tij duke i treguar plagët e peronave dhe i tha “sille dorën tënde dhe ver gishtin tënd dhe shih se trupi im nuk ka më mish e kocka”, që t’i tregonte atij se vërtet u ngjall, kështu pra dhe atëherë do të sjellë me vehte plagët dhe kryqin, që të tregojë se është po Ai që u kryqëzua.  Pra kryqi është prova e mirë, shpëtimtare dhe e sigurt e njeridashjes së Perëndisë.

Si do të ngushëllohemi ndër hidhërimet

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Si do të ngushëllohemi ndër hidhërimet

Predikim i mbajtur nga atëhere arqimandrit at Avgustin Kantioti, para vitit 1967
në Kishën e Shënjtë të Shën Marenës – Iliupoli, Athinë
E diela e Samaritanes, në kuadrin e leximit të Apostullit-Vep.Apost.11:19-30

Të gjithë njerëzit, të dashur besimtarë, qoftë të bardhë, të zinj apo të verdhë, të çfarëdo ngjyre qofshin, kudo që banojnë, të gjithë njerëzit pra kërkojnë vetëm një gjë. Të gjithë pra dëshirojnë me zemër të flaktë, mundohen, djersijnë, dhe luftojnë duke patur synim të veprimeve dhe punëve të tyre një ideal: lumturinë.  Të gjithë dëshirojnë lumturinë, të jenë të lumtur.
Çfarë do të thotë lumturi?  Jetë pa dhimbje, jetë pa lotë, jetë e lumtur. Dhe ndërkohë që kjo është dëshira e gjallë, e pafund, e madhe, e papushim e zemrës njerëzore, ajo – lumturia pra – është si një zog i pakapshëm. Të gjithë e gjuajnë por nuk e zenë dot.

Ku gjendet lumturia?

Le të udhëtojmë mëndërisht në planetin tonë.  Le të marrim udhën për në lindje, perëndim, veri dhe jug.  Vazhdojmë duke udhëtuar mbi majat e larta të maleve me dëborë, më pas zbresim në fushat, në ishujt, në shkretëtirë, kudo ku jeton njeriu, qoftë në tokë apo në det, akoma dhe lart në distancat e largëta ajrore ku njeriu fluturon me anije kozmike.
Le të shkojmë pra të takojmë njeriun, i cili me zemër të flaktë kërkon të realizojë idealin e lumturisë së tij.  Le t’i afrohemi pra dhe t’a pyesim e të shohim nëse është i lumtur?
Hyj në një barakë dhe shoh atje një njeri.  “Kam uri” më thotë.  Dal nga baraka dhe hyj në një pallat, hyj në shtëpitë e larta dhe të mëdha të pajisura me të gjitha komoditetet dhe rehatitë e mundshme.  Dhe atje brenda, mbi një krevat shoh një njeri të sëmurë të pështyjë gjak në një legen të florinjtë.  Më thotë “Jam i sëmurë.  Akoma dhe këtë pallat e shes vetëm të gjej shëndetin tim.  Preferoj të banoj në një çadër endacaku sesa të vuaj nga kjo sëmundje”.
I le pas shtëpitë përdhese, i le pas pallatet dhe has në rrugë dikë që më thotë “Jam i mërzitur dhe i shqetësuar.  Shtëpi nuk ngrita, familje nuk kam, jam krejt vetë, kërkoj dikë të më bëjë shoqëri, ndjehem tepër fatkeq”.
Pak më poshtë takoj dikë që është i martuar dhe e pyes: ndjehesh i lumtur?
Më përgjigjet: “Mallkuar qoftë dita që u martova. Më është bërë jeta ferr…”.
Më pas takoj një çift, burrë e grua pa fëmijë, që rënkojnë.  Rendin poshtë e lart nëpër doktorë dhe nëpër Kisha.  Iu luten të gjithë shënjtorëve.  Dhe meqënëse nuk bëjnë dot fëmijë e konsiderojnë veten e tyre tepër fatkeq.
Pak më poshtë takoj dikë tjetër që ka fëmijë.  I mërzitur e i shqetësuar, qan dhe rënkon, sepse fëmijët e tij çdo ditë i shkaktojnë hidhërim.
Ku të shkoj, ku të vazhdoj më tutje?  Të hyj brenda nëpër fabrikat dhe ndërmarjet ku psherëtijnë punëtorët?  Të hyj nëpër anijet ku vuajnë detarët?  Të shkoj nëpër spitalet, ku rënkojnë të sëmurët?  Ku doni të shkoj më tutje?
Kudo që të shkoj, këdo që të takoj, qoftë me një tufë të hollash apo diploma në dorë, qoftë i varfër dhe analfabet, qoftë burrë apo grua, qoftë fëmijë apo i moshuar me thinjë, qoftë me kurorë mbretërore apo në mes të katër rrugëve – kudo pra që të shkoj do të has një fatkeqësi të papërshkrueshme, do të has dhimbje dhe hidhërim të padurueshëm.

Ja një i lumtur!

Tregojnë për një mbret, i cili kërkonte lumturinë dhe nuk e gjente dot.  I tha dikujt që e kishte nën mbrojtjen e tij: “Unë, edhe pse jam i zhytur në kamje e pasuri nuk jam fare i lumtur. Do të shkosh kudo në gjithë mbretërinë time, nëpër fshatra e qytete.  Në qoftë se gjen ndonjë njeri që është i lumtur, do t’ia marrësh këmishën dhe do m’a sjellësh këtu në pallat”.
Përshkon pra i dërguari i mbretit fshatra e qytete, takohet me të gjithë, por nga goja e askujt nuk dëgjoi fjalën “lumturi”.  Nuk gjeti askënd që të ishte absolutisht i lumtur.  Kudo vetëm ankesa dëgjoi.  Vetëm diku, në një shtëpi përdhese, gjeti dikë që i tha se ndjehet i lumtur.
Kërcen nga gëzimi i dërguari i mbretitu duke thënë:
-Lavdi ty o Zot! Më jep këmishën tënde.
-Nuk kam këmishë, i përgjigjet i varfëri.
Mezi u gjënd një njeri në tërë mbretërinë që të jetë i lumtur por ai nuk ka këmishë.  Çfarë gjëra të çuditëshme ka kjo jetë!  Lakuriq dhe i lumtur, të tjerët të veshur me tajerë dhe kostume nga më të shtrenjtat por tepër fatkeqë.  I varfër por i lumtur, i pasur por fatzi.  Gjëra të çuditëshme nuk janë këto?
Lumturia pra dëshirohet dhe kërkohet nga të gjithë.  E dëshirojnë të gjithë kudo që gjenden në botë.  Por edhe pse nuk lenë vrimë pa e kërkuar nuk e gjejnë dot.  Hidhërimi dhe fatkeqësia janë shokët e tyre të pandarë.
Pikërisht për këtë arësye, të dashurit e mij, dhe ne do të flasim për hidhërimet.

Askush nuk përjashtohet

Mos mendoni që hidhërimet janë dënim vetëm për mëkatarët.  Jo.  Nga hidhërimi nuk përjashtohen akoma dhe shënjtorët.  Mund të arrish të bëhesh i shënjtë dhe çudibërës, por hidhërimi do të të bëjë gjithmonë të ndjesh dhimbje, hidhërimi pra gjithnjë do të cëmbithë shpirtin tënd.  Provë dhe vërtetim për këtë që po them është jeta e Apostojve dhe të Krishterëve të parë, të atyre njerëzve të shënjtë, të cilët për shkak të përndjekjeve rronin gjithnjë me vendimin e vdekjes mbi kokat e tyre.  Lexoni se çfarë thonë Veprat e Apostojve: “Ata që u shpërndanë nga përndjekjet që u bënë për Stefanin shkuan deri në Finikë, në Qyro dhe Antiohi, dhe asnjeriu nuk i flisnin veçse Judhenjve” (Vep.Apost. 11:19).
“Të përndarë nga ndjekjet…”.  Në hidhërim pra ishin edhe ata apostuj.  Çfarë hidhërimi?  Në Jerusalem, Ebrenjtë pasi kryqëzuan Krishtin, Mësonjësin Hyjnor,  me perona mbi dru, këta armiq të së vërtetës nuk e pushuan luftën e tyre edhe ndaj nxënësve të tij të vërtetë.  Vazhduan të përndjekin edhe apostojtë.  Disa i kapnin dhe i burgosnin, disa i kapnin dhe i tiranizonin, disave iu prisnin kokat, të tjerët i kryqëzonin, të tjerëve u vinin zjarr në banesat e tyre, të tjerëve iu mernin gjithçka kishin e nuk kishin.  Për këtë arësye pra, ata pak të Krishterë që gjendeshin atje, nga presioni u detyruan të largoheshin prej Jerusalemit.
Thotë gjithashtu apostoll Llukai (që shkroi Veprat e Apostojve), që në ato ditë u shfaq një profet i cili parashikoi që do të bëhej një zi e madhe buke në botë, dhe njerëzit do të vuanin.  Dhe vërtet zija e bukës ndodhi.  Dhe për këtë arësye të Krishterët e Jerusalemit hoqën shumë dhe kishin nevojë për ndihmë (Vep.Apost. 11:27-30).
Hidhërime pra për shkak të përndjekjeve, hidhërime për shkak të zisë së bukës dhe deprivimit nga gjërat më të domosdoshme.

Hidhërimi është i dobishëm

Hidhërimi pra, e shoqëron njeriun kudo dhe përherë.  Por do t’ju them diçka të çuditëshme, diçka që është mister dhe që del nga Ungjilli i Shënjtë, del nga historia, del nga vetë jeta jonë, nga jeta e çdo njeriu, dhe këtë e konstatojmë nëse e shohim këtë gjë me vëmendje.  Çfarë është kjo gjë e çuditëshme?
Hidhërimi përveç të tjerave përmban dhe diçka të mirë.  Hidhërimi fsheh përbrenda dhe dobira dhe përfitime të Perëndisë.
-Ç’është kjo që n’a thua atë, është e mundur që hidhërimi, dhimbja dhe lotët t’i ofrojnë njeriut ndonjë gjë të mirë?
Po, të dashurit e mij.  Me gjithë dhimbjen, lotët dhe rënkimet që ndjejmë brenda hidhërimit Perëndia fsheh dhe diçka të mirë dhe të dobishme.
Doni shembuj?  Të panumërt janë shembujt që do të mund të përmendja.

E bekuar është varfëria

E keqe është varfëria, shumë e keqe skamja.  Kush mund të thotë se është e mirë?  Kush mund të thotë që kur njeru punëtor, gjithë ditën vërtitet pshtë e lart duke kërkuar punë dhe nuk gjen dot, dhe në mbrëmje kthehet në shtëpi me duar bosh dhe nuk ka as bukë t’iu japë fëmijëve të tij të ciët i bërtasin “kemi uri”, kush pra mund të thotë që varfëria është diçka e mirë dhe e kënaqëshme?
E megjithëatë vëllzërit e mij, ka raste kur në shtëpitë e mëdha, me të cilat mahnitemi dhe i kemi zili, shtëpi që ashtu siç thamë më sipër janë të pajisura me të gjitha komoditetet dhe lehtësitë e fjalës së fundit të teknologjisë, dhe nuk iu mungon absolutisht asgjë përsa i përket mobiljeve, kostumeve dhe veshjeve, shtëpi që kanë brenda kinema e theatro, pishina e jahte private me të cilat udhëtojnë lart e poshtë, ka pra raste që këto shtëpi nuk janë tjetër veçse ferr; ndërsa shtëpitë e vogla dhe të varfëra mund të kenë brenda tyre shumë më tepër gëzim Perëndie.  Po, ka raste pra që kur ka shumë para në një shtëpi ajo prishet e rënohet krejt.
Një i varfër, shumë i varfër, shkonte në të gjitha Kishat dhe i lutej Zotit t’i binte llotaria.  Fitoi llotarinë dhe sapo mësoi që i kishte rënë llotaria u çmënd nga gëzimi, dhe tani gjendet në çmëndinë.  Çfarë të mirë i sollën paratë e shumta?
Dhe në Amerikë, ku jetojnë të pasurit më të mëdhenj të botës, sipas gazetave dhe statistikave më të fundit, ata që kryejnë vetëvrasje, ata që i hedhin trutë në erë, ata që bien nga pallatet e larta dhe gradaçelat, ata që i japin fund të dhunshëm jetës së tyre, nuk janë njerëzit e varfër që punojnë nëpër fabrika.  Nëntëdhjetë për qind (90%) e atyre që kryejnë vetëvrasje janë të pasurit, ata që jetojnë nëpër shtëpitë e mëdha e të pasura, ata që janë të “mëdhenjtë” dhe që kanë dollarët me thasë, ata që kanë në zotërimin e tyre milionat dhe bilionat e botës.
Pra varfëria ka brenda saj diçka mistike.  Ka brenda saj diçka të dobishme nga Perëndia.
Shumë e keqe është varfëria; por kjo lloj varfërie është e bekuar.  Shkoni në Kishë dhe hidhni një sy të shihni kush vjen në Kishë.  Unë si predikues i Fjalës së Zotit shkoj nga kisha në kishë dhe dëshmoj që të shumtit e atyre që vijnë rregullisht në Kishë janë të varfër.  Asnjë nga të pasurit, asnjë nga ata që rrojnë nëpër shtëpi të mëdha dhe kanë jahte private, nuk vjen në Kishë.  Rrallë, shumë rrallë sheh ndonjë prej tyre të vijë në Kishë.  Ndërkohë që Kisha psall hymne të shënjta ata shkojnë nëpër plazhe dhe dëfrejnë poshtë e lart.  Të varfërit punëtorë vijnë në Kishë.  Sepse më e preferuar është të jesh i varfër me Krishtin sesa i pasur por me djallin.
Pra dua të them që ndërsa varfëria, e cila është tepër e keqe dhe protestoj ndaj saj, ka raste që është e bekuar dhe ka brenda në thellësitë e saj një farë lumturie.

Sëmundja del për mirë

E keqe është dhe sëmundja.  Kush thotë që sëmundja është diçka e mirë?  E megjithatë ka raste që edhe sëmundja del për mirë.
-Del për mirë sëmundja?
Po, del për mirë.  E shikon atë njeriun atje?  Nuk i shkel këmba në Kishë.  Ndoshta ka 10 apo 20 e 30 vjet që s’ka erdhur ndonjëherë në Kishë.  Nuk do të dëgjojë priftin.  Vlasfimon të gjithë, Perëndi e Shënjtorë bashkë.  Por vjen momenti dhe shfaqet sëmundja si një predikues i madh, si një nga predikuesit më të mëdhenj në botë.  Dhe më pas sheh atë që rinte larg Kishës, me veshët të vulosura me dyllë, dhe që nuk dëgjonte as kambanat as predikuesit e shënjtë kur thërrisnin për Fjalën e Zotit, të ndryshojë dhe të afrohet në Kishë.  E sheh të zbresë nga kali i lartë ku kishte hipur dhe të përunjet.  Kur ndodhet në karrocë spitali dhe e shpien për të bërë operacion, atëhere… s’ka më ateizëm.  Përpara se t’a operojnë, bie në gjunjë dhe me lotë në sy i lutet Perëndisë dhe thotë: “o Zot, o Shën Mëri, më fal”.
Kështu pra sëmundja del për mirë.  Mund t’ju sjell shumë shembuj.  Ateist hyn në spital por besëtar i flaktë del.  Hyn i pafe’ dhe del i Krishterë.  Hyn korb i zi dhe del pëllumb i bardhë.
Qoftë pra e bekuar sëmundja që n’a sjell afër Zotit.  Qoftë e bekuar çdo peripeci e jetës sonë që n’a bën t’i afrohemi Perëndisë.  Sepse kur kemi shëndet dhe çdo gjë n’a shkon vaj nuk e mendojmë Perëndinë; atëherë ndodhemi larg Perëndisë.

Nga bodrumi në fron

E keqe varfëria, por n’a sjell afër Perëndisë.  E keqe sëmundja, por dhe nga ajo përfitojmë.  Të këqia janë edhe peripecitë e ndryshme të jetës sonë, sidomos shpifja dhe intriga.  Lexoni në Dhjatën e Vjetër (Gjeneza 39:41) për shpifjen që bëri zonja e pasur.  Shpifi për Josifin.  Të gjithë i besuan shpifjet kundër të pafajshmit.  E rrëmbyen dhe e plasën në bodrum.
Por ç’ndodhi atje brenda në  bodrum?  Misteret e Perëndisë janë të mëdha. Brenda burgut Josifi, viktimë e shpifjeve të paturpshme të një zonje të paskrupullt, takoi dikë që kishte lidhje me pallatin e faraoit.  Ky njeri, kur doli nga burgu, pa një ditë mbretin të qajë – në këtë botë qajnë edhe mbretërit.  Kur e pa mbretin ashtu të shqetësuar dhe të turbulluar për shkak të një ëndre që kishte parë të cilën nuk mund t’a interpretonte dot i thotë:
-Mbret dhe madhëri, mos u shqetëso.  Brenda në burg është një njeri i shënjtë.  Ai është i vetmi njeri që mund të interpretojë ëndrën e cila të shqetësoi natën e kaluar dhe të të ngushëllojë.
Kështu Josifi nga bodrumet arriti deri në oborrin mbretëror.  Nëse nuk do të kishte hyrë në burg Josifi nuk do të kishte arritur në këtë vend të lartë.  E mori dora e Perëndisë dhe e ngriti në gradat e larta, e vuri në fron dhe e bëri mbret.
Çfarë mistere fsheh kjo jetë!  Dora e Perëndisë ndjehet në krevatin e dhimbjes. Dora e Perëndisë shtrihet deri në shtëpitë përdhese, shtrihet dhe arrin deri në varfërinë dhe dhimbjen e çdo njeriu.  Dora e Perëndisë është dhe sipër të pafajshmëve që dergjen burgjeve.  Kudo shrihet dora e Perëndisë.

Mos u nxito

E keqe varfëria, por të çon tek Perëndia.  E keqe sëmundja por del për mirë.  E keqe shpifja dhe intriga, por nëpërmjet tyre shkëlqen virtyti.
Atëhere, kudo pra, nga të gjitha të këqijat mund të dalë një e mirë!  Çfarë mistere që ka kjo jetë!  Diçka që ne e konsiderojmë fatkeqësi të madhe del si përfundim, një përfitim i madh.
Shkruanin gazetat, që në Kairo të Egjiptit, një i krishterë rendte si i çmëndur dhe kërkonte, në minutën e fundit, të priste një biletë aeroplani për të shkuar në një qytet tjetër; ishte tregëtar dhe kishte një çështje urgjente.
Por dokumentat e tij nuk ishin në rregull.  Bileta nuk mund të pritej.  Rendte gjithë ditën andej-këtej.  Lutej nga njëra zyrë në tjetra, bënte presion, por më së fundi nuk ia arriti dot qëllimit të tij.  Aeroplani iku dhe ai mbeti atje.  U shqetësua tepër.
Pas pak kohe, pas ndonjë ore, ai që ishte aq i shqetësuar dhe sa nuk pëlciste nga e keqia dhe ishte gati të shante të gjithë sepse i nxorrën pengesa për udhëtimin e tij dhe nuk mundi të mbaronte dot punë, ai pra çfarë bën?  Hyn në një Kishë dhe me lotë gëzimi dhe mirënjohje falenderon Krishtin.
Si ndryshoi kështu?  Ajo që ai e konsideronte të keqe i doli e mirë.  Aeroplani me të cilin do të udhëtonte ai, kur ndodhej në lartësi pësoi një anomali dhe u rrëzua duke u bërë copë e thërrime.  Nuk shpëtoi asnjë nga të 120 pasagjerët.
Shpëtoi nga një vdekje e sigurtë, ai që kaq shumë kërkonte të udhëtonte.
Mos u nxito pra!  Shpesh herë nxitimi shkakton të keqe.  Shumë herë, pengesat që shfaqen në jetën tonë, dalin për të mirën tonë.  Nuk vijnë nga njerëzit, por nga Perëndia që dëshiron të të mbrojë nga diçka e keqe.
Sigurisht që ateistët nuk ua venë veshin këtyre gjërave.  Dhe kur i lexojnë mërziten dhe i flakin tutje.  Por këto që po themi këtu janë të nxjerra nga vetë historia, nga vetë Shkrimi i Shënjtë, nga vetë jeta dhe eksperienca njerëzore.

Dashamirësia e Perëndisë

Kam edhe një ndodhi tjetër për t’ju treguar, e cila ndodhi gjatë kohës që Perëndia më vlerësoi të shërbej si prift ushtarak.
Atje pra në vijën e zjarrit, sipër në një kodër ku luftonim për atdhe’ – sipër në malet e larta, një natë kishim ngritur një çadër.  Që herët në mëngjes pa lindur dielli, togeri hipi në majë të kodrës dhe pasi iu afrua çadrës filloi të thërriste një ushtar me emër.
-Jorgo!, i thërriti, dil pak se të dua për diçka.
U mërzit ushtari sepse e ngriti nga gjumi i ëmbël.  I mërzitur thotë:
-Prapë mua më thërret për angari?…
E nxorri pra nga çadra dhe shpejt e shpejt e dërgoi diku tjetër ku ishte nevoja.  Nuk kaluan as disa minuta dhe në vendin ekzakt ku po flinte ushtari bie një bombë dhe hap një vrimë të madhe.
Shpëtoi ushtari nga vdekja e sigurt.  Ndaj këtë gjë e konsideroi si dashamirësi nga Perëndia.
Ajo pra, që disa do t’a konsideronin thjesht një koniçidencë të rastit, ishte me të vërtetë dashamirësia e Perëndisë për t’a shpëtuar.

Ëmbëlsi nga hidhërimi

Shumë gjëra të hidhura ndodhin në këtë botë.  Por njeriu duhet të ketë sy dhe veshë që të shohë sinjalet dhe të perceptojë mesazhet që vijnë nga hidhërimet.  Pastë në zemrën e tij mendimin e urtë që shumë herë në jetën e tij hidhërimet sjellin rezultate të mira dhe përfituese.
Edhe atëherë ne Jerusalem, kur i zbuan dhe persekutuan të krishterët e viteve të para, doli një rezultat i mirë.  Shumë të krishterë, kur Romakët rrethuan dhe shkatërruan qytetin, nuk gjendeshin atje sepse kishin ikur për shkak të përndjekjeve, dhe në këtë mënyrë i shpëtuan rrezikut.
Nga kjo nxjerrim si mësim që njeriu nuk duhet të mërzitet tepër nga hidhërimet.  Por të ketë gjithmonë besë të patundur tek Perëndia që t’iu bëjë ballë hidhërimeve.
Është fakt, të dashurit e mij, që Perëndia nga hidhërimi nxjerr ëmbëlsi.  Ashtu si nga bajgat rritet trëndafili, kështu dhe nga ngjarjet e hidhura të jetës njerëzore vijnë rrjedhoja të gëzueshme dhe nga të cilat përfitojmë shumë.
Të gjithë ju që gjendeni në dhimbje, të gjithë ju që kini shqetësime dhe hidhërime, ju rekomandoj të lexoni Shkrimin e Shënjtë.
Hidhini në zjarr dhe digjini ato të shkreta gazeta që mbani nëpër duar dhe i thëthini ato që shkruajnë.  Si një i babëzitur që e ha peshkun me gjithë hala, kështu i lexojnë sot njerëzit gazetat dhe revistat që nuk shkruajnë asnjë gjë mbresëlënëse, por janë plot gjëra të kota, plot turpe dhe gjëra që nuk thuhen dot.
E humbin kohën kot njerëzia.  Kalojnë kot orë të tëra duke i lexuar.  E zgjatin veshin nëpër radiot të dëgjojnë gënjeshtrat dhe marrëzitë e botës.
O njeri, mbylli ato radio dhe grisi ato revista.  Dil nga shtëpia të Djelë dhe shko në Kishë.  Merr në duart e tua Ungjillin e Shënjtë.  Hape Shkrimin e Shënjtë dhe do të lexosh atje një histori që nuk e gjen dot askund tjetër.  Duke e lexuar studioe, studioe me kujdes një herë, dy apo tri herë, dhe sado fatkeq që të ndjehesh, sado i mërzitur dhe i shqetësuar që të jesh, do të ndjesh brenda teje një freski, si ajo freskia që ndjen kur fryn flladi i Qershorit.  Do të ndjesh ballsam në zemrën tënde.
Asgjë tjetër nuk mund të të ngushëllojë në këtë botë veçse Fjala e Perëndisë.
Kush është pra një nga historitë e Shkrimit të Shënjët?

Historia e Jovit

Është historia e Jovit.  Lexoe Jovin!  Çfarë i ndodhi Jovit? Brenda një ore i ndodhën njëmijë të këqia.  E gjithë pasuria e tij u shkatërrua.  Kusarët e plaçkitën dhe i vodhën kopetë me kafshët e tij, qe’ dhe gamile.  Ra rufeja dhe ia dogji të gjitha dhentë.  Ra tërmet dhe iu bë shtëpia pluhur.  Të gjithë fëmijët që kishte i vdiqën në gërmadhat e shtëpisë që ra nga tërmeti.  Dhe në fund atij vetë i ra lepra.  Trupi iu mbush gjithë puçra.  Mori qyramidhe dhe i kruante plagët.  Tërë natën nuk mund të flinte për shkak të dhimbjeve, dhe rinte zgjuar tërë natën.  Rronte mbi bajga.  Dhe në gjithë këto vojtje nuk gjeti përkrahje apo ndihmë nga askush.  Tre shokë të tij që erdhën nga larg t’a vizitonin dhe t’a ngushëllonin jo vetëm që nuk e ngushëlluan por e hidhëruan akoma më shumë.  Akoma dhe gruaja e tij, e cila gjendej pranë tij për vite të tëra, shoqja e jetës së tij prej së cilës ai priste ngushëllim dhe përkrahje, kur e pa më ditë të hallit i tha: Si rron akoma? Vllasfimoe Zotin dhe vdis atje ku je që të shpëtosh (Iov.2:9).
Por ai, në gjithë këto dhimbje dhe hidhërime, që s’kishte as fëmijët pranë, as shtëpi e pasuri, as shokë, as shëndet, në këtë moment kulminant të hidhërimeve dhe dhimbjeve, i shkretë dhe i braktisur, hapi gojën dhe i tha gruas së tij: Pse fole si një grua e pamënd?  Të mirat i pranuam nga dora e Perëndisë?  Të këqiat pra nuk do t’i pranojmë? (Iov.2:10).  Dhe në fund të vojtjeve të tij tha disa fjalë të paharruara: “Emri i Zotit qoftë i bekuar që tani e gjer në jetët” (Iov1:21).
Që atëherë kaluan 3000 vjet vëllezër të dashur.  Dhe ato fjalë që tha Jovi kur gjendej mbi bajga, i braktisur, i shkretë dhe fatkeq, mbetën të pavdekshme.  Këto fjalë të tij dëgjohen çdo herë që kryhet Liturgjia Hyjnore, dëgjohen çdo herë që prifti kryen Eukaristin Hyjnor.  Por kush ka veshë t’i dëgjojë dhe kush ka vëmëndje t’iu kushtojë?  Duke qënë prezent në Kishë gjatë orës së shënjtë të Liturgjisë, njëri hap gojën, tjetri shikon orën, tjetri pyet kur do mbarojë kisha…  E megjithatë këto fjalë janë fjalë të florinjta.  Nuk ka peshore që të mund t’i peshojë, janë fjalë të frymëzuara nga Perëndia.  Këto fjalë që tha Jovi dhe që dëgjohen në fund të çdo Liturgjie Hyjnore, janë ngushëllim dhe ilaç shpirti për çdo njeri që vuan dhe që është në hidhërim. “Emri i Zotit qoftë i bekuar që tani e gjer në jetët”, dmth, qoftë i bekuar dhe i lavdëruar ermri i Perëndisë tani e përherë e në jetë të jetëve.

Këto fjalë të Jovit duhet të themi edhe ne.  T’i themi si në gëzim ashtu dhe në hidhërim.  T’i themi si në shëndet ashtu dhe në sëmundje.  T’i themi si në jetë ashtu dhe në vdekje.  T’i themi si në pasuri e kamje ashtu dhe në varfëri e skamje, t’i themi në çdo vështirësi që të gjendemi.  Në çdo moment dhe kudo që të ndodhemi.  Edhe kur ai zogu i zi, korbi i vdekjes, fluturon mbi shtëpinë tonë që të n’a marrë të dashurit tanë, edhe kur bien këmbanat e zisë, akoma edhe kur afron fundi i botës dhe dridhet dhe tundet dheu dhe gjithçka mbi të, mos kij frikë, nuk je vetë.  Ka Zot. Ka Atë Qiellor. Është Trinia e Tërëshenjtë.  Është Ai që të do dhe i dhimbsesh, dhe përkujdeset për ty.
Më thoni pra, ka ngushëllim më të madh se ky ndër hidhërime?!
Le t’a lavdërojmë dhe le t’a bekojmë Atë pra, Zotin dhe Perëndinë tonë.  Dhe qoftë i bekuar, tri herë i bekuar, përjetë i bekuar dhe në jetë të jetëve. Amin.

Shërimi i Dhimbjes
(Predikim nga amvoni i Kishës së Shën Kostandinit dhe Elenës
në Amindeo, të Premten e Madhe të vitit 1976)

“Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”
(Pas Ioanit 16:33)

KËTO FJALË, të dashurit e mij, ishin fjalët përshëndoshëse që tha Zoti kur mbaroi Darka Mistike.  Toni i zërit të Krishtit është melankolik.  Pasi të iki unë, do të kini shumë hidhërime në këtë botë, por mos kini frikë, unë e munda botën.
Dhe me të vërtetë, nëse dikush vojti më shumë se çdo njeri tjetër, aq sa mund të quhet njeri i vojtjeve, dhimbjeve dhe hidhërimeve, ky është Biri i Virgjëreshës, Zoti ynë i Kryqëzuar. Dhe sado që vojti nuk u mund nga dhimbjet dhe hidhërimet, por thotë: kini kurajo dhe guxim, unë e munda botën.

Mbreti ynë në dhimbje

Jeta e Birit të Njeriut, që nga dita që lindi si njeri në stallë dhe deri në momentin që tha fjalët e fundit “Mbaroi” mbi kryq, ishte e brumosur me lotë, me dhimbje dhe hidhërim.  Hidhni një sy, të dashur, hidhni një sy mbi të Kryqëzuarin.
Kur erdhi në këtë botë, pasi u lind në një shpellë të qelbur, e vuri Nëna e Tij e Shënjtë në një grazhd kuajsh.  Akoma foshnjë dhe u dënua nga Irodhi, dhe kështu u detyrua të ikë si i persekutuar në Egjipt. Jetoi si më i varfëri nga të gjithë njerëzit.  U përbuz nga klasat e larta të shoqërisë.  U quajt i biri i një marangozi.  U sha sa askush tjetër në botë, thanë fjalë shpifëse kundër tij sa për askënd tjetër në botë.  Ai që ishte i papërlyer u quajt “shok i tagrambledhësve dhe mëkatarëve”.  Ai që e deshi popullin e tij sa askush tjetër në botë, dhe Ai që përqafoi ata që ishin në dhimbje dhe që përbuzeshin u quajt mashtrues i popullit, kryengritës, demagog, gënjeshtar dhe kokëshkretë.  Ai që ishte Mbreti i Ëngjëjve, u quajt prej farisenjve – o Perëndi më ndje’ – u quajt i demonizuar.  Ai, mëndja e të cilit është diell që ndriçon tërë botën u quajt nga armiqtë e tij i marë.  Për asnjë njeri tjetër nuk shpifën aq sa shpifën për Krishtin.  Mund t’a imagjinoni dot hidhërimin që ndjente kur dëgjonte gënjeshtrat, mashtrimet, shpifjet dhe shtrembërimet prej armiqve të tij!…
Por nuk ishin këto të vetmet hidhërime që hoqi Krishti.  Kishte dhe më të këqia akoma.  Këto të fundit vinin nga rrethi i nxënësve të tij.  Njëri e shiti për 30 argjënde.  Tjetri, më i flakti, Petroja e mohoi përpara një shërbëtoreje, dhe bile me betim e stërbetim duke thënë “nuk e njoh këtë njeri”.  Dhe në fund, në çastin kur e zunë u larguan të gjithë dhe mbeti vetëm, vetëm sa më s’bëhet, atje mbi shkëmbin e Golgothasë, mbeti vetëm Biri i Virgjëreshës.

Pësoi për ne

Krishti i pësoi të gjitha këto jo për mëkatat apo krimet e veta.  E rrëfeu publikisht dhe Pillati, që ky njeri është i pafajshëm, nuk gjej dot asnjë gabim tek ai.  Krishti pësoi për mëkatat tona.
Tetë shekuj më parë e parëtha profiti Isaia: “ky ngre mëkatat tona dhe për ne dorëzohet në duar armiqsh”. Të njëjtën gjë parëtha dhe Shën Joan Prodhromi, kur në breg të Jordhanit dëshmonte për Krishtin duke thënë “Ja qengji i Perëndisë që ngre mëkatin e botës”.  Pësoi për ne Krishti.  Ofroi jetën e tij si “shpërblim” dhe veten e tij “theror” për gjithë njerëzimin.  Sakrifica e tij është e vetme në botë.  Është aq e madhe sa prek dhe yjet e qiellit.
Pra, kur i pamëkatëshmi pësoi dhe u kryqëzua, përse ju duket e çuditëshme kur neve vuajmë?  Ashtu siç tha dhe vetë Krishti, bota i vuri zjarr drurit të njomë, që me vështirësi digjet; e përbuzi pra, e poshtëroi, e torturoi dhe e kryqëzoi të pamëkatëshmin Bir të Perëndisë, i cili jo vetëm që s’kishte faj për asgjë por iu bëri mirë të gjithëve.  Çfarë pra presim të n’a bëjë ne mjeranëve dhe mëkatarëve, që jemi përgjegjës për gjithë ato krime, që jemi degë të thata dhe pemë pa fruta, që nuk kemi asnjë forcë jetësore dhe digjemi menjëherë? Bota që dogji drurin e njomë, akoma më tepër do të djegë degët e thata, do djegë mëkatarët.

Shembull durimi

Vojti Krishti. Dhe me durimin e tij u bë shembull durimi për të gjithë njerëzit.  Sepse s’ka asnjeri që të mos provojë dhimbje, dhe të mos heqë hidhërime të vogla apo të mëdha.  Iovi i shumë-mjerë thotë “zogjtë u lindën të fluturojnë lart, dhe njeriu u lind që të notojë në dhimbje”.   Shekulli që jetojmë është shekull dhimbjesh dhe hidhërimesh të mëdha.
O ju që kini dhimbje të fshehta, plagë të fshehta, qoftë nga njerëzit tuaj apo të huajt, mos ia ndani sytë të Kryqëzuarit, prototipit të durimit, dhe merrni guxim dhe kurajo. “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”. O jetimë që vuani, ju që nuk keni nënë e babë, hidhni sytë mbi të Kryqëzuarin i Cili ju thërret nga Kryqi: “Kurajo, mos u tronditni!” O vejusha, ju që pitë kupën e hidhur të vejërisë dëgjoni të Kryqëzuarin që ju flet “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”. Baballarë të varfër, që përpiqeni që nga mëngjesi deri në darkë të nxirrni një copë bukë, kini kurajo, i Kryqëzuari ju bekon së lartazi.  O ju gra, o ju nëna që u braktisët prej bashkëshortëve tuaj dhe tani mbetët vetëm në këtë botë, kini kurajo.  O ju të sëmurë që rënkoni mbi krevat, duke qënë krevati kryqi i Golgothasë suaj, dëgjoni Krishtin që ju thotë: “Kini zemër; unë e munda botën”.
O ju vëllezërit tanë, të papunë, të pastrehë, të burgosur, vëllezër që gjendeni në gjyqe, vëllezërit tanë që gjendeni rrugëve të kurbetit, dëgjoni fjalët e Krishtit që ju drejton juve sot “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”.
Këto fjalë ua drejton Krishti të dëshpëruarve të të gjithë shekujve, por në fillim dhe veçanërisht ua drejton bijve të tij të zgjedhur.  Nuk janë vetëm bijtë e natës së errët, nuk ka vetëm shkronjës dhe farisenj, nuk ka vetëm vlasfimtarë dhe shtrembësira të shoqërisë, janë dhe bijtë e zgjedhur të të Kryqëzuarit, bijtë e zgjedhur të dritës.
Ndaj dhe unë iu drejtohem grave, burrave dhe fëmijëve që kanë besë të patundur tek Jisu Krishti dhe ju them:

Kush duron fiton

O bij dhe bija të zgjedhur të të Kryqëzuarit, grigjë e shënjtë burrash, grash mirofore dhe fëmijë, që guxoni në këtë shekull ateizmi të bëni kryqin, të flisni për Krishtin dhe t’i rezistoni rrymës së mëkatit dhe që shkoni kondra me dëshirat e paturp të botës, juve veçanërisht ju drejtohet fjala e Zotit që thotë “Në botë do të kini shtrëngim; por kini zemër se unë e kam mundur botën”.
Do vuani, bota do t’ju kryqëzojë.  Por kini zemër dhe kurajo.  Fitorja e fundit nuk iu përket të poshtërve, as të korruptuarve, as ateistëve dhe materialistëve.  Fitorja është e të Kryqëzuarit.  “Kini zemër se unë e munda botën”. Sa më afër të Kryqëzuarit të jini, sa më shumë të përpiqeni të jetoni sipas fjalëve të Krishtit, sa më shumë të përpiqeni të zbatoni porositë e kulluara të Tij, sa më shumë të përpiqeni t’i ngjani Atij, aq më shumë do kini hidhërim.
Pranë Kryqit të të Kryqëzuarit do të ngrihet dhe kryqi tuaj, së bashku me një shumicë kryqesh të tjerë.  Por, “kini zemër se unë e munda botën”. Fitorja është e jona.  Nga lotët do të dalë diçka madhështore.  Dikush tha “Ai që nuk e lagu krevatin e tij me lotë, nuk e njohur Perëndinë”.  Duhet të qajmë, duhet të vuajmë, duhet të kalojmë nëpër furrën e dhimbjeve dhe të hidhërimeve që të pastrohemi.  Ashtu sikundër floriri pastrohet dhe bëhet safi’ në zjarr kështu dhe shpirtet e të zgjedhurve ndritin dhe llamburitin nga hidhërimet.
Shkolla më e lartë e botës është universiteti i dhimbjeve dhe hidhërimeve.  Ata që kaluan nëpër furrën e nxehtë të dhimbjeve dhe hidhërimeve, ata që u dergjën burgjeve, ata që vuajtën nga shpifjet e botës, ata që u plagosën prej botës dhe qanë, vetëm këta e njohën thellësinë e jetës njerëzore.  Dhe Krishti është shembulli dhe prototipi i tyre.  Tek Ai i hedhin sytë, prej Tij marrin forcë, fuqi dhe durim.
Mjekësia arriti të nxjerrë ilaç shpëtues nga helmi i kobrës, nga ky gjarpër i hidhur farmaq.  Po kështu dhe besa tek Kryqi nxjerr ilaçin shpëtimtar prej hidhërimeve, nxjerr ëmbëlsi nga hidhërimi.
Kini zemër pra, ju bij e bija të hidhërimeve të mëdha.  Nuk jemi jetimë, të vobegët dhe në mes të katër rrugëve.  Është me ne Krishti.  Bashkë me Të do të ngjitim një nga një shkallët e Gollgothasë, që të arrijmë në lartësitë ku n’a thërret Ai.

Përktheu nga Greqishtja

Aleksandër Filip
16 Tetor, 2007 – Kryeqindësi Longjin

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe shpirti Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë Orthodhokse të Krishtit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të flaktë të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

SHNDERRIMI I APOSTOJVE

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

SHNDERRIMI I APOSTOJVE

Dikur, te dashur lexues, jetonin disa njerez te varfer, te rreckosur, por me seder dhe punetore.  Ishin peshkatare.  Jetonin ne nje zone qe ishte afer nje liqeni magjepses.  Jetonin gjate bregut te liqenit Gjenisaret.  Keta njerez ngriheshin naten, shkonin ne varkat e tyre, vozitnin ne liqen, hidhnin rrjetat e tyre, prisnin lindjen e diellit, dhe ato c’ka kishin zene ne rrjetat e tyre e shisnin; dhe keshtu me djersen e ballit siguronin buken e gojes dhe mbanin familjet e tyre.  Keshtu i kalonin ditet peshkataret e varfer te Galilese.

Admirues Entusiazte

Por nje dite ndodhi dicka qe u be shkak qe ata te ndryshonin menyren e jeteses se tyre.  Nje Mesonjes u shfaq ne vendin e tyre.  O, cfare Mesonjes! Ai nuk ngjiste me mesuesit e tjere.  Dallonte shume nga te tjeret.  Fjalet e Tij permbanin nje urtesi qe nuk ishte degjuar kurre me pare.  Dhe fjalet e Tij thuheshin me kaq dashuri dhe embelsi sa mendonje se nga goja e Mesonjesit rridhte mjalte i embel.  Mesimet e Tij terhiqnin dhe magjepsin shpirtet e thjeshta.  Ky Mesonjes ishte Jisu Krishti.

Krishti ne ditet e para te veprimtarise se Tij ne popull shkoi ne buze te liqenit te bukur, dhe u jepte mesime peshkatareve te thjeshte.  Dhe ata, sapo e degjuan, ndjene zemren e tyre te mbushet me gezim dhe defrim.  Krishti therriti disa prej tyre prane Tij.  I therriti qe te behen nxenes dhe apostoj te Tij.  Dhe peshkataret pa as me te voglin hezitim, i lane the gjitha, lane varkat dhe rrjetat, lane shoqerine dhe te afermit, lane prinder dhe bashkeshorte dhe gjithcka tjeter te dashur ne bote, dhe i shkuan pas Krishtit.  Prane Krishtit, duke degjuar mesimet e Tij hyjnore dhe duke pare cudite e Tij te shkelqyera, ndjeheshin te lumtur.  Admirimi i tyre ndaj Krishtit, rritej cdo dite e me shume.  Apostojte pra kishin besuar se Jisui ishte Mesia, i cili do te shpetonte popullin e Israelit.
Por si e konceptonin ata shpetimin?!  Nuk e konceptonin ashtu si Krishti, pra shpetim nga Djalli, nga mekati, nga mashtrimi dhe genjeshtra.  Apostojte kishin fantazine se Krishti, me fuqine e tij te paaneshme qe kishte, do te luftonte dhe do te fitonte kunder Romakeve qe kishin pushtuar token e tyre, dhe do te themelonte perseri mbreterine e Israelit, dhe kjo mbreteri do te ishte me e madhja dhe me e fuqishmja ne bote.  E mendonin Krishtin si nje mbret te dheshem, me i larte se Davidi dhe Solomoni.  Dhe benin fjale midis tyre, kush do te merrte vendin me te larte afer Krishtit.

Zhgenjim dhe frike

Gjate gjithe kesaj kohe, apostojte jetonin me shpresen dhe vizionin e Krishtit Mbret.  Por kur Krishti u arrestua prej armiqve te tij pa as me te voglin kundershtim, por perkundrazi i la t’a denojne me vdekje ne kryq midis dy kusareve, kur pane poshterimin qe iu be Krishtit, atehere u zhgenjyen dhe thane “Mjerr ne! Shpresonim qe ai do te shpetonte Israelin, dhe tani humben te gjitha shpresat qe kishim..
Frike dhe tmerr pushtoi apostojte.  U frikesuan se mos ndoshta i arrestonin dhe i denonin dhe ata me vdekje ashtu si dhe Krishtin.  U fshehen neper shtepira dhe nuk dilnin perjashta.  Kishin vendosur qe pas ketij zhgenjimi te shpresave te tyre, te ktheheshin perseri ne shtepite dhe rrjetat e tyre.
Ishin gati pra te ktheheshin neper shtepite dhe punen e tyre.  Por papritur ndryshuan!

Shnderrim i papritur

Te deshperuar pak me pare, plot bese dhe shprese tani.  Frikacake pak me pare, trima dhe me kurajo tani.  Lepuj pak me pare, luane tani.  Duke pare kete shnderrim kolosal te apostojve pyes: cfare dhe kush shkaktoi kete shnderrim shpirteror te apostojve?  Pse nuk u kthyen ne rrjetat e peshkimit, por dolen nga vendi ku ishin fshehur dhe filluan te udhetojne poshte e lart neper bote duke predikuar Krishtin?!  Ky shnderrim nuk mund te shpjegohet ndryshe vecse duke pranuar qe dicka shume e madhe kishte ndodhur ne jeten e tyre.  Kjo dicka e madhe pra, kjo dicka mahnitese qe kishte ndodhur dhe kishte shnderruar shpirterisht apostojte ishte fakti qe KRISHTI U NGJALL!
Po, u ngjall Krishti! Ngjalljen e Krishtit e moren vesh ne fillim grate mirofore te cilat kishin shkuar tek varri.  Ato iu sollen apostojve lajmin e gezueshem qe „Krishti u Ngjall“!  Por apostojte nuk besuan ne fillim. Ishin kaq te deshperuar sa mendonin se cdo gje kishte mbaruar dhe nuk kishte me vazhdim.  Dhe ndersa ishin fshehur te frikesuar ne nje shtepi, papritur u shfaq Krishti perpara tyre.  U shfaq midis tyre nderkohe qe „dyert ishin te mbyllura“ (Ioan.20:19,26).  Edhe pse portat ishin te mbyllura Krishti hyri brenda. Si hyri brenda?
Pyesni si hyri brenda Krishti kur dyert ishin te mbyllura? Dhe une po ju pergjigjem me disa pyetje te thjeshta.  Si, duke qene dyert dhe dritaret e mbyllura, hyn dielli ne dhomen tende? Si rrezet Rendken bejne te mundur te shohim gjendjen e brendeshme te trupit tone? Si, duke patur dyert dhe dritaret e shtepise te mbyllura, pamjet, tingujt dhe zerat e personave dhe gjerave te ndryshme, te cilat ndodhen larg, nepermjet televizionit depertojne muret dhe ju i degjoni dhe i shikoni duke qene brenda shtepise? Si?  Ne qofte se ndodhin keto, aq me teper pra eshte e mundur te ndodhin te tjerat, te cilat aktivizohen jo nga krijesa te Perendise, njerezit pra, por nga vete KRIJUESI i botes.
Hyri brenda pra Krishti „duke qene portat e mbyllura“, ashtu sic depertojne rrezet e diellit, rrezet Rendken dhe pamjet televizive.

Vertet u Ngjall

Krishti nuk u shfaq si ndonje fantazme.  Kishte trup te vertete, te cilin jo vetem qe mund t’a shihnin, por dhe t’a preknin nxenesit e Tij.  U ngjall sepse eshte Perendia i Gjithefuqishem.
U Ngjall Krishti. Kjo nuk eshte nje genjeshter.  Eshte fakt, fakti me i rendesishem dhe me i vecante i historise boterore.  Dhe nje prove e fuqishme e Ngjalljes se Krishtit eshte fakti qe Apostojte nga momenti qe pane Krishtin e ngjallur u shnderruan persa i perket botes se tyre te brendeshme shpirterore.  U largua prej tyre deshperimi dhe erdhi tek ata gezimi dhe hareja.  U largua prej tyre frika dhe erdhi tek ata guximi dhe kurajoja.  Lepujt u shnderruan ne luane.  Mjeranet dhe te deshperuarit u bene njerezit me te lumtur te botes. „U gezuan nxenesit duke pare Zotin“ (Ioan. 20:20).
U gezuan pra nxenesit.  Dhe se bashku me Apostojte u gezua dhe Hyjlindesja e Tereshenjte.  U gezuan akoma dhe Engjejt ne qiell.  Por gezohet me Ngjalljen e Krishtit edhe e gjithe natyra, e cila ne pranvere vesh stoline e saj zbukuruese si per feste, qe te festoje Ngjalljen.

Le te gezohemi dhe ne

Kemi besen me te bukur te botes (Orthodhoksine). Kemi fene e vertete, e cila nuk mbeshtetet ne mitologji, por mbeshtetet mbi nje shkemb te pathyeshem – mbi Ngjalljen e Krishtit.  Le te gezohemi pra, vellezer te dashur, sepse nuk jetojme ne mashtrim, por jetojme ne te verteten, ne driten qe shperndan Ngjallja e Krishtit.  Krishti qe u ngjall eshte gezimi i botes.  Krishti u ngjall!  Atij pra, fitimtarit mbi vdekjen dhe kryetarit te jetes, i perket gjithe lavdia, nderimi dhe adhurimi ne jete te jeteve. Amin.

Fragment i shkeputur nga libri i
ish-Mitropolitit te Follorines Avgustin “ΠΑΣΧΑ” – PASHKA

SHËN SOFIA E KOSTANDINOPOJËS – OSE AJIA’ SOFIA’

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

SHËN SOFIA E KOSTANDINOPOJËS – OSE AJIA’ SOFIA’
KISHA MË E MADHE E KRISHTËRIMIT
OSE SIÇ NJIHET NDRYSHE KISHA E URTËSISË SË PERËNDISË

Shkruan ish-Mitropoliti i Follorinës, Greqi
+Episkopi i nderuar Avgustin Kantioti

Përkthyesi ia dedikon autorit me nderim,
respekt të thellë dhe mirënjohje të madhe shpirtërore,
Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

SHEN SOFIA E KONST

Ashtu siç kemi thënë më parë, n ëpër katakombe adhuronin Perëndinë të Krishterët e parë. Kjo gjëndje sundoi për 300 e ca vjet.  Më në fund erdhi Kostandini i Madh.  Pas vizionit që pa në qiell ku iu shfaq Kryqi i Zotit me mbishkrimin “Jisu Krishti Fiton – Isu’s Xristo’s NiKa’ ” besoi tek Krishti dhe dha urdhër menjëherë të përgatitin flamur të ri, i cili të kishte sipër tij një kryq me mbishkrimin “Me Këtë Fiton – En tuto NiKa – Έν τούτω νίκα”.  Me këtë flamur doli në betejën e ashpër që zhvillohej jashtë mureve të Romës dhe i mundi ushtritë e paganëve, dhe më pas menjëhere nxorri urdhërin mbretëror që lejonte të Krishterët të ushtronin lirshëm bindjet dhe detyrat e tyre fetare.  Nuk kaloi shumë kohë dhe Kostandini i Madh zotëroi në Lindje dhe Perëndim dhe u bë monark.  Transferoi kryeqytetin e perandorisë së tij nga Roma në Kostandinopojë, të cilin e quajti Roma e Re, duke lënë pas Romën pagane (Kostandinopojë do të thotë Qyteti i Kostandinit, nga Greqishtja Kostandinu’poli=tou Kostandinu i Poli). Në kryeqytetin e Romës së Re pra Kostandini ngriti një shtyllë të lartë me një kryq të madh në majë i cili ndriçonte dhe spikatej prej së largu.

*****

Të lirë tashmë të Krishterë filluan të ndërtojnë Kisha.  Për ngritjen e Kishave të reja ndihmonte personalisht dhe Kostandini i Madh.  Nëna e tij e shënjtë, Shën Elena, udhëtoi deri në tokën e shënjtë, bëri gërmime dhe kërkime, dhe gjeti Kryqin e Nderuar të Zotit dhe ndërtoi një Kishë tepër madhështore, atë të Ngjalljes, e cila është Kisha që shohim sot në Jerusalem mbi Varrin e Krishtit.
Thuhet që duke udhëtuar nëpër detin Egje’ i zuri një furtunë e madhe dhe anija rrezikohej të përmbytej.  Pas shumë përpjekjesh anija mundi të hedhë spirancën në ishullin e Parosit në detin Egje’.  Atje Shën Elena bëri lutje dhe premtoi (taksi) që nëse udhëtimi shkonte mbarë do të kthehej përsëri në ishull dhe do të ndërtonte një Kishë.  Udhëtimi pra shkoi mbarë dhe e shënjta Eleni ndërtoi Kishën që kishte premtuar; kjo Kishë më pas u rindërtua më e madhe dhe ekziston deri sot; shumë besimtarë shkojnë atje për të admiruar bukurinë e saj.  Kjo Kishë është Kisha e parë në Lindje që ka pagëzimtore të lashtë.  Kjo Kishë pra quhet Kisha e 100 portave, në Greqisht Εκατονταπυλιανή – Ekatondapiliani’ (ekaton = 100, pili=portë/derë).
Por edhe Kostandini i Madh ndërtoi shumë Kisha.  Në qëndër të Kostandinopojës ndërtoi një Kishë të cilën ia kushtoi Providencës Hyjnore – Urtësisë së Perëndisë – Shën Sofia ose Urtësia e Shënjtë e Perëndisë.  Në fillim kjo Kishë nuk ishte shumë e madhe.  Por në këtë Kishë predikoi shumë herë Shën Grigor Theollogu, ashtu si dhe predikuesi më i madh i Krishtërimit, Shën Joan Gojëarti.  Por kur perandoresha e degjeneruar dhe e korruptuar Evdhoksia e internoi Gojëartin, populli u indinjua tepër për këtë veprim si pasojë e të cilit u deprivuan nga Bariu dhe Mësonjësi i mirë dhe i vërtetë, dhe në zemëratë e sipër i vunë zjarr Kishës.
Më vonë u ndërtua mbi këtë Kishë një Kishë shumë më kolosale dhe madhështore, Kisha e Shën Sofisë – ose Urtësisë së Perëndisë.  Këtë Kishë e ndërtoi Perandori i madh, i gjallë dhe tepër aktiv i Bizantit Justiniani.

*****

Le të përshkruajmë tani Kishën kolosale të Shën Sofisë, ose të Providencës Hyjnore.  Vetëm ata që u denjësuan të vizitojnë Kostandinopojën mund të n’a flasin për madhështinë dhe bukurinë e kësaj Kishe.  Por edhe vizitorët nuk mund të përshkruajnë siç duhet këtë Kishë.  Bukuria e saj mposht çdo përshkrim. Është një vepër madhështore.  Sapo kalon portën qëndrore të Kishës përpara teje shfaqet një pamje aq madhështore dhe e bukur sa që është e papërsëritëshme.  Menjëherë pra shfaqet gjithë bota e brëndëshme e Kishës.  Dyshemeja i ngjet një deti prej të cilit dalin plot hijeshi, si direkë të një anije të madhe, 107 kolona madhështore prej mermeri të cilat e ndajnë Kishën në pjesët e saj të ndryshme dhe mbajnë peshën e pjesës së saj të sipërme.  Në qëndër të Kishës ngrihen në formë katrore katër kolona gjigande, dhe sipër këtyre katër kolonave mbështetet një kupolë e mrekullueshme e cila nuk ka të dytë në botë.  Kupola ka 40 dritare të mëdha, dhe kur del dielli dhe ndriçon me rrezet e tij, drita pra e diellit depërton dritaret e kësaj kupole dhe adhuruesi mendon se po sheh një qiell me yje që ndriçon dheun.  Ngjethet mishi i adhuruesit besimtar.  I duket me të vërtet se nuk ec më mbi dhe’ por një forcë e padukshme e merr dhe e ngre lart në qiell.  Dhe pikërisht këtë gjë kishin synim të arrinin arkitektët besëmirë të kësaj Kishe kur e ndërtuan atë.

Por në madhështinë e kësaj Kishe luajnë rolin e tyre edhe zbukurimet e brendëshme plot hir dhe që me një art tepër të veçantë krijuan artistë të famshëm të asaj kohe.  Llamburiste Kisha nga krerët e kolonave, nga argjëndi, nga floriri, nga mozaikët, nga mijërat e kandileve, nga mermerët shumëngjyrësh me të cilat ishin të veshur muret.  Justinianit nuk i erdhi aspak keq për paratë që u hodhën për ngritjen e kësaj Kishe.  E hapi arkën kombëtare dhe shpenzoi shumë para.  Mblodhi mermer të ngjyrave të ndryshme nga e gjithë bota, gurë të çmuar, argjënd dhe flori.  Thirri në shërbim inxhinierë, gurë-gdhëndës dhe zografë, dhe vetë ai, perandori pra, duke veshur rroba pune mbikqyrte punimet. U deshën 5 vjet dhe 10 muaj që të ndërtohej kjo Kishë.  Inagurimi i saj u bë më 27 Dhjetor të vitit 537.  Ceremonia ishte tepër madhështore.  Fytyra e perandorit Justinian ndriste nga gëzimi.  Thuhet që kur hyri brenda në Kishë dhe pa atë madhështi të Kishës, nuk u përmbajt dot dhe thërriti “Të munda Solomon”, dhe me këtë desh të theshte që Kisha e Shën Sofisë ishte shumë më e madhe dhe qëndronte shumë më lart sesa tempulli i Solomonit në Jerusalem.
Në këtë Kishë për 900 vjet e më tepër kryheshin Liturgjitë Hyjnore dhe shërbesat e tjera të shënjta.  Në këtë Kishë meshonin Patrikët Ekumenikë.  Në këtë Kishë kurorëzoheshin perandorët dhe mbretërit dhe psalleshin dhoksologji për fitoret e ushtrive të Perandorisë Bizantine ndaj armiqve barbarë.  Në këtë Kishë vinin për t’u falur besimtarë nga të gjitha anët e botës, vinin për të admiruar këtë kryevepër të artit Bizantin.  Pikërisht në këtë Kishë erdhën përfaqësuesit e carit të Rusisë, kur rusët ishin akoma popull pagan.  Rusët u habitën nga mrekullia që panë.  Iu bëri aq shumë përshtypje sa kur u kthyen tek cari në atdheun e tyre i thanë atij se nuk kishin parë asgjëkundi tjetër mbi dhe’ madhështi dhe bukuri të tillë, dhe se në atë Kishë meshonin Ëngjëj nga qielli dhe jo njerëz, dhe e këshilluan carin që pikërisht këtë besim të Krishtit duhej të zgjidhte edhe populli rus.  Në këtë Kishë të Urtësisë së Perëndisë u bënë agripni dhe paraklise të panumërta deri kur qyteti mbretëror i Kostandinopojës rrezikohej nga agresioni i barbarëve.

*****

Kisha e Shën Sofisë, e Providencës Hyjnore pra, ishte qëndra e jetës fetare dhe kombëtare të Perandorisë Bizantine.  Sipër kupolës së saj madhështore ishte vendosur një Kryq kolosal që natën ndriçonte dhe spikatej nga çdo kënd i Qytetit Mbretëror.
Por erdhi dita kur këmbanat e saj madhështore u dëgjuan për herë të fundit dhe për herë të fundit u meshua brenda Kishës së Shën Sofisë.  Ishte 29 Maj 1453, ditë e martë, ora 2 e ca mbas mesdite.  Kostandinopoja, mburrja e botës dhe qytetërimit, ra në duart e barbarëve turq.  Turqit hynë në Qytetin Mbretëror, vunë zjarr dhe dogjën, plaçkitën dhe përdhunuan, therrën dhe prenë, dhe ndotën dhe përdhosën altaret e shënjta të Kishave.  Hoxha hyri në katedralen e Shën Sofisë dhe nga habija dhe çudia thërriti “allah allah”.  Çdo gjë të shtrenjtë dhe të çmuar që kishte Kisha brenda saj ia vodhën.  Kryqi u rrëzua nga kupola dhe në vënd të tij vendosën gjysëm-hënën.  Ditë të tmerrshme dhe të frikshme erdhën për besimtarët e Krishterë.  Por të Krishterët nuk u dëshpëruan.  Për shekuj me rradhë rrojtën dhe jetojnë me shpresën që “pas vitesh dhe kohësh përsëri tonat do të jenë”.  Shpresonin dhe shpresojnë që një ditë Kisha do të rikthehet përsëri në duart e të Krishterëve dhe do të kryhet atje përsëri Mesha Hyjnore.

Kisha e madhe e Krishtit është akoma nën sundimin turk.  Por kemi besë dhe shpresë që një ditë Kisha do t’iu rikthehet të Krishterëve.  Jo gjysmë-hëna por Kryqi do të fitojë në botë.  Dhe turqit do të bëhen të Krishterë dhe do t’i falen të Kryqëzuarit Jisu, e Tij qoftë lavdia, nderi dhe adhurimi në jetë të jetëve Amin.

Kapitulli u shkëput nga libiri
“Faltorja Orthodhokse” -ΟΡΘΟΔΟΞΟΣ ΝΑΟΣ
Përktheu nga Greqishtja,

Aleksander Filip
27 Janar, 2008
Transferimi i Lipsanave të
Shën Joan Gojëartit
në Kostandinopojë

A FESTOJMË ASHTU SIÇ DUHET

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

A FESTOJMË ASHTU SIÇ DUHET

Kapitulli u shkëput nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti

“Dita e Ngjalljes le të ndriçohemi, Pashka e Zotit Pashka,
se ja prej  vdekjes në jetë dhe prej dheut në qiell
n’a shpuri Zoti Krisht me këngë mundëse”
(Kënga I e Kanonit të Pashkës)

Erdhi të dashur vëllezër Ngjallja.  Erdhi Pashka.  Le t’a falenderojmë Zotin, sepse akoma dhe një herë tjetër n’a vlerësoi të festojmë dhe të marrim pjesë në panairin e kësaj dite të lavdishme, që është mbretëresha e të gjitha festave dhe panairëve të Krishtërimit.  Qoftë kjo Pashkë, Pashka më e bukur e jetës sonë.  Dhe do të jetë Pashka më e bukur e jetës sonë nëse festojmë jo ashtu siç do bota, por ashtu siç do Zoti.  Dhe do të festojmë ashtu siç do Zoti nëse të gjithë ne, burra e gra, të gjithë sa mbajmë emrin e nderuar “i/e Krishterë” hapim veshët e zemrës sonë dhe dëgjojmë zërin e dhimbsur të Kishës sonë të Shenjtë Orthodhokse, e cila më thellë se të gjitha rrymat e tjera Kristiane zotëron kuptimin e vërtetë të kësaj feste madhështore dhespotike.  Himnet e Ngjalljes janë kryevepër.  Këto himne rrjedhin mjaltin e shpirtit, të cilin si bletë punëtore e mblodhën anembanë në lulet e Shkrimeve të Shënjta himnografë që nuk krahasohen me askënd.

Një vështrim mbi detyrat tona

Për të nxjerrë në pah këtë mësim mjaltë-rrjedhës të Ngjalljes së Zotit duhet t’iu referohemi me përpikmëri të gjitha Shkrimeve të Shënjta.  Fjalët e himnografëve dhe Etërve të Shënjtë të Kishës burojnë ëmbëlsi dhe janë tepër të kënaqëshme.  Janë më të kënaqëshme se mjalta dhe dylli.  Vetëm ata që kanë shqisat e shijimit shpirtëror për së mbrapshti nuk mund të shijojnë ëmbëlsinë e këtyre mësimeve, dhe me neveri hedhin sytë e tyre mbi ato që ka shtruar Kisha e Shënjtë në trapezën shpirtërore gjatë kësaj dite të lavdishme.
Nuk përsëritim të njëjtat gjëra.  Por duke shkuar në burimet e pashterrshme të Orthodhoksisë, me kupën tonë iu ofrojmë atyre që festojnë disa pika nga urtësia hyjnore.  Le të flasim më konkretisht.  Pyesim: cilat janë detyrat e të Krishterëve besëmirë gjatë kësaj dite të shënjtë?  Do t’i përmendim më poshtë.  Ata që kanë veshë do të dëgjojnë.  Ata që nuk kanë veshë nuk do të dëgjojnë.  Dhe jo vetëm që nuk do të dëgjojnë por edhe do të qeshin dhe do të tallen… Le t’i mëshirojë Zoti pra!

1)
2)    NË KISHË
Detyrën e PARË n’a i jep himnografi duke thënë:

“Le të ngrihemi që me natë dhe le t’i shpiem në vënd të miros himne Kryezotit, dhe t’a shohim Krishtin që si djelli i drejtësisë iu fal jetë të gjithëve”

A dëgjoni pra?  Detyra jonë është vajtja në Kishë që herët në mëngjes.  Ranë këmbanat? U dëgjuan tingujt e tyre të ëmbël? Përveç të sëmurëve, asnjëri dhe asnjëra të mos qëndrojë indiferent në shtëpi.  Të gjithë, “këmbë për këmbë” duhet të drejtohen drejt Kishave.  Ashtu si gratë mirofore të cilat gjatë natës së Ngjalljes nuk fjetën, por duke e patur zemrën plot ndjenja fisnikërie, dashurie, dhe adhurimi për Zotin, ndenjën zgjuar dhe “herët në mëngjes” shpejtuan për tek varri dhe u denjësuan të dëgjojnë ato të parat lajmin që “Krishti u Ngjall”, kështu pra dhe ne, të gjithë nëpër Kisha!

3)    DERI NË FUND

Por kjo nuk është e vetmja detyrë.  Nuk mjafton vetëm ardhja në Kishë gjatë natës së Ngjalljes.  Erdhëm në Kishë?  Kemi për detyrë të qëndrojmë në Kishë deri në fund.  Kjo pra është detyra jonë e dytë.  Dhe ndërsa detyra e parë zbatohet me ardhjen në Kishë kur dëgjojmë të bien këmbanata, e dyta a zbatohet  vetëm me qëndrimin në Kishë?
Oh fatkeqësisht!  Vihet re një fenomen që është vërtet për të vajtuar.  Çfarë ndodh?  E dini shumë mirë ju se çfarë ndodh.  Shumë veta, burra e gra, të cilët gjatë gjithë vitit nuk shkelin këmbë as tek pragu i Kishës, por paraqiten në Kishë vetëm natën e Pashkës, këta komitë pra të tërësisë kishëtare, mërziten nga qëndrimi i zgjatur në Kishë.  Ambjenti i Kishës nuk është për ta i këndshëm apo i kënaqshëm.  Por në vende të tjera, atje ku kënaqen, qëndrojnë deri në mëngjes.  Kurse këtu në Kishë?  Mezi presin orën që të ikin nga Kisha.  Prandaj në momentin që dëgjojnë “Krishti u Ngjall” fillojnë dhe ikin.  Largohen turma-turma, ashtu siç erdhën turma-turma.  Por të dashur zonja dhe zotërinj dëgjomëni:
Thirrja “Krishti u Ngjall” që dëgjuat nuk është fundi i shërbesës së shënjtë të natës së Pashkës.  Është vetëm fillimi.  Është krisma përshëndetëse me të cilën Kisha përshëndet ditën e re, ditën e ndritëshme, ditën e lavdishme gjatë së cilës ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së këtij planeti.  Menjëherë pas “Krishti u Ngjall” vazhdojnë festimet në panairin e Kishës.  Vazhdon kanoni ligjvënës i Ngjalljes.  Më pas kryhet Liturgjia Hyjnore e cila mbaron me predikimin festiv me rastin e Pashkës e shkruajtur nga Shën Joan Gojëarti, një predikim që nuk mund të krahasohet me asnjë predikim tjetër përsa i përket mënyrës si tingëllon dhe kuptimeve që përçon.  Dhe duhet, zonja dhe zotërinj, të qëndroni deri në fund të Liturgjisë.  Por ju në vënd që të qëndroni deri në fund ktheni kurrzin dhe largoheni…
Si t’a quajmë këtë sjelljen tuaj?  N’a lejoni t’ju pyesim:  në qoftë se supozojmë që një prej të fortëve të dheut, apo një mik i juaji ju fton personalisht në një mbrëmje festimi çfarë do të bënit?  Sapo të vinit në mbrëmje do të iknit?  Nuk do të prisnit derisa të mbaronte mbrëmja dhe të përshëndoshnit të zotin e shëtpisë?  Po, kështu do të vepronit sepse kështu ju thonë rregullat e mirësjelljes.  Jini të sjellshëm dhe tregoni shumë kujdes për këto gjëra.  Nuk doni t’ju quajnë të pasjellshëm, të egër dhe barbarë.  Doni të dukeni me edukatë përpara zotërve të kësaj bote, të cilët ju ftojnë personalisht në mbrëmjet e tyre.  Por ndaj Zotit Krisht si silleni?  Ai që ju fton natën e shënjtë të Ngjalljes është personi më i lavdishëm i qiellit dhe dheut bashkë.  Është Mbret i mbretërve dhe Zoti i zotërinjve.  Është Mbreti i Ëngjëjve dhe Shënjtorëve.  Ai ju fton në mbrëmje të festoni.  A e besoni këtë gjë?  Përgjigjuni sinqerisht.  Në qoftë se nuk e besoni atëhere përse vini në Kishë?  Vetëm për të bërë adetin?  Asnjë dobi dhe përfitim nuk kini nëse vini në Kishë vetëm për një formalitet.  Por nëse e besoni si Zot, si triumfues i gjithë shekujve dhe Mbret i të gjithëve dhe të gjithave, atëhere “ejani t’i falemi dhe t’i biem ndër këmbë vetë Krishtit Perëndisë dhe Mbretit tonë”.  Atëhere duhet të qëndroni në Pallatin Hyjnor, në Kishën e Shënjtë pra, deri në fund, derisa Zoti nëpërmjet organeve të Tij, priftërinjve meshëtarë, të n’a lajmërojë që mbaroi mbrëmja mbretërore.

4)    Afrohuni tek Kupa Jetëdhënëse

Vetëm mbrëmje festive është?  Shërbesa e shënjtë nuk është thjesht një mbrëmje.  Është pafund, më tepër se një mbrëmje.  Është ftesë për të marrë pjesë në misterin e shkëlqyer dhe të mrekullueshëm të Eukaristit Hyjnor.  Pa shikoni se si n’a fton himnologu:

“Ejani të kungohemi me verën e hardhisë së vreshtës së bekuar të Perëndisë sonë, se Jisui sot u ngrit dhe u hapi qiellin gjithë besnikëve, pra e himnojmë Jisuin Perëndi në jetë të jetëve”.

Ejani n’a thotë të pijmë nga prodhimet e vreshtit, të pijmë nga vera që në mënyrë çudibërëse u shndërrua në gjakun e Krishtit.  Ejani të kungohemi me misteret e qashtra, dhe të ngazëllohemi me këtë bashkim të hyjshëm me Zotin.  Ejani të shijojmë të mirat e shumta të mbretërisë së Tij, duke e himnuar atë si Perëndi në jetë të jetëve.
Shën Joan Gojëarti në fjalën e tij festive të Ngjalljes n’a fton të marrim pjesë duke n’a thënë:

Trapeza është plot, merrni të gjithë.  Mishi i viçit është me bollëk, asnjë të mos ikë i urrtuar.

Kush është viçi?  Mos vallë bën fjalë për trapezën materiale në të cilën shtrohen gjellë të zgjedhura?  Edhe trapeza e të mirave materiale nuk ndalohet.  Përkundrazi edhe rekomandohet, për shkak të atmosferës festive të ditës.  Por Shën Gojëarti kur thotë “viçi” dhe i fton të gjithë në këtë trapezë të madhe gjatë natës së Ngjalljes nënkupton kungimin me misteret e shënjta.  E tha vetë Zoti kategorimatikisht: “Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë dhe unë tek ai” (Joan 6:56).
O të Krishterë, feston Pashkë ai që denjësisht kungohet me misteret e shënjta.  Të tjerët, të cilët nuk besojnë dhe përbuzin këtë mister, nuk festojnë Pashkë.  Për të tjerët që nuk besojnë dhe qëndrojnë indiferentë Pashka katandis në një festë të të ngrënit me llupësi dhe pangopje, në një festë pa asnjë kuptim të thellë.
Kungata e shënjtë pra, kjo është detyra e tretë që duhet të kryejë i Krishteri gjatë natës së shënjtë të Ngjalljes.

5)    MBAHENI DITËN TË SHËNJTË

Përveç tre detyrave të mësipërme, duhet të kryejmë edhe një të katërt.  Cila është detyra e katërt?  N’a i rekomandon përsëri himnologu i shënjtë.  Thotë:

“Dita më e shkëlqyer dhe më e shënjtë është Pashka e Madhe, e para ditë e javës, që mbretëron mbi të gjitha, e kremte e të kremteve dhe panair i panairëve, le t’a bekojmë Krishtin për jetë të jetëve”

A dëgjuat?  E shënjtë është dita e Pashkës.  Por jo vetëm me fjalët dhe himnet e Ngjalljes duhet të jetë e shënjtë dita e Pashkës, por edhe me vepra.  E shënjtë duhet mbajtur përgjatë periudhës ditë-natë.  Ditë e shënjtë!  Si mbahet e shënjtë kjo ditë?  Mëndja të çohet tek Zoti i Ngjallur.  Gjuha të flasë për Të.  Le të psallë himnet e Tij.  Le të predikojë madhështimet e Tij.  Zemra le të digjet nga dashuria për Dhëndrin, për Diellin e drejtësisë që lindi duke u ngritur nga varri.  Dëshira jonë le të drejtohet drejt punëve të mira të cilat do të vërtetojnë që me të vërtet u Ngjall Krishti dhe një jetë e re po lind në botë.  Ka të sëmurë?  Le t’i vizitojmë.  Ka fatkeqë?  Le t’i ndihmojmë.  Ka armiq?  Le t’i falim.  Ka të pafe’ dhe vlasfimtarë të Zotit?  Le të biem ndër gjunjë dhe le të lutemi për ta, që drita e paperënduar e Ngjalljes të ndriçojë zemrat e tyre.  Le t’a zgjerojmë zemrën tonë që të përfshijmë në të gjithë botën.  Dhe kurrë të mos harrojmë që ato sa thamë, ato sa bëmë, ato sa shpenzuam për të ndihmuar të afërmin tonë (të afërmin sipas kuptimit të Ungjillit) janë shumë të vogla, shumë të pakta, pothuajse zero në krahasim me gjithë ato që n’a ofroi, që n’a dhuroi me sakrificën mbi Kryq Zoti i Ngjallur.  Jo para, jo pozita të larta dhe të mëdha, jo frone të bukur, por edhe sikur jetën tonë, dhe jo vetëm një jetë por edhe me mijëra jetë të kishim dhe t’i sakrifikonim të gjitha për Të, nuk do të mund t’ia kundërshpërblenim lartësisë dhe madhështisë të mirëbërjeve të pafund të Krishtit.  Me të vërtetë:

“Si do t’ia shpërblejmë Zotit për gjithë ato të mira që n’a bëri?  Për ne Perëndia u bë njeri, për natyrën e prishjes Fjala u mishërua dhe jetoi me ne, u bë mirëbërës për mosmirënjohësit, çlirimtar për rrobërit, për ata që rronin në errësirë lindi dielli i drejtësisë, Kryq duroi Ai që nuk mund të pësojë asgjë, në ferr u bë dritë, në vdekje u bë jetë, dhe për të rënët u ngjall.  Le t’i thërresim Atij, o Perëndia jonë lavdi më Ty.”

6) Të mbajmë të pastër Javën e Ndritur

Në vazhdim të detyrave të mësipërme duhet të kryejmë dhe një detyrë të pestë.  Kjo është:

Jo vetëm dita e parë e Ngjalljes të mbahet e pastër nga çdo lloj mëkati, por edhe gjithë java që vijon, ajo javë që quhet Java e Ndritur, e cila konsiderohet si një ditë e vetme, vazhdim i ditës së parë dhe të madhe të Ngjalljes së Zotit, e gjithë java pra duhet mbajtur e pastër.  Jo të ndjekim filma të turpshëm dhe shfaqje teatrale, jo vallëzime të shfrenuara, jo të luajmë me letra, jo ndeshje sportive tifozësh të tërbuar, jo dehje dhe shthurrje, apo rrugaçëri të tjera të ndryshme, por lexim i shpeshtë i Shkrimeve të Shënjta, ushqim shpirtëror, vajtje e përditëshme në Kishë, kungim i shpeshtë, punë njeridashëse dhe mëshiruese, ngjallje të shpirteve, këto pra janë ato punë që duhet të kenë synim të Krishterët gjatë ditëve të Javës së Ndritur.  Këto n’a porosit Kisha jonë e Shënjtë.  Hapni Pidalin – Librin e Kanoneve dhe lexoni kanonin e 66-të të Sinodhit të 6-të Ekumenik.

Vallë do të n’a dëgjoni?

Këto pra predikojmë gjatë natës së shënjtë të Ngjalljes.  Por kush i dëgjon?  Kush i zbaton?  Zëri ynë bërtet në dhe’ të shretë e të thatë.
Ashtu siç kemi  thënë dhe më parë, dhe nuk do të pushojmë së thëni, jetojmë të dashur vëllezër dhe etër, jetojmë në një kohë të frikëshme, në një kohë të largimit të njerëzve nga Perëndia dhe udha e Perëndisë, jetojmë në një kohë gjatë së cilës shpirti i antikrishtit me mënyra dhe forma nga më të ndryshmet ka hyrë në jetën e përditëshme të njerëzve dhe përpiqet të gremisë të gjitha digat e moralit dhe të fesë dhe t’i shndërrojë në këneta të qelbura me erë të fëlliqur ato kopshte të Perëndisë që deri dje lulëzonin.
Por të dashur, Lavdi Perëndisë, sepse me gjithë shthurrjen dhe mosbesimin që mbizotëron sot në botë nuk mungon besimi dhe virtyti.  Janë dhe të zgjedhurit e Perëndisë.  Është grigja e Perëndisë.  Janë adhuruesit besnikë dhe të dedikuar të Zotit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur.  Janë bijtë dhe bijat besnike të Kishës Orthodhokse, të cilët iu binden këshillave dhe mësimeve shpirtërore të etërve të tyre shpirtërorë.  Kemi mjaft shembuj të dashurisë dhe dedikimit ndaj Kishës së Shënjtë.  Diell shprese është Ngjallja e Zotit.  Le të shpresojmë dhe ne për gjithë të mirat.

Rënçin gjithmonë gëzueshëm këmbanat e të gjitha Kishave tona duke

lajmëruar dhe duke shpallur në qiejt “Krishti u Ngjall”.

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

F Ë M I J Ë T

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

F Ë M I J Ë T

(Matth.19:13-15; Mark 10:13-16; Luka 18:15-17)

“Lerini fëmijët dhe mos i ndaloni të vijnë tek unë”
(Matth.19:14)

Një nga skenat magjepsëse të jetës së Krishtit mbi tokë përshkruajnë të tre Ungjillorët e Shënjtë Mattheu, Marku, dhe Llukai.  Është momenti i bekimit të fëmijëve.  Le të përpiqemi t’a ri-krijojmë këtë skenë kaq tërheqëse, që përbën në të njëjtën kohë dhe një nga veprat e fundit të Zotit, e cila ndodhi kur Krishti po largohej nga Galilea dhe po iu afrohej kodrave të Judhesë.
Turma njerëzish “e ndiqnin Atë”.  Gjatë udhës, dikush e pyeti nëse ekzistonte një arësye e fortë që dikush të divorcojë gruan e vet, dhe Zoti duke iu përgjigjur kësaj pyetje kaq shqetësuese për shoqërinë, bëri fjalë për martesën dhe virgjërinë.  Martesa, theksoi Ai, ka qënë gjithmonë një institucion hyjnor i lashtë të cilën vetë Zoti e themeloi, dhe askush nuk ka të drejtë të shpërbëjë bashkimin midis burrit dhe gruas, vetëm në qoftë se besa bashkëshortore shkelet dhe cënohet.  Vetëm në rast kurvërie pra mundet burri t’a divorcojë gruan.  Ndërsa përsa i përket virgjërisë Krishti theksoi gjendjen e saj të shkëlqyer, gjendjen superiore të ekzistencës së saj, një jetë ëngjëllore duke qënë me trup, por në të njëjtën kohë është dhe e vështirë për t’ia dalë mbanë, sepse virgjëria kërkon një dhuratë të veçantë, duhet thirrja së lartazi dhe ndihma supernatyrore (Matth.19:1-12).  Shumë pak njerëz e arrijnë këtë gjëndje.

Sapo Krishti mbaroi fjalën, ja përpara Tij shfaqen lulet dhe frutat e martesës ligjore – foshnja dhe fëmijë të cilët nënat e Galilesë, pasi u shkëputën nga turmat, ia sollën Atij.  Ato nëna besonin që Jisui kishte një fuqi hyjnore, dhe për këtë arësye donin që Ai t’iu jepte bekimin e Tij fëmijëve të tyre.  Oh t’i bekonte Krishti fëmijët e tyre!  Çfarë tjetër më tepër mund të donin?  Këta fëmijë do të vazhdonin jetën e tyre duke qënë në mbrojtjen e Zotit.  Bekimi i Tij do të ishte thesari më i çmuar që do të kishin.  Prandaj dhe nënat, me pasion i sollën fëmijët tek Krishti.  Por duke u afruar u ndeshën me zërin e ashpër të dishepujve, të cilët po iu thoshin nënave të ktheheshin mbrapsht.  Fatkeqësisht, nuk mund t’a kuptonin dhe vlerësonin atë që nënat e Galilesë po bënin në atë moment.  Sipas mëndjes së tyre Zoti Krisht nuk duhej të humbte kohën e Tij të çmuar duke u marrë me foshnja dhe fëmijë.

Jisui thërret pranë fëmijët

Zoti i sheh dishepujt e Tij që po i largojnë nënat, dhe njëkohësisht dëgjon dhe ankesat e nënave të cilat nuk mund t’i afrohen Atij.  Pengesë e nënave janë dishepujt.  Për shkak të kësaj sjellje të ashpër të dishepujve ndaj nënave – të cilat i kishin sjellë fëmijët kushedi prej sa larg – Zoti jo vetëm thjesht trishtohet, por ashtu siç n’a i përshkruan dhe Ungjillori Lluka, indinjohet ndaj dishepujve.  Dhe duke dashur t’iu mësojë se çfarë vlerë kanë fëmijët e vegjël iu thotë: “Lerini fëmijët dhe mos i pengoni të vijnë tek Unë, sepse e të tillëve është Mbretëria e Qiejve”.  Pas kësaj vërrejtje nënat morën guxim.  Ecin përpara.  Dhe ja Krishti midis fëmijëve.  I përqafon.  I bekon.  Dhe vetëm i përqafon dhe i bekon?  Si mund t’a vemë në dyshim që Zoti, i cili mësoi të gjithë njerëzit, nuk do t’iu thoshte dhe fëmijëve diçka të thjeshtë por tepër kuptimplotë?  Dhe këto fjalë do të mbeteshin të paharruara, dhe deri në frymën e tyre të fundit fëmijët do të mbanin në kujtesën e tyre momentin kur Jisui i bekoi dhe i mësoi ata.

Siç shohim pra, të dashur, sjellja e dishepujve ishte e ashpër dhe me mëndjemadhësi ndaj fëmijëve të nënave të Galilesë.  Por duhet të kuptojmë që dishepujt ishin bij që i përkisnin brezit dhe shoqërisë së atëherëshme, e cila nuk i vlerësonte aspak foshnjat dhe fëmijët.  Në botën e idhulltarisë gjendja e fëmijëve ishte aq e keqe sa nuk përshkruhet dot.  Nuk kishte asnjë lloj ligji që të mbronte foshnjat dhe fëmijët.  Fëmijët konsideroheshin pronë, të cilën mund t’a përdrornin prindërit ashtu siç deshin.  A nuk keni lexuar që me mijëra foshnja dhe fëmijë ofroheshin si therror në altarin e perëndive të lashtësisë?  Në situata të tjera përdoreshin për punëra të rënda dhe të vështira si qetë që tërheqin parmëdën.  Në Spartën e lashtë p.sh., kur lindej fëmija, ati kishte të drejtë, në qoftë se nuk i pëlqente foshnja, t’a hidhte në det ose nëpër shkëmbinjët e tmerrshëm të malit të Taigjetos.  Në Atikë, baballarët ishin kaq zemërgur ndaj fëmijëve të tyre saqë poeti i lashtë Aristofani, duke e portretizuar vetvehten si një fëmijë, shprehet se do të dëshironte të ishte më mirë biri i një derri sesa biri i një njeriu… kafshët që sillnin përfitime trajtoheshin shumë më mirë sesa fëmijët të cilët përdoreshin si shërbëtorë mjeranë të kafshëve.  Gjatë rënies së Perandorisë Romake, disa etër të Romës ishin kaq mizorë sa i linin foshnjat jashtë në rrugë gjatë natës të cilat shqyheshin prej ujqërve që zbrisnin nga Apeninet.

Fëmijët shembull për të rriturit

Fëmija pra, që përbuzej kaq shumë gjatë lashtësisë, u nderua dhe u ngrit lart prej Krishtit, dhe u bë shembull për të rriturit.  Fëmija shembull për të mëdhenjtë?  Mos u çuditni.  Sepse një ditë Jisui mori një nga fëmijët dhe e vendosi në mes të dishepujve të Tij duke thënë:  “Me të vërtetë po ju them juve, nëse nuk ktheheni dhe bëheni porsi fëmijët e vegjël, nuk do të hyni në mbretëri të qiejve” (Matth. 18:3).
“Të bëheni porsi fëmijët”. Ku është kuptimi i këtyre fjalëve?  Jo të kthehemi në moshën fëmijnore duke u shndërruar me një farë mënyre të çuditëshme nga pleq në foshnja dhe fëmijë. Jo!  Por të përpiqemi ne të mëdhenjtë, dhe të synojmë ne të rriturit që ato virtyte natyrore që kanë fëmijët e vegjël t’i fitojmë brenda nesh nëpërmjet ushtrimit shpirtëror, dhe nga virtyte natyrore të bëhen virtyte objektive si rezultat i vullnetit të lirë të secilit prej nesh.
Dhe cilat janë këto virtyte që kanë fëmijët e vegjël dhe që janë shembuj të denjë për imitim nga ana e të rriturve?
Fëmijët kanë përulësi, janë të pafajshëm, të thjeshtë dhe pa ligësi.  Është një i vogël fëmijë mbreti?  Ky fëmijë nuk ka atë krenarinë që kanë të mëdhenjtë në raste të tilla.  Nuk bën dallime fëmija midis tij dhe fëmijëve të tjerë të varfër.  E sheh të shoqërohet lehtazi me bashkë-moshatarët e tij dhe të luajë së bashku me ta.  Ku është kjo përulësi tek të mëdhenjtë në moshë?  Një ushtar i thjeshtë p.sh. ngrihet në gradë dhe bëhet gjeneral duke shtuar një vijë në gradën sipër supeve të tij, dhe ditën e nesërme me një ton prej Napoleoni e sheh të paraqitet përpara shokëve të djeshëm ushatarakë.  Dhe sa më shumë që të ngrihet në pozitë krenaria e tij do të shndërrohet në kamxhik për të tjerët.
Fëmijët nuk pushtohen pra nga lavdi-dashja e cila e korrupton njeriun.  Nëse fëmija ka një nënë të varfër, të veshur me rrecka, prapëseprapë  nuk e përbuz atë.  Edhe sikur një mbretëreshë të dilte përpara fëmijës dhe të kërkonte t’a merrte në oborret e saj mbretërore dhe t’a adoptonte atë, fëmija nuk do të pranonte, nuk do të preferonte mbretëreshën por nënën e tij të rreckosur.  Dhe nëse dikush me forcë e shkëput fëmijën nga gjoksi i nënës, fëmija do të qajë dhe thërresë “Nëna ime, mama ku je?…”.  Por nesër pasnesër, kur të rritet dhe të ngjitet lart në pozita, dhe të bëhet mëndjemadh, krenar dhe lavdi-dashës, do t’i shmanget paraqitjes së prindërve të tij të varfër përpara njerëzve. Do t’i vijë turp për kë?  Do t’a konsiderojë turp, kë?! Kë?! Atë që dikur e kishte gjënë më të çmuar në botë.

Fëmija nuk ka ligësi, nuk pushtohet nga ndjenja të thella hakmarrjeje.  Nëna e rreh.  I dhemb dhe qan.  Në atë moment duket si qielli me rre të zeza gati të lëshojë vetëtima dhe bubullima.  Por pasi kalojnë disa minuta ai qiell kthjellohet dhe dielli i pafajshmërisë fëmijnore shndrit përsëri në fytyrën e tij dhe përhap gaz dhe hare’ në të gjithë ambjentin rrethues.  Dhe ndërsa akoma nuk janë tharë lotët në fytyrën e tij, sapo dëgjon zërin e nënës t’a thërresë, harron dënimin që pësoi dhe rend me vrap dhe bie në krahët e saj.

Fëmija është i pafajshëm, është naiv.  Nuk dallohet nga ligësia dhe poshtërsia e të rriturve, të cilët dyshojnë të gjithë dhe të gjitha dhe paraqiten përpara të tjerëve me lloj-lloj fytyrash dhe gjuhësh.  Fëmija njeh vetëm një gjuhë, atë të sinqeritetit absolut.  Nuk thotë kurrë gënjeshtra.  Do të fillojë të gënjejë në momentin kur të kuptojë që sinqeriteti nuk vlerësohet nga bota.  Do të fillojë të gënjejë në momentin kur të kuptojë që me gënjeshtra, në një botë plot gënjeshtra dhe gënjeshtarë, mund të fitojë shumë më tepër sesa me të vërtetën.  Fëmija është i thjeshtë dhe i beson çdo fjale që i thonë të mëdhenjtë.
Mosha fëmijnore, megjithë prishjen dhe të metat që shkakton mëkati i paraardhësit Adham, ruan dhe plot të mira, të cilat, ashtu siç është vrojtuar dhe me plot të drejtë, nëse kultivohen ashtu siç duhet mund t’a shfaqin fëmijën si një shënjt.  Është e mundur pra që nëpërmjet ushtrimit të duhur virtytet natyrore të fëmijëve të bëhen virtyte të qëllimshme dhe të paramenduara për ne të rriturit.  Ja pra pse Zoti, duke njohur më shumë se kushdo tjetër shpirtin fëmijnor, sjell fëmijën si shembull dhe model të denjë imitimi përpara apostojve të Tij, dhe në përgjithësi përpara të gjithë njerëzve, të cilët synojnë rangje, vende të larta dhe pozita.
Jo pra të vegjëlit të ecin në rrugën e të mëdhenjve, por të mëdhenjtë të drejtohen drejt të vëgjëlve*.  Ja pra fryma e re e Jisuit.  A kanë besim fëmijët tek prindërit e tyre?  I ndjekin ata me besnikëri?  E konsiderojnë vehten e tyre të sigurt kur janë pranë prindërve të tyre?  Le të ndjekim shembullin e tyre pra.  Le t’ia besojmë vehten tonë dhe ne me shpirt fëmijnor Jisu Krishtit.  Le t’i shkojmë pas Atij me besnikëri.  Le t’a konsiderojmë vehten jashtë çdo rreziku nën krahët e plotfuqishëm të mbrojtjes Hyjnore.  Ah sikur të kishim atë thjeshtësinë dhe pastërtinë fëmijnore e cila është nëna e besimit.  Vetëm ata njerëz të cilët ruajnë në shpirtin e tyre freskinë e viteve fëmijnore, vetëm shpirtet e përulura dhe të thjeshta mund të besojnë me tërë kuptimin e fjalës tek Jisu Krishti.  Ndërsa shpirtet e tjera, të vyshkura nga ligësia e krenarisë dhe mendjemadhësisë, nga ambicjet dhe lavdi-dashja, të cilët për shkak të pasioneve mëkatare janë gati të kryejnë krime nga më të mëdhatë, këto shpirte njerëzish pra është e pamundur t’i afrohen Jisu Krishtit dhe t’i besojnë Atij.  Provë e kësaj gjëje janë farisenjtë, ligësia e të cilëve shkaktoi zemëratën e Perëndisë.
“Të bëheni porsi fëmijët”. Kjo pra është thirrja drejt të cilës i nxit Jisui nxënësit e tij dhe të gjithë ne.  Le të bëhemi, thotë Shën Joan Gojëarti, dhe ne si fëmijët, “foshnja më të ligën”,  ashtu siç n’a këshillon dhe Apostoll Pavli (Let.I.Korinth.14:20).  “Për të parë qiellin asgjë tjetër nuk duhet përveçse të hedhim mashtrimin dhe ligësinë në Gjehenë”.

Mbajtja e fëmijëve larg Jisuit është një zakon satanik

Thirrja dhe nxitja e Zotit “Lerini fëmijët dhe mos i pengoni të vijnë tek Unë” ndër shekuj arrin deri në ditët e sotme.  Sepse dhe sot, në shekullin e 21-të, fatkeqësisht ka plot nga ata të cilët të influencuar jo nga ai shpirti i dishepujve që nuk i lanë fëmijët e Galilesë t’i afroheshin Jisuit, por të nisur nga një shpirt armiqësor kundrejt Jisuit nuk duan fëmijët dhe të rinjtë t’i afrohen Krishtit dhe Kishës së Tij të Shënjtë.  Me shumë mënyra bëjnë çmos dhe i pengojnë.  Në rregjimet totalitariane, me aspirata materialiste dhe ateiste, fëmijët dhe të rinjtë nuk lejohen t’iu afrohen Kishave.  Një i ri i cili i afrohet një prifti dënohet nga partia dhe shpallet i padenjë për botëkuptimin e ri me të cilin duan të qeverisin botën këta shpëtimtarë dhe mesira të porsa-shfaqur, këta ungjillorë të një parajse pa Krisht.  Në rregjime të tjera, të cilat konsiderohen si shoqëri e lirë dhe pushtet demokratik, nuk pengohen direkt fëmijët dhe të rinjtë t’i afrohen Jisu Krishtit, por indirekt, me mënyra të ndryshme përpiqen dhe luftojnë për t’i mbajtur larg krahut të Tij.  Krahu i Jisuit, nën të cilën prehen fëmijët është Kisha e Tij e Shënjtë.  Prindër pa frikë Perëndie dhe ateistë kërcënojnë fëmijët e tyre kur shohin që ata duan të studiojnë në Shkollat Fetare të Katekizmit të cilat Kisha i ka themeluar për hir të edukimit fetar dhe moral të rinisë.  Shkollat teknike nga ana tjetër, gjatë orëve të mëngjesit të së Djelave, në kohën kur kryhet Liturgjia Hyjnore, ua zenë duart studentëve me mësimet e tyre akademike.  Akoma dhe në një vënd të Krishterë Orthodhoks si Greqia  vihet re spektakli i tmerrshëm i mëngjeseve të së Dielës: mijëra të rinj të Athinës dhe Pierasit me vizore dhe perigjelë në dorë drejtohen drejt shkollave.  Aktivitete sportive dhe ekskursione të planifikuara gjatë gjithë ditës së Djelë, nga mëngjesi deri në perëndim të diellit, preokupojnë të rinjtë – dhe asnjë fjalë nuk bëhet për të shkuar në Kishë dhe për të plotësuar detyrimin e shënjtë të së Djelës.  Profesorë universitetesh caktojnë provime të Djelave në mëngjes.  Këta zotërinj nuk shkojnë në Kishë, dhe nuk lejojnë as të rinjtë të shkojnë në Kishë.  Kryetarë partish politike bëjnë fushatat e tyre elektorale dhe ngrehin zërin që nga ballkonet për fenë dhe familjen dhe pas kësaj marrin aeroplanet dhe udhëtojnë të Dielave që në mëngjes; të rinjtë që iu përkasin partive të ndryshme shkojnë nëpër aerodrome të mirëpresin kryetarët e partive të tyre ndërkohë që në Kishë me madhështi psallet hymni qieruvik: … Mbretin e të gjithave le të presim… Gazetarë të pafe’ që nuk besojnë në jetën e amëshuar dhe që urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me Qiellin dhe botën metafizike pikojnë me penat e tyre farmaq në zemrat e të rinjve duke shkruajtur artikuj urrejtës kundër shkollave të Katekizmit me tema të tilla si: “Priftërinjtë të heqin dorë nga edukimi i rinisë”.  Dëshira e tyre e zjarrtë është themelimi i një edukimi të pafe’ ku ata dhe të rinjtë të mos kenë asnjë lloj lidhje me Kishën, e cila nëpërmjet mistereve të shënjta dhe jetës mësim-dhënëse të punëtorëve të Ungjillit vazdhon edhe në epokën tonë punën e Krishtit dhe i thërret fëmijët dhe të rinjtë drejt asaj jete.
Le të tërbohen pra armiqtë e Krishtit.  Le të luftojnë me mjetet e tyre satanike.  Le të kenë moton e tyre “asnjë fëmijë, asnjë i ri pranë Krishtit dhe Kishës së Tij të Shënjtë!”.  Por t’a dinë mirë që sado pengesa që të sjellin midis të rinjve dhe Krishtit, afrimiteti i shpirtit fëmijnor ndaj Krishtit dhe tërheqja e shpirtit fëmijnor prej Krishtit është kaq e madhe saqë edhe në epokat e shthurrjes dhe korruptimit më të madh, edhe në epokat e ateizmit dhe mosbesimit më të madh do të ketë gjithmonë shpirte fëmijësh dhe të rinjsh të cilët do të gjejnë një mënyrë apo një tjetër për t’iu afruar Jisu Krishtit dhe t’i psallin me zërat e tyre “hosana më të lartat”.  Por mjerr! mjerr ata që me mësimet e tyre kundër Perëndisë dhe nëpërmjet jetës së tyre të pafe’ skandalisin fëmijët dhe të rinjtë.  Do të japin llogari sepse përgjegjësia e tyre është e madhe.  Zoti tha – dhe fjala e Tij është e vërtetë – “Kush të skandalisë një nga këta të vegjëlit që më besojnë, është më mirë për atë të varë një gur mulliri në qafë dhe të hidhet në fund të detit.  Mjerr bota nga skandalet; sepse është nevojë të vijnë skandalet, por mjerr ai njeri prej të cilit vijnë skandalet” (Matthe 18:6-7).

Kapitulli u shkëput nga Libri “EJA PAS MEJE – ΑΚΟΛΟΥΘΕΙ ΜΟΙ – FOLLOW ME”
i Ish-Mitropolitit të Follorinës +At Avgustin Kantiotit

Përktheu nga Anglishtja
Aleksandër P. Filip
1 Korrik, 2008
Anargjëndët Kozma dhe Damjan

Përktheu (nga origjinali Greqisht) në Anglisht
+At Asterios Gjerostergjios

Përkthyesi ia kushton autorit, at Avgustinit, me dashuri,
mirënjohje shpirtërore dhe respekt të thellë!

Paçim të gjithë uratat dhe bekimet e tua Hirësi!

(ΑΚΟΛΟΥΘΕΙ ΜΟΙ ΣΕΛ. 164-172, ΚΕΦ. “ΤΑ ΠΑΙΔΙΑ”)

DITË GËZIMI DHE HAREJE

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

DITË GËZIMI DHE HAREJE

Fragment i shkëputur nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti

“U gëzuan nxënësit kur panë Zotin”
(Ioan. 2
0:20)

Mëndërisht, të dashur lexues, mëndërisht le të shkojmë në Tokën e Shënjtë, atje ku ndodhi drama e dramave.  Mëndërisht le të shkojmë në Golgotha.

Mishërimi i Dashurisë sakrifikohet

Është e Premjta e Madhe, ora 3 pasdite.  Një errësirë e dendur vazhdon të mbulojë tokën.  Dielli përpara pamjes së frikëshme të kryqëzimit të Birit të Perëndisë, fshehu rrezet e tij.  Jisu Krishti, Dashuria e mishëruar, ndodhet në momentet e fundit të jetës së tij mbi dhe’.  Pas pak prej buzëve të tij të hidhëruara dëgjohet dhe fjala e fundit “MBAROI”.  Dhe “duke ulur kryet dha shpirtin” (Ioan. 19:30).

Armiqtë e Krishtit, farisenjtë dhe shkronjësit, kryepriftërinjtë dhe priftërinjtë, dhe populli mosmirënjohës duke parë ndryshimet natyrore që po ndodhnin u frikësuan; po prisnin nga çasti në çast mos ndoshta Jisu Krishti zbriste nga kryqi dhe lëshonte rrufe dhe i shfarroste të gjithë ata nga faqia e dheut.  Por tani që dëgjuan fjalën e tij të fundit “MBAROI” u qetësuan.  Krishti tashmë është i vdekur!… “E çfarë mund të bëjë një i vdekur?  Kur ishte gjallë bëri shumë gjëra mahnitëse, por tani… kush i jep rëndësi një të vdekuri?  Krishti nuk ekziston më.  Skëterra e errët e përpiu, ashtu si dhe të gjithë të tjerët para tij”.  Këto pra duke menduar armiqtë e Krishtit u qetësuan.  Qëndruan dhe pak momente të tjera si spektatorë përpara pamjes së frikëshme dhe kur konstatuan që Jisui nuk jepte asnjë shënjë jete filluan të largohen prej atij vëndit të krimit dhe të kthehen në Jerusalem për të festuar festën e tyre të madhe judaike, pashkën e tyre, të cilën gjatë viteve të mëparshme kur jetonte Krishti e festonin me shqetësime dhe trazira.  Kryqëzuesit të mbytur nga protesta e ndërgjegjes së tyre për këtë kryevepër padrejetësie do të festonin me madhështi pashkën judaike.
Armiqtë e Krishtit gëzohen sepse Krishti nuk jeton më.  Po nxënësit e tij? Një  atmosferë e thellë keqardhjeje, melankolie dhe dëshpërimi ka pushtuar shpirtet e tyre.  Të gjithë shpresat e tyre i kishin mbështetur tek Krishti.  I lanë të gjitha pas dhe ndoqën Krishtin.  E ndoqën me besë dhe shpresë se Mësonjësi i tyre, më i fuqishëm se Davidi dhe Solomoni, do të mundte të gjithë armiqtë dhe do të shpallej mbret i Israelit.  Dhe ata duke qënë pranë tij do të kishin ndere dhe lavdi.
Por tani?  Tani me vdekjen e tij të vajtueshme të gjitha shpresat e tyre humbën.  Të dëshpëruar dhe të frikësuar diskutojnë midis tyre duke thënë: “ne shpresonim që ai ishte ai që do të shpërblente Israelin” (Luk.24:21).

U Ngjall Shpresa

Gëzohen armiqtë e Krishtit.  Dëshpërohen nxënësit e Krishtit.  Por papritur, oh çfarë shdërrimi!  Armiqtë e Krishtit dëshpërohen dhe dridhen, ndërsa nxënësit e Krishtit gëzohen dhe ngazëllohen me një gëzim dhe hare’ që nuk ka gjuhë t’a përshkruajë.  Lepujt dalin nga vrimat ku ishin fshehur dhe si luanë tani guximtarë dhe pa frikë janë gati të predikojnë kudo në botë Ungjillin e Krishtit.  O Perëndi, çfarë shndërrimi!
Por pyes: çfarë i bëri nxënësit të ndryshojnë krejt gjendjen e tyre shpirtërore, çfarë ndodhi dhe u ngjall shpresa e tyre e vdekur,  kush i armatosi ata me guxim dhe kurajo kaq të madhe dhe kush i dërgoi përpara mbretërve dhe perandorëve të predikojnë Krishtin duke qënë gjithmonë gati të pësojnë edhe ata të njëjtin kryqëzim si Krishti?!
Ky shndërrim nuk ka tjetër shpjegim përveç se një ngjarje.  Dhe kjo ngjarje, që është ngjarja më tronditëse në historinë e botës, është Ngjallja e Lavdishme e Krishtit.  Pa këtë ngjarje atmosfera melankolike do të bëhej akoma dhe më e keqe, dhe dishepujt, krejt të zhgënjyer do të vdisnin pranë rrjetave dhe varkave të tyre të peshkimit tek të cilat ishin kthyer pas kryqëzimit të Krishtit.  Po! Ngjallja e Krishtit nuk është mit.  Nuk është trillim i fantasisë së dishepujve, të cilët në gjendjen e tyre psikologjike që ndodheshin ishte e pamundur të mendonin ngjallje.  Dishepujt, keqbesues dhe mosbesues në fillim,  vetëm kur panë dhe dëgjuan Krishtin rrëfyen ngjalljen e tij dhe vetëm atëhere ajo reja e zezë e dëshpërimit u shpërnda dhe zemrat e tyre ndritën prej gëzimit të patreguar. “U gëzuan nxënësit kur panë Zotin” n’a thotë Ungjillori Joan (Ioan.20:20).  U gëzuan nxënësit.  Po vetëm nxënësit u gëzuan? U gëzuan dhe gratë mirofore, të cilat nga dashuria e flaktë për Krishtin u denjësuan të dëgjojnë ato të parat “KRISHTI U NGJALL”.  U gëzuan ëngjëjt dhe Kryeëngjëjt, të cilët që lartazi panë triumfin e së vërtetës mbi gënjeshtrën, triumfin e virtytit mbi të keqen, triumfin e dritës mbi errësirën.  Dhe më shumë se gjithë të tjerët u gëzua Hyjlindësja Mari, e cila gjatë kryqëzimit të Birit të saj ndjehu thikën me dy presa të përshkojë tej për tej zemrën e saj nënore.  O nxënës të Krishtit, KRISHTI U NGJALL!  Gëzohuni dhe ngazëllohuni!
Ngjallja e Krishtit është shkëmbi i patundur sipër të cilit do të valvitet në shekuj flamuri i të Kryqëzuarit.

Besimi i mund të gjitha

Mëndërisht, të dashur lexues, mëndërisht shkuam në vendin e kafkës ku pamë Krishtin të kryqëzuar dhe më pas të ngjallur së vdekurish.  Le të kthehemi tani në botën e sotme.  Pamja të cilën paraqet epoka jonë për nga ana e besimit, moralit, dhe nga ana shoqërore është për të vajtuar.  Kudo që të shkojmë mbi dhe’ të njëjtën pamje do të shohim, me ndryshime të vogla.  Kudo shikon vendin e kafkës.  Kudo sheh kryqe.  Jisu Krishti me mijëra mënyra kryqëzohet përsëri.  Figura e Tij e ëmbël fishkëllohet, tallet dhe përqeshet.  Jo vetëm të rinjtë, të cilët ndjekin ato programet anti-krishtërore të televizionit – ose më mirë të them të “televerbimit” jo të televizionit – por edhe pleqtë të cilët ndodhen në fund të jetës së tyre tallin dhe përqeshin të Kryqëzuarin.  Varavai është përsëri i lirë.  Krishti përsëri mbi kryq.  Mashtrimi dhe diplomacia mbizotërojnë kudo.  Gurë shahu janë të pafuqishmit në duart e të fortëve të botës.  “Armët tona janë fuqia dhe forca jonë, trembuni ju o popuj”.  “Kryqëzoje, kryqëzoje atë” – të varfrin, të paarmatosrurin, të pafuqishmin kudo në botë ku gjendet! Dëgjohen pra këto thirrje anembanë planetit tonë mëkatar, i cili mburret për civilizimin dhe teknologjinë e tij, për udhëtimet në hapësirë, por që në të vërtetë është në prag të vdekjes.  Errësirë përsëri mbi tokë, edhe pse kemi kaq shumë drita teknike…

Armiqtë e deklaruar të Krishtit gëzohen dhe dëfrejnë, mburren duke thënë që pas pak kohe emri i Jisu Krishtit nuk do të prekë më shpirtin e njerëzimit.  Besojnë se po afrohet fundi i Krishtërimit.  Ata pak besimtarë që kanë mbetur sot, besimtarë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, vuajnë nën atmosferën e rëndë që krijon mjegulla e tmerrëshme e mosbesimit, e pafesë, dhe e korruptimit.
Por kjo mjegull e pabesimit dhe prishjes nuk do të qëndrojë kështu përjetësisht.  Ngjallja e shpërbën këtë mjegull të dendur.  E shpërbën dhe e zhduk këtë mjegull nga zemrat e atyre që besojnë tek Krishti i Ngjallur.  Le të ulërijë pra mosbesimi.  Le të mobilizohen dhe le të luftojnë Kishën e Krishtit demonët e ferrit.  Brenda zemrës së besimtarëve ndrit dielli i gëzimit të Ngjalljes, i atij gëzimi që ndjenë në zemrat e tyre dishepjut “kur panë Zotin” (Joan 20:20).

Gëzimi mbretëron

Me këtë BESIM dhe ne, të dashur vëllezër, me këtë besim le të kremtojmë Ngjalljen e Krishtit.  Me besimin që të gjitha të dheshmet dhe të kalburat, të gjitha teoritë anti-kristiane, të gjitha sistemet ateiste që sot shquhen dhe magjepsin shumë njerëz, një ditë do të bien dhe do të zhduken prej faqes së Tij dhe një diell do të shkëlqejë përjetësisht.  O të pafe’, dëgjoni Kishën e Krishtit që marshon me himne triumfale:

“Le të ngrihet Perëndia dhe le të përndahen armiqtë e tij, le të ikin prej faqes së tij gjithë ata që i kanë mëri.  Do të humbasin si tymi në erë dhe do të shkrihen si dylli përpara zjarrit” (Psalm. 67:2-3).

Vëllezër dhe etër!  Gëzimi i Ngjalljes le të mbretërojë në zemrat tona.  Me gjithë shpirt pra le të thërresim fort KRISHTI U NGJALL!

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

(ΑΠΟ ΒΙΒΛΙΟ ΤΟΥ Π. ΑΥΓΟΥΣΤΙΝΟΥ «ΠΑΣΧΑ», “ΗΜΕΡΑ ΧΑΡΑΣ”)

DITË DRITE

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

DITË DRITE

Fragment i shkëputur nga libri “PASHKA-ΠΑΣΧΑ”
i ish-Mitropolitit të Follorinës +Avgustin Kantioti

“Sot shkëlqen nga drita e gjithë bota, qielli dhe dheu, dhe i nëndheshmi Ferr; le të festojë e gjithë krijesa Ngritjen e Krishtit që jetë n’a siguron.”

U NGJALL ZOTI!  Edhe çfarë se rrojmë në kohët e distancimit të njerëzimit prej Perëndisë?  Edhe çfarë se thërresin kundër ngjalljes saduqenjtë e rinj të kohëve të sotshme?  Edhe çfarë se sulen si qenër të zgjidhur nga zinxhiri të pafetë dhe ateistët?  Me të vërtetë u Ngjall Zoti!  Duhen prova dhe vërtetime?  A është e nevojshme të vërtetojmë që ekziston dielli?  O njerëz, hapni dritaret e dhomave tuaja të errëta dhe lereni dritën e diellit pranveror të vërshojë brenda shtëpive tuaja. O të pafe’ hapni dritaret, hapni zemrat tuaja të kyçura, dhe do të shihni dhe do të ndjeni që gjatë natës së Ngjalljes me ngazëllim psall Kisha: “Sot shkëlqen nga drita bota, qielli dhe dheu, dhe i nëndheshmi Ferr…”.
U Ngjall Zoti!  Errësira u shpërnda.  Dielli i paperënduar lindi.  Me mijëra diej ndriçojnë botën.  Drita e Ngjalljes ndrit qiellin, dheun dhe ferrin. Çdo gjë shkëlqen nga drita.

Dritë në të përmbiqiellshmet

U Ngjall Zoti.  Ndriçohen nga Ngjallja e Tij në fillim qiejt.  Nën Dritën e Ngjalljes ëngjëjt shohin më qartë dhe më kthjellët fytyrën e Jisuit.  Sepse misteri që mbulonte Jisuin, Birin e Virgjëreshës, ishte i pafund, i madh dhe i pakapshëm, ishte i pakuptueshëm edhe nga intelekti i Ëngjëjve.  A nuk shkruan himni i Tetë Tingujve “Nuk e dinin si more trup ëngjëjt e tu të patrup”?  A nuk psallën ai krijuesi tjetër i Hymnit Akathist: “Gëzohu o lartësi ku nuk ngrihen dot mëndjet njerëzore; Gëzohu o thellësi e pakuptueshme nga sytë e ëngjëjve”?  O lartësi dhe thellësi e misterit!  Perëndia mori trup.  Perëndia u lind në grazhd.  Perëndia ec dhe shoqërohet së bashku me njerëzit në kushte shumë të përulëta.  Pamje tepër e veçantë, e paparë në botë ndonjëherë.  Ëngjëjt ndjekin hap pas hapi udhën e Jisu Krishtit, dhe nga momenti në moment habiten dhe çuditen.  Ç’është kjo?  Çuditen dhe habiten me fenomenet e ndryshme të Jetës së Tij.  Perëndia që nuk e nxenë dot qiejt e nxe pa u ndryshuar ena virgjërore.  Perëndia bëhet shërbëtor dhe lan këmbët e nxënësve të tij.  Perëndia…kalon agoni në kopshtin e Gjethsemanisë!  Dhe zëri tronditës “O Perëndia im, o Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”!  Si do t’iu duken të gjitha këto ushtërive të Ëngjëjve?!  Si të kuptohen këto gjëra nga qeruvimet dhe nga serafimet?  Këto që po ndodhin e tejkalojnë akoma dhe aftësinë mendore të ëngjëjve.  Por Ngjallja e Zotit hedh dritë.  Dritë ndriçuese.  Ëngjëjt tani nën këtë dritë shohin Jisuin të dalë nga cikli i përulësisë, të dalë nga retë e zeza të ligësisë njerëzore dhe të lëshojë dritë me gjithë shkëlqimin e Hyjnisë së Tij.  Ngjallja përhap kudo Dritë, lëshon ngjyra të veçanta në të gjitha stadet e jetës së dheshme të Zotit, dhe tani ëngjëjt futen më thellë në misterin e madh.
Krishti u Ngjall. Shkëlqejnë qiejt!

Dritë mbi të dheshmet

Pse vetëm qielli ndriçohet?  Edhe dheu ndriçohet nga drita e begatë e Ngjalljes.  Sepse njerëzit, ata njerëz që e venë vehten e tyre nën dritën e Ngjalljes, e shohin dhe kuptojnë që gjërat njerëzore nuk drejtohen nga fati që nuk ekziston, nuk i qeverisin forca të errëta, shohin se gjërat njerëzore nuk përbëjnë një problem të pazgjidhshëm, nuk përfundojnë në varr, por shohin që jeta ka një vijë ndriçuese, ka një qëllim të caktuar, ka një destinacion.  Nga çasti që u dëgjua dhe u besua që “Krishti u Ngjall”, dyshimi, dëshpërimi, mosbesimi, skepticizmi dhe çdo sistem tjetër që ka simbol ligësinë, dërmohen brenda shpirtit të atij që beson dhe ia lenë vendin Ngjalljes së Zotit.  Dritë pra në zemrën e besimtarit.

Çfarë është jeta?  Pasuri dhe thesare?  Shfrytëzim?  Shijim i kënaqësive trupore?  Shndërrim në kafshë apo bishë?  Adhurim i egos?  Jo!  Jeta tani merr kuptimin e saj të vërtetë.  Jeta është sakfrificë, Golgotha, kryq, dhe pas kryqit është ngjallje, sipas modelit të jetës së Krishtit.  Besimi i hedh hapat duke u ndriçuar nga Ngjallja e Zotit.  Ec në rrugën e vështirësive, ec në rrugën e detyrës, ec në rrugën e kryqit, duke u gëzuar me një gëzim mistik dhe të patreguar.  Dhe nuk është vetëm në këtë rrugë.  Zoti i gjallë është shoqëruesi i tij i ëmbël.  Kur gjendet në stuhi dhe furtunë nuk i ndalon hapat e tij, nuk dekurajohet nga pengesat, nga rëniet tragjike që pëson, nuk dekurajohet as nga fitoret e përkohëshme të të ligut.  Pamja e Ngjalljes së Zotit është e gjallë përpara syve të tij.  Gjatë natës së errët të jetës së tij, gjatë sulmeve të egra të ligësisë, gjatë tërbimit të hidhërimeve të njëpasnjëshme, besimtari sheh dritën e Ngjalljes, sheh shkëmbin ku mund të kapet dhe të mbahet i patundur, sheh spirancën prej ku mund të varret, dhe kjo spirancë e sigurt është premtimi i Zotit të Ngjallur, e cila ndër shekuj arrin deri në veshët e tij mistikë:

“O Zëri yt i ëmbël dhe hyjnor! Ashtu siç shpalle, me të vërtetë me ne je deri në mbarim të shekujve o Krisht, dhe ne besnikët gëzohemi dhe ngazëllohemi duke të patur Ty spirancë shprese.”

Drita e Ngjalljes ndriçon gjithë jetën e besimtarit.  Kjo dritë e shoqëron edhe atje kur të gjithë e braktisin, edhe atje ku llampat dhe llambadhet e botës shuhen, edhe atje ku trimat dridhen, edhe atje ku filosofët shtrydhin trutë duke u çuditur, edhe atje ku shkencëtarët të zbehur mbyllin librat e tyre dhe nuk shohin asgjë tjetër përveç errësirës që shpon sytë, zymtësi.  Zymtësi dhe errësirë e pamasë është varri.  Por për kë?  Për ata që nuk besojnë.

Por për atë që beson, për atë që mban në dorë lambadhen e Ngjalljes, varri ndriçohet, dhe duke qëndruar në varret e të dashurve ëmbëlsohet me vizionin e ngjalljes së përbashkët, e ngjalljes së të gjithëve, fillim i të cilës është Ngjallja e Zotit.  “Por tashti Krishti u Ngjall së vdekurish dhe u bë fillimi i atyre që kanë fjetur.” (Let.I.Pav.Korinth.15:20).

Dritë edhe në Ferr

Krishti u Ngjall!  Dheu ndriçohet.  Po vetëm dheu ndriçohet?  Drita e Ngjalljes depërton edhe në thellësitë e skëterrës dhe shpërndan atje dritën e ngushëllimit në shumicën e panumurt të të vdekurve.  Sa të sigurt jini që këtu në tokë festohet Pashka, po aq të sigurt të jini që do të vijë çasti kur do të dëgjohet edhe atje trumpeta e ngjalljes së të vdekurve, dhe menjëherë hadi do të boshatiset dhe vdekja do të zhduket dhe gjithë ata që shpëtuan do të psallin himnet festive: “Ku është o vdekje thumbi yt?  Ku është o had, fitorja jote?” (Let.I Pav.Korinth.15:55).

Krishti u Ngjall.  Dritë u bënë qiejt!  Krishti u Ngjall.  Ndriçohet dheu i tërë!  Krishti u Ngjall. Llamburit gjithë natyra!  Krishi u Ngjall, akoma dhe skëterra ndriçohet.
Skëterra?  Errësira ndriçohet?  Cila skëterrë?  Demonët!  Demonët?  Po, demonët.  Edhe demonët ndriçohen nga Ngjallja.  Por si ndriçohen?  Drita e Ngjalljes nuk është për ta gëzim, por ngjall frikë tek ata dhe iu kall tmerrin ushtrive të tyre; ashtu siç hidhet dritë mbi errësirën për të zbuluar fajtorin, i cili në atë moment do të deshte të zhdukeshin të gjitha drita e botës, të gjitha dritat elektrike, të gjithë diejt, që të mos gjendet asnjë dëshmimtar i krimit të tij, në këtë mënyrë pra ndriçohen demonët.  Dritën e Ngjalljes e panë edhe demonët dhe u drodhën nga frika.  Po, e panë edhe ata!  Ashtu siç thotë edhe Shën Ignat Hyjprurësi “Krishti i Ngjallur u pa edhe nga ëngjëjt, edhe nga njerëzit, edhe nga demonët”.  Demonët, përpara Ngjalljes kishin një ide të turbullt për Jisu Krishtin.  Dëgjonin dhe ndiqnin mësimet e tij.  Shihnin mrekullitë e tij.  Me vëmendje ndiqnin jetën e tij.  E konsideronin Jisuin një personalitet të rrallë dhe të veçantë, dikur e quajtën dhe Bir Perëndie (Matth. 8:29, Mark.5:7,Lluk.8:28), por kurrë nuk e imagjinonin që brenda Tij kishte tërësi hyjnore.  Personin e Krishtit vetëm e supozuan.  Pikërisht për këtë arësye i lëshuan me tërbim organet e tyre deri në vdekje.  Por varri, dhe pas varrosjes dhe ngjallja, vërtetuan misterin e madh.  Perëndi ishte dhe jo thjesht vetëm një njeri.  Skëterra nuk mund t’a nxinte, nuk mund t’a përfshinte dot Perëndi-njeriun.  Ashtu siç shkëlqyeshëm thotë dhe Shën Joan Gojëarti në një nga fjalët e tij:

“Skëterra mori trup brenda saj por i doli Perëndi.  Pranoi brenda tij dhe’ por u ndodh përballë qiellit.  Mori një të burgosur por fajtor nuk ishte… U Ngjall Krishti dhe demonët u dërmuan”.

Dritë kudo dhe përgjithmonë

Me ngjalljen pra të Zotit çdo gjë u mbush plot dritë.  Me këtë Dritë çfarë lloj drite tjetër, natyrale apo artificiale, do të mund të krahasohet?  Dielli?  Po dielli ndriçon dhe ngroh deri në një pikë të caktuar.  Ka në hapësirë distanca të tilla që nuk i arrijnë dot rrezet e diellit.  Por edhe pak metra poshtë sipërfaqes së detit dielli nuk depërton dot.  Për thellësitë pra të oqeaneve dhe për lartësitë e qiejve dielli nuk ekziston.  Një qiri pra i dobët ndriçon një qoshe të hapësirës së pamasë dhe të pafund.  Por Ngjallja e Zotit është dritë e paperënduar, dritë që ndriçon qiellin, dheun dhe skëterrën.  Rrezatimi që reflektohet nga Ngjallja e Krishtit nuk mund të kufizohet nga koha apo vëndi dhe distanca.  Drita mistike depërton kudo.  Edhe çfarë nëse dikush jeton në mes të Eskimezëve dhe një tjetër jeton në mes të Etiopianëve?  Edhe çfarë se dikush jetoi 3 shekuj përpara Krishtit dhe tjetri jeton në shekullin e 21-të pas Krishtit, dhe dikush tjetër do të jetojë 500 vjet më pas?  Drita e Ngjalljes depërton kudo pavarësisht pra nga koha dhe vëndi apo distanca.  Ndriçohen djepat e foshnjave, por në të njëjtën kohë ndriçohen edhe varret e paraardhësve.  Drita e Ngjalljes ndriçon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.  Ndriçon shekujt e tërë.

Çfarë do të mund t’a shuajë atë Dritë?  Ai që thotë se do të mund t’a shuajë Dritën e Ngjalljes ngjan me atë të marrin i cili hipi mbi një shtyllë telefonike dhe duke fryrë me tërbim mburrej se do të shuante diellin!  Përpjekje të kota dhe demonstrim çmëndurie do të thoni.  Por përpjekje vërtet të kota dhe çmënduri e vërtetë, themi ne, janë tentativat e të gjithë atyre të cilët me argumenta të marra të mëndjeve të tyre të luajtura vëndit mburren duke thënë se një ditë do të mund t’a shuajnë dritën që ndezi Ngjallja e Krishtit.
O të pabesë ndër shekuj!  Përqëndroni sa të doni të gjitha forcat tuaja në këtë pikë.  Flisni, mbani ligjërata, shkruani sa të doni, mprehni thikat sa të doni, ngjituni lart sa të doni.  Çfarëdo që të bëni Krishti u Ngjall!  Ky Diell gjithmonë do të ngjitet lart e më lart, do të shpërndajë retë, do t’a mposhtë gjithmonë errësirën dhe do të ftojë në shpëtim popuj dhe kombe të tërë.

“Ejani merrni dritë nga Drita që nuk perëndon”.

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

(ΑΠΟ ΤΟ ΒΙΒΛΙΟ ΤΟΥ Π. ΑΥΓΟΥΣΤΙΝΟΥ “ΠΑΣΧΑ” ΚΕΦΑΛΑΙΟ “ΗΜΕΡΑ ΦΩΤΟΣ”

Pyetja kritike

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Pyetja kritike

Predikim i mbajtur nga Episkop Avgustini, ish-Mitropoliti i Follorinës,
në Kishën Katedrale të Shën Pandelimonit, më 29 Qershor, 1969.

Sot, të dashurit e mij, është festa e Apostojve tropeprurës Petro dhe Pavli, dhe nesër festohet Mbledhja e të 12 Apostojve.

Apostojtë janë yjet e universit shpirtëror, lumenj të Shpirtit të Shënjtë, kolona të Kishës sonë, ndaj dhe ajo quhet Kisha Apostolike.  T’i lavdërojmë?  Nuk jemi të denjë.  Por edhe nuk kanë nevojë për lavdërimet tona.  Kishin bekime të veçanta në jetën e tyre, dhe morën fuqi të mëdha për punën e tyre.

Është vërtet i çuditëshëm fakti që edhe pse kishin prejardhje nga vënde të ndryshme dhe  të bashkuar më Shpirtin e Shënjtë” (nga Himnet e Esperinosë të 29 Qershorit).  Dymbëdhjetë tsecili prej tyre kishte karakterin e vet, prapëseprapë ishin të bashkuar.  Kisha jonë iu psall: “të ndarë nga trupat porrupa, por një shpirt, një frymë, një mendim, një ndjenjë.

Kush pra i bashkonte ata?  Figura e Zotit tonë Jisu Krisht, besimi tek Krishti. Besonin në mënyrë të patundur.  Themi edhe ne që besojmë, por besimi ynë as që krahasohet me besimin e Apostojve.  Për këtë besim të Apostojve do të më lejoni të dashurit e mij të bëj pak fjalë sot.  Për besimin bën fjalë fragmenti i Ungjillit të sotshëm.

Zoti, thotë Ungjilli i sotshëm, së bashku me të dymbëdhjetë nxënësit e tij u larguan nga kryeqyteti.  Në qytetet e mëdhaja shpesh-herë mblidhen tërë të këqijat.  Dhe në Jerusalem kishin strofkën e tyre Anna dhe Kajafa, si dhe Ponti Pillat.  U larguan pra dhe ecën drejt vëndeve të shkreta, “në anët e Qesarisë të Filippit” (pas Mattheut 16:13).  Larg prej zhurmës së qyteteve, pranë natyrës, e cila n’a sjell dhe pranë Perëndisë, atje ku dëgjohet fëshfëritja e gjetheve, atje ku dëgjohet dallëndyshja dhe bilbili, atje në mes të krijesës së pacënuar, atje në vende të largëta, atje shpirti gjen qetësi.

Atje pra dhe Krishti, duke ecur iu bëri nxënësve të Tij një pyetje.  Kjo pyetje përbën një nga problemet më të vështira, dhe nga zgjidhja e këtij problemi varet lumturia apo fatkeqësia e njerëzimit.  Iu bëri pra një pyetje ndaj të cilës nuk mund të qëndrojmë indiferentë.  Iu përgjigjën kësaj pyetjeje me luftë këmbëngulëse brezat e shkuar dhe do t’i përgjigjen asaj edhe brezat e ardhshëm.  Edhe brezit tonë të sotshëm i bëhet thirrje t’i përgjigjet asaj pyetjeje.  Edhe ty o i Krishterë, sot të bëhet thirrje t’i përgjigjesh, dhe nga përgjigjia që do të japësh do duket se sa vlen, do të të gjykoj nëse je i Krishterë apo jo.
Cila është pyetja që iu bëri Krishti Apostojve të Tij?  “Kush thonë njerëzit se jam unë?” dmth çfarë ide kanë për mua njerëzit?  Dhe ata si iu përgjigjën?  Dishepujt ishin njerëz të thjeshtë të popullit.  Ishin peshkatarë dhe zanatçinj, ndaj dhe ishin në kontakt të vazhdueshëm me populllin – në veshët e tyre vinte direkt jehona, komentet dhe përshtypjet që linte fjala e Krishtit në popull.  Sepse çdo figurë publike ndeshet dhe me kritikën – është e pamundur t’iu shmanget komenteve dhe llafeve.  Dhe iu përgjigjën.
Mësonjës, i thonë, njerëzia nuk të konsiderojnë një figurë dosido, të konsiderojnë si një burrë të madh.  Disa thonë se je Joan Pagëzori që tronditi ujrat e Jordhanit, disa thonë se je Profeti Ilia i cili hapte dhe mbyllte qiejt, të tjerë të konsiderojnë Ieremian, predikuesin e flaktë të së vërtetës së Perëndisë, ose dikush nga profetët e tjerë të mëdhenj.

Nuk u kënaq Krishti nga përgjigjet, dhe bën tani pyetjen kryesore: Juve, nxënësit e mij, kush thoni se jam? Mirë bota, këtë ide ka për mua, më konsideron një burrë madhështor – po juve si më konsideroni? (Matthe 16:15).  Qetësi absolute mbizotëron në pyll në këtë moment.  Dhe atje, nën yjet e qiellit, u dha përgjigjia.
Nxënësit dridhen dhe tronditen.  Nuk përgjigjen të gjithë bashkë si një turmë anarkiste, sepse janë një vëllazëri me disiplinë.  Përgjigjet pra në emër të të gjithë apostojve parëfronësi i tyre Petroja – ai bëhet goja e Apostojve.  Neve, o Zot, i thotë, nuk të konsiderojmë një burrë madhështor; ne të konsiderojmë më të lartë se burrat madhështorë të Dhjatës së Vjetër; neve besojmë se je “Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë” (Matthe 16:16).
Atëherë Krishti “u ngazëllua në shpirt”, dhe lavdëroi përgjigjen e dhënë.  Je i lumur, o Petro, ti një peshkatar i thjeshtë, ti që nuk lexove libra dhe fillosofira, e megjithatë gjete kyçin e së vërtetës, që është “besimi tek Krishti”.  Je i lumur pra, sepse pëgjigjia tënde nuk është rezultat i mendimit njerëzor; është guri/shkëmbi mib të cilin do të mbështetet ndërtimi i Kishës sime; kjo nuk është një shpikje njerëzore, por ndriçimi nga Shpirti i Shënjtë, zbulesa e Atit tim Qiellor. “I lumur je ti, Simon, bir i Jonajt, sepse mish edhe gjak nuk t’a zbuloi ty këtë gjë, por im Atë që është ndë Qiejt” (Matthe 16:17).
Oh çfarë fjalë!  Ai që lexon Ungjillin dhe nuk preket nuk është i denjë të quhet njeri.

Dhe më pas i thotë: “Se ti je Petro (Petra në Greqisht=Gur/Shkëmb), dhe përmbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time dhe dyert e hadhit nuk do të kenë fuqi mbi të” (Matthe 16:18).  Një shumicë e tërë kuptimesh rrjedh nga këto pak fjalë.
Fortësia e një ndëretese nuk duket aq shumë në muret apo çatinë e saj sa duket në themelet.  Ajo shtëpi që ka themele të shëndosha nuk ia ka frikën lumenjve, furtunave, tërmeteve.  Ashtu si çdo shtëpi ka themele, në të njëjtën mënyrë edhe Kisha si ndërtesë, që u ndërtua nga Perëndia, ka gur themeltar, dhe ky gur themeltar është Krishti.  Jisu Krishti është “A(lfa) dhe (Ω)mega, i Pari dhe i Fundit” (Apokalipsi 22:13).  Krishti është jo vetëm njeri i përsosur por edhe Perëndi i përsosur – është Perëndi-njeri.  Pikërisht këtë tha dhe Petroja “je i Biri i Perëndisë së gjallë”.  Dhe mbi këtë “shkëmb/gur” mbi këtë të vërtetë të patundur është e themeluar dhe Kisha.

Frangët dhe Latinët (romeo-katolikët) e shtrembërojnë kuptimin e kësaj fraze të Ungjillit dhe thonë që “guri/shkëmbi” është vetë Apostoll Petroja.  Gabim!  Ky gur/shkëmb është besimi që shpalli Petroja, besimi pra (i Petros) tek Hyjnia e Krishtit.  Papistët e keqinterpretojnë këtë frazë duke dashur të mbështetin pikërisht tek kjo frazë teorinë e tyre të vendit të parë në botë të papës së Romës.  Interpretimin e saktë e dhanë Etërit e Shënjtë të Kishës: “Ti je Petroja, dhe besimi yt është guri/shkëmbi mbi të cilin do të mbështes Kishën time dhe ajo do të mbetet e pamposhtur dhe fuqitë e hadhit nuk do t’a pushtojnë dot”.

Kush është Kisha?  Kishë i themi zakonisht ndërtesës të Kishës.  Por një ndërtesë shpërbëhet dhe zhduket – koha, apo një tërmet, apo sulmet e ateistëve mund t’a prishin atë, t’i bien dhe t’a bëjnë gërmadhë.  Por Kisha e Krishtit, edhe sikur të gjitha muret e Kishave të bëhen gërmadhë, nuk mund të mposhtet.  Kisha nuk është ndërtesa, muret dhe suvatë.  A e dini se kush është Kisha?  E sheh atë nënën me të voglin e saj në krahë që belbëzon fjalët “Krisht” dhe “Mëshiro o Zot”?  E sheh atë të riun që i bën rezistencë rrymës dhe influencës së sotme shoqërore? E sheh atë plakun e moshuar që me gjunjët që i dridhen vjen për t’u kunguar?  E sheh atë punëtorin, atë bujkun, atë shkencëtarin, atë profesorin, atë gjeneralin ushtarak, atë arhondin, që mbajnë në duar Ungjillin e Shënjtë, dëgjojnë zërin e ndërgjegjes brenda tyre, bëjnë kryqin dhe gjunjëzohen përpara petrahilit të priftit?  Këta pra janë Kisha.  Kushdo që pagëzohet në emër të Trinisë së Shënjtë, beson tek Krishti dhe zbaton porositë e Zotit, kushdo pra prej tyre përbën Kishën.  Kisha është në mes të zemrave të njerëzve.  Atje ka zënë rrënjë dhe nuk ia ka frikën stuhive apo dëbimeve dhe përndjekjeve.  Akoma dhe dyert e ferrit të hapen dhe të dalin demonët për t’a luftuar Kisha do të mbetet në jetë të jetëve.

Sot nuk është i rrallë floriri – sot shumë i rrallë është besimi.  E tha dhe Krishti vetë: “Kur të vijë përsëri i Biri i njeriut vallë do të gjejë besë mbi dhe’?” (Lluka 18:8).  Në çdo njëqind veta gjen a s’gjen një të vetëm që të besojë.  Të tjera “besoj” të rreme mbizotërojnë.  Në mes tyre, besimeve të gënjeshtërta pra, qëndron si Far Qiellor Besimi i Kishës tonë, qëndron “besimi” i Petros, i Pavlit, i peshkatarëve, i shpirteve të thjeshta.  Thonë për matematicienin e madh francez Paskal, që admironte tepër një fshatar gjatë kohës që lutej, dhe tha: nuk dua shkencën, nuk dua fillosofinë, dua besimin e fshatarëve.
O Krisht Perëndia jonë – nuk duam dritat e gënjeshtërta, kotësinë dhe pasuritë e kësaj bote – epna o Krisht besimin e Apostojve, besimin e martirëve të shënjtë, besimin e Etërve tanë të shënjtë, besën e paraardhësve tanë.  O Krisht “shtonai besën” (Lluka 17:5).  Pa atë nuk mund të rrojmë dot.

Hapni të dashurit e mij Ungjillin e Shënjtë, Veprat e Apostojve, letrat e Apostoll Pavlit.  Dhe pyetjes bazë “Kush thonë njerëzit se jam unë?”, pyetje që n’a i drejton Krishti edhe neve sot, çdo shpirt prej jush, edhe unë episkopi edhe juve le t’i përgjigjemi si Apostoll Petroja: Po o Zot, besoj se Ti je “Krishti, i Biri i Perëndisë së gjallë”. Amin.

Përktheu nga Greqishtja
Aleksander P. Filip
29 Qershor, 2008

Me dashuri dhe respekt të thellë ia përkushtoj autorit…
Paçim uratat dhe bekimet e tua Hirësi…

Nga botimet mujore “E DIELA-ΚΥΡΙΑΚΗ”

ΤΩΝ ΑΠΟΣΤΟΛΩΝ ΠΕΤΡΟΥ ΚΑΙ ΠΑΥΛΟΥ

(ΦΥΛ. ΚΥΡΙΑΚΗΣ ΙΟΥΝΙΟΥ 2008)

MBAROI

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

MBAROI

Predikim gojor i mbajtur të Premten e Madhe
të vitit 1965 nga atëhere arqimandrit At Avgustini
Fragmenti u shkëput nga  libri “Drejt Golgothasë – ΠΡΟΣ ΤΟΝ ΓΟΛΓΟΘΑ”

Jisui pra kur mori uthullën tha: Mbaroi,
dhe uli kryet e dha shpirtin.
(Joan 19:30)

Vdekja, të dashur të krishterë, është e frikëshme.  Fundi i çdo njeriu shkakton prekje, sidomos fundi i atyre njerëzve me të cilët jemi të lidhur nëpërmjet gjakut apo miqësisë.  Fundi pra i njerëzve me të cilët jemi të lidhur, por edhe fundi i atyre njerëzve të cilët kanë dhënë kontribut të madh ndaj njerëzimit n’a prek dhe n’a kushton.  Kush prej nesh të mbledhur sot për të marrë pjesë në vojtjet e shënjta të Shpëtimtarit, kush pra prej nesh këto ditë nuk kujton me lotë në sy prindërit e tij apo të afërmit e tjerë të familjes si dhe miqtë e tij, të cilët nuk janë më në këtë jetë?  Kush nuk kujton fjalët e fundit që i tha secilit prej nesh nëna apo baba, apo fjalët e fundit të personave të tjerë të dashur?  Mbarimi i personave tanë të dashur n’a prek thellë dhe n’a trondit.  Dhe fjalët e tyre të fundit mbeten të paharruara.  Dhe nëse prekemi nga fundi i të dashurve tanë dhe fjalët e tyre të fundit n’a tronditin, shumë herë më tepër duhet të n’a tronditë fundi i Atij i cili është i dashuri i të dashurve, fundi i Atij i cili i bëri aq mirë njerëzimit sa askush tjetër në botë, duhet të n’a tronditë fundi i Atij ndaj të cilit dashuria jonë duhet të tejkalojë çdo dashuri tjetër të dheshme.

Ja Zoti ynë!  Po kalon çastet e fundit të jetës së tij të dheshme.  Është i shkretë.  Është i braktisur.  Nuk ka asnjë lloj përkujdesjeje, bile as përkujdesjet më bazë të cilat ia ofrojnë atij që vuan familja dhe miqtë.  Dëgjon mallkime dhe sharje.  Dy drurë të fortë bëhen shtrati i tij.  Jastëku i tij është kurora me gjëmba.  Balli i tij, këmbët dhe duart e tij janë tërë gjak.  Sytë e tij shuhen.  Zemra e tij jep rrahjet e saj të fundit.  Gjuha e tij e thatë trokë dhe e ngjitur pas laringut, ashtu siç thotë dhe psallmi (Psallm 21:16).  E megjithëse i braktisur dhe i shkretuar, edhe pse piu kupën e hidhur së bashku me llumin,  edhe pse u godit fort me kamxhik, edhe pse veshët e Birit të Virgjëreshës dëgjuan sharje dhe mallkime, edhe pse turma u tregua kaq msomirënjohëse duke preferuar të lirohet Varavai në vend të tij, edhe pse gjyqtarët treguan gjithë ligësinë dhe armiqësinë e tyre ndaj tij, edhe pse zemra njerëzore u tregua akoma më e ligë dhe më e egër sesa zemra e tigrit, heroi i Golgothasë – shumë e përulët shprehja që thashë – e megjithë këto Ai ruan gjithë gjakftohtësinë e shpirtit të Tij.

Është i dënuar.  Pas pak jep shpirt.  Nëse dikush prej nesh u gjend pranë të dënuarve me vdekje në momentet e tyre të fundit, do të kujtojë që nga goja e tyre në momentin e fundit dolën fjalë të hidhura dhe rënkime, shpeshherë akoma dhe mallkime dhe vlasfimira kundër atyre të cilët i konsiderojnë si shkaktarë për dënimin e tyre.  Por nga goja e Zotit nuk del asnjë mallkim.  Nga buzët e tij të qashtra dalin rreze drite, dalin bekime, dalin fjalë të cilat edhe pse të shkurtra dhe të prera përmbajnë kuptime mbihyjnore, duke ua kaluar në lartësi dhe thellësi të gjitha fjalëve të të gjithë filosofëve të cilët admiron kjo botë.
Ashtu si çdo vënd i Tokës së Shënjtë, bregdeti i Tiveriadhës dhe shkretëtira, kodrat dhe hijet e pemëve, lumi i Jordhanit dhe çdo vend të cilin e shkelën këmbët e qashtra të Jisuit përpara se të kryqëzohej, shdërohen në Kishë të bukur dhe në amvon, kështu dhe kryqi, mbi të cilin jepnin shpirt përbindëshat e tmerrëshëm të perandorisë Romake, nga momenti që pranoi sipër drurëve të tij të fortë trupin e kulluar të Zotit, automatikisht u shdërrua në tribunë e cila tejkalon tribunat e të gjithë oratorëve, u shdërrua në tribunë e cila qëndron më sipër se çdo tribunë tjetër e kësaj bote, u shdërua kryqi në një amvon të lartë dhe superhyjnor, u shdërua – që të përdor dhe një fjalë bashkëkohore – në një radiostacion i cili vazhdon ndër shekuj të transmetojë në botë mesazhet më të larta dhe më të bukura.
Shtatë mesazhe transmeton ky radiostacion i shënjtë, shtatë janë fjalët e kryqëzimit.  Si adhurues të përulur, si krimba që zvarritemi përpara këmbëve të të Kryqëzuarit, si hiç, të padenjë bile të zemë në gojë emrin e tij, mëkatarë mbi të gjithë mëkatarët, ndjejmë mjerrimin tonë gjatë kësaj dite të shënjtë.  Dhe ndofta duhej të heshtnim, duhej të derdhnim lotë, duhej të rënkonim, të gjenim ndonjë vrimë të shkretë ku të qanim për mëkatat tona, këto ndofta duhej të bënim.  Nuk ka gjuhë të himnojë të Kryqëzuarin, nuk ka penel të pikturojë ikonën e Tij të përmbi-bukur, nuk ka poet që të arrijë në lartësinë e paarritur të madhështisë së Zotit tonë Jisu Krisht.
Adhurues pra të përulur, duke e shoqëruar Jisuin gjatë gjithë ditëve të mëparshme të Javës së Shënjtë, vijmë dhe sot përpara tij.  Le t’i mbyllim veshët tanë ndaj zërave përdhosës së kësaj bote, dhe duke hapur veshët e brendëshëm, veshët pra të shpirtit tonë le të dëgjojmë vetëm fjalën e njërit, fjalën e Perëndi-njeriut, fjalën e parafundit prej të shtatë fjalëve të kryqëzimit; është fjala “Mbaroi”.
Do të përpiqem të interpretoj këtë fjalë të Zotit.  Çfarë thashë? Të interpretoj? Është pafytyrësi kjo që them.  Jo, nuk mundem.  Më duhet të rrëfej përpara jush pazotësinë time për të hyrë në kuptimet e thella që përmban fjala e Zotit.  Fjala “Mbaroi” është një oqean mesazhesh qiellore.  Vetëm do të guxojmë të prekim sipërfaqen e oqeanit.  Dhe ashtu si dallëndyshet, të cilat në pranverë fluturojnë sipër detit dhe ulen duke iu afruar sipërfaqes dhe me cepat e krahëve të tyre prekin ujërat e kaltërta, në të njëjtën mënyrë edhe ne, si dallëndyshe pranvere duke prekur detin e mesazheve hyjnore, do të përpiqemi të marrim dhe më pas të ofrojmë një pikëzë prej oqeanit hyjnor të fjalës “Mbaroi”.

*****

“Mbaroi”! Mbaroi pikë së pari një jetë të cilën edhe me mikroskop sikur t’a analizonim nuk do të gjenim në të as edhe një njollë, as mangësinë më të vogël.  Çdo jetë njeriu, duke filluar që nga më i përuluri dhe deri tek më të lartët të cilët kjo botë i admiroi, paraqet mangësi.  Edhe sikur një ditë të vetme të rrojë njeriu mbi dhe’ nuk mund të jetë i pamëkatëshëm, thotë Jovi i shënjtë (14:4-5).  Një historian thotë “u lindëm që të mëkatojmë”.  Mangësi dhe dobësi vihen re edhe në jetët e më të shënjtëve.  Mangësi vihen re edhe në jetën e filosofit të lashtë Grek i cili mësonte vetënjohjen dhe lartësinë e virtytit (Sokrati).
Disa duan dhe guxojnë t’a krahasojnë atë filosof me Krishtin.  Ky krahasim është përdhosje.  Jeta e Krishtit, e ekzaminuar qoftë me teleskop qoftë me mikroskop nuk paraqet as edhe njollën më të vogël, as edhe mangësinë më të vogël.  Krishti është Emanueli i panjollëshëm dhe i qashtër.  Dielli ka njolla – kjo është vrojtuar – por dielli shpirtëror i cili shkëlqen me rrezet e tij prej tribunës së Kryqit nuk paraqet as edhe një pikël apo njollën më të vogël.
Më kot përpiqen armiqtë e Krishtit duke bërë kërkime në Ungjillin e Tij, dhe më kot i shtrydhin trutë me shpresë se mos zbulojnë mangësi tek Krishti.  Armiq të vjetër apo të rinj të Krishtit përpiqen t’i bëjnë anatomi jetës së Krishtit, dhe i ngjyejnë penat e tyre në helmin e fjalës së tyre vallaha’ artistike duke hedhur kështu baltë mbi fytyrën e Zotit, por më kot.  Ponti Pillat vërteton që ata janë mashtrues.  Pillati nuk e njohu Krishtin.  Por vetëm disa orë, gjatë të cilave Jisui qëndroi në pallatin e tij ushtarak, ishin të mjaftueshme për t’a bindur që Ai ishte i përsosur.  Tri herë doli në ballkonin e pallatit ushtarak dhe trumbetoi “Unë nuk gjej ndonjë faj tek Ai” (Joan 18:38).  Ëndra që pa një natë më pare gruaja e Pillatit, Klaudia Prokla, e konfirmonte me siguri dëshminë e Pillatit.  Gruaja pra e Pillatit me indinjim protestoi dhe tha: “Mos i bëj gjë atij të drejti, sepse shumë pësova në ëndërr për të.” (Matthe 27:19).
N’a siguorjnë për qashtërinë e Tij edhe dishepujt të cilët e panë vetë me sytë e tyre dhe e dëgjuan vetë me veshët e tyre: “Nuk bëri asnjë mëkatë, dhe asnjë mashtrim nuk doli nga goja e tij”, n’a thotë Shën Pjetri në Letrën e tij të Parë 2:22).  Pyetja që Krishti iu drejtoi armiqve të tij, pikërisht ajo pyetje që do t’iu drejtohet armiqve ndër shekuj, pyetja pra “Cili prej jush më shan për faj?” (Joan 8:46) nuk ka përgjigje.
Virtyti dhe mirësia e Jisuit ndrit dhe shkëlqen si dielli, vrityti dhe mirësia e Jisuit tejkalon virtytin dhe mirësinë e ëngjëjve, virtyti dhe mirësia e Jisuit është Dritë.  Ashtu sikunëdr drita përthyhet kur del nga prizmi dhe nxjerr shtatë ngjyrat e ylberit, kështu dhe virtyti i Krishtit përthyhet nga Kryqi si prej prizmit dhe lëshon ngjyrat e të gjitha virtyteve.  Virtyti i Krishtit mbuloi qiejt.  “Virtyti yt o Krisht mbuloi qiejt”, psallën sot Kisha.
Mbaroi pra një jetë aq e qashtër, aq e shënjtë dhe hyjnore sa të tillë tjetër kurrë nuk ka për të patur mbi dhe’.

*****

“Mbaroi” një jetë e cila paraqiti një diçka tepër mahnitëse.  Vini re me kujdes ju lutem.  Jeta e Zotit u profetizua që më parë.  N’a u mësua veshi me fjalën profeci dhe nuk n’a bën më përshtypje.  Por ju pyes: kush prej nesh mund të parashikojë, duke patur dhe vetinë më të vogël parashikuese, se kush do të qeverisë vendin pas 100 vjetësh?  Askush pra.  E ardhmja nuk dihet, e ardhmja është pafundmëri.
As çfarë do sjellë e nesërmja nuk di njeriu.  E megjithatë, ndërsa jeta e njerëzve fillon vetëm pas lindjes së tyre, dhe ndërsa jeta e burrave historikë shkruhet vetëm pasi mbaron jeta e tyre mbi dhe’, jeta e Njërit u parashkrojt shumë vite përpara se Ai të paraqitej mbi dhe’.  A ishte e mundur për shembull që të parashkruhej historia e Aleksandrit të madh të Maqedonisë përpara se të lindte dhe përpara se të bënte gjithë ato bëma që bëri? E megjithatë jeta e Krishtit ishte parashikuar dhe parashkruar përpara shekujsh të tërë, ishte shkruar 500, 1000, 1500, 2000 vjet përpara se Ai të lindej mbi dhe’.
Që prej kohës së Adhamit kishin filluar profecitë për Krishtin dhe kështu kishte filluar shkrimi i historisë së Krishtit.  Adhami e pa i pari Krishtin, duke dëgjuar zërin e Perëndisë t’i thotë se një prej pasardhësve të tij (Adhamit pra) do të bënte betejë të ashpër dhe në fund të betejës do të shkatërrohej koka e dragoit (Të Bërët 3:15).  E pa Noe si ylber zemërgjërësie në qiell që ndriçonte botën (Të Bërët 12:2-3), 13:16).  E pa Moisiu në ferrën që nxirrte zjarr (Të Dalët, kapitulli 3).  E pa profeti Iezekil, në fillim si përrua i cili me kalimin e kohës u shdërua në një lumë të thellë pranë brigjeve të të cilit lulëzuan kopshte me lule erëmira (Të Dalët, kapitulli 47).
E panë të gjithë profetët.  Por më qartë se gjithë të tjerët e panë Davidi dhe Isaia.  Nuk dua t’ju lodh më tepër në këtë pikë.  Vetëm ju lutem, hapni Dhjatën e Vjetër dhe lexoni psallmin e 21-të të Psalltirit, si dhe kapitujt 52 dhe 53 të profetit Isaia.  Dhe atje do të shihni jo thjesht të skicohet, por tepër gjallë të pikturohet ikona e të Kryqëzuarit.  Duke lexuar psallmin e 21-të dhe kapitujt 52 dhe 53 të Isaias duket sikur Davidi dhe Isai japin – më lejoni të them këtë shprehje – sikur japin reportazh duke qënë të pranishëm poshtë Kryqit dhe mbajnë shënime për çastet e fundit të Nazareasit që po vdes.  E megjithatë nuk jetuan në kohën e Krishtit, nuk u gjendën në Golgotha së bashku me ushtarët dhe nxënësit e Krishtit, nuk e panë me sy dhe as nuk e dëgjuan me veshët e tyre Krishtin, por jetuan njëri 1000 vjet dhe tjetri 800 vjet përpara Krishtit.
Ju pyes: nëse të gjitha këto profeci nuk u përmbushën në personi i Krishtit atëhere në cilin person të historisë mbarë botërore u përmbushën?  Kjo veshje e Profetive të Mesias, e cila u end me penjë të shumëllojshëm në punishten e pëlhurave të përjetësisë, nuk i ka hije një xhuxhmaxhuxhi magjik, nuk i ka hije një statuje, nuk i ka hije thjesht një profeti apo filosofi, nuk i ka hije një mbreti, por i ka hije vetëm Atij lartësia e të Cilit tejkalon yjet e qiellit.  Pyesim Judhenjtë: tek kush përmbushen profecitë që kini në Dhjatën e Vjetër?  Vetëm të verbërit nuk mund të shohin që pas profecive është personi i shënjtë Jisu Krishti.
Dijetarë hebrenj të kohëve të fundit, rabinë të cilët nga njëra anë kanë librat e profecive të tyre dhe nga ana tjetër kanë jetën e Krishtit, duke i krahasuar të dy palët rrëfejnë që Jisu Krishti është përmbushja e profecive të Dhjatës së Vjetër.  Përpara disa vitesh një rabi shprehu me sinqeritet pas studimit të Dhefteronomit që Jisu Krishti është Mesia që pritej.

*****

“Mbaroi” një jetë përsosmëria e së cilës nuk ka të dytë në botë.  “Mbaroi” një jetë e cila – si fenomen i vetëm në botë – u parashkrojt përpara se të fillonte mbi dhe’.  “Mbaroi” një jetë e cila përmban paradoksin e mëposhtëm.  Njerëzit kur jetojnë mbi dhe’ mund të n’a ndihmojnë apo të n’a bëjnë mirë për aq kohë sa janë gjallë, por pas vdekjes ndalojnë të gjitha bamirësitë apo ndihmat dhe s’kanë më se ç’të n’a bëjnë.  Ndaj gruaja qan ku i vdes burri, ndaj qajnë fëmijët kur iu vdes babai, ja pra pse qajnë popujt e tërë kur iu vdesin udhëheqësit e tyre të mëdhenj.  Me vdekjen ndalojnë bamirësitë e këtyre njerëzve.
Oh çfarë misteri! Më vjen zali në këtë moment.  A e kuptuat se çfarë ju thashë? Njerëzit kur rrojnë n’a ndihmojnë dhe n’a bëjnë mirë.  Por kur vdesin ndalojnë bamirësitë.  O Krisht, çfarë oqeani që je!  Kush mundet t’a konceptojë këtë mister?  Vdekja e Jisu Krishtit nuk është vdekje e një njeriu të zakonshëm; vdekja e Jisu Krishtit është vdekja e një njeriu i cili i tejkalon të gjitha lartësitë e virtytit dhe urtësisë njerëzore.  Vdekja e Jisu Krishtit është jeta jonë.  Jeta jonë? Vdekja jetë?  Oh sa gjëra paradoksale!
Në këtë pikë të dashur vëllezër i lutem Shpirtit të Shënjtë të ndriçojë mëndjet tuaja sepse në qoftë se nuk kuptoni këtë pikë atëherë më kot quheni të Krishterë.  Cila është kjo pikë?  Është kjo: Kryqi i Zotit nuk është vetëm një amvon i lartë, nuk është vetëm një podium qiellor, nuk është vetëm një radiostacion hyjnor i cili n’a drejton mesazhe qiellore; Kryqi i Krishtit – o Krisht
Shpëtimtari ynë i Kryqëzuar, o Shpirt i Shënjtë të lutem ndriçoi mëndjet e lexuesve të mij që të kuptojnë siç duhet Shkrimet e Shënjta – Kryqi i Krishtit është… çfarë është?

Hidhini një sy Kishës.  Veçoni gjënë më të shenjtë që ka Kisha; nuk janë as polielet as kandilet.  Gjëja më e shënjtë dhe më e veçantë që ka Kisha është Trapeza e Shënjtë.  Po t’ia heqim Kishës Trapezën e Shënjtë Kisha nuk është më Kishë.  Por Trapeza e Shënjtë ka mbështetëse të Premten e Madhe, ka mbështetëse Kryqin.  Kryqi është tribunë qiellore, Amvon i lartë, është radiostacion transmetues i mesazheve hyjnore.  Dakord deri këtu?  Por mos qëndroni deri këtu – ecni përpara me besim.  Ah sikur të mundja të mbjell në zemrat tuaja besimin!  Kë besim?  Besimin që Kryqi është alltar, është therrore, është sakrificë që s’ka të dytë!
Pikat e gjakut që rrjedhin nga kurora me gjëmba, pikat e gjakut që rrjedhin nga duart dhe këmbët e shpuara me perona, ai gjak është shpëtimi ynë.  Mos më flisni as për flori, as për argjënd, as për gurë të çmuar, dhe për asnjë gjë tjetër.  Çdo molekulë, çdo elektron i gjakut të Krishtit – o bamirësi hyjnore dhe e lartë- çdo elektron i gjakut që pikon mbi tokë, mbi tokën mëkatare dhe përdhosëse, çdo pikë gjaku bëhet lumi i Jordhanit brenda të cilit lahen në përjetësi të gjithë mëkatarët e dheut. “Gjaku i Jisu Krishtit n’a pastron nga çdo mëkatë (Let. I Joan 1:7).  “Mbaroi” pra jeta e Atij sakrifica e të Cilit u bë shpëtimi i njerëzimit.

*****
“Mbaroi”! Të shpreh akoma dhe një mendim tjetër, mbaroi jeta që ka edhe këtë të veçantë tjetër që s’e ka asnjë jetë tjetër: ndërsa në varret e njerëzve shkruhet që jetoi nga ky vit deri në këtë vit, në varrin e Krishtit nuk shkruhet “jetoi” por “jeton”.  Po! Rron dhe mbretëron Krishti në jetë të jetëve.  Oh çfarë misteri!  Ai Nazareasi i përulur, që nuk kishte asnjë qindarkë në xhepat e tij, ai që u përbuz dhe u braktis, ai që nuk kishte asnjë lloj arme, ai që nuk i shërbyen as nxënësit e tij, Ai jo vetëm që jetoi 33 vjet mbi dhe’ dhe realizoi shumë më shumë gjëra të pakrahasueshme sesa ai filosofi i lashtë i Greqisë, por edhe rron dhe mbretëron.  Vdekja e tij nuk ishte mbarimi, ashtu siç e interpretuan armiqtë e tij, por ishte fillimi i jetës së re të botës.  Mbretëria e Krishtit nuk do të ketë kurrë mbarim!

*****
Vëllezërit e mij! Ju paraqita Kryqin e Zotit si një amvon i lartë, si një radiostacion qiellor, si një sakraficë qës’ka të dytë.  Oh çfarë shpërfytyrimi, çfarë shndërrimi, çfarë mrekulli!  Kryqi u bë Froni i Mbretit Krisht!  Në frone të tjera të cilat u ngritën si kështjella të larta, shpesh-herë mbi piramida eshtrash, që u ngritën me dhunë dhe shfrytëzimin e popujve u ulën të mëdhenjtë dhe mbretërit e kësaj bote.  Por nuk më thoni, ku janë tani ato frone?  Ato frone që shpëtuan nga furtunat e kryengritjeve, ato frone që shpëtuan nga kalbja dhe shkatërrimi tani gjenden nëpër muzeumet e Londrës dhe të Parisit si relika, si kufoma.  Ku janë kurorat dhe gradat që zbukuronin krerët e të mëdhenjve të kësaj bote?  Edhe ato katandisën relika.  Por Froni i Zotit ekziston dhe është akoma i lartë.  Froni i Zotit mposht kohën dhe rrjedhën e saj dhe do të vazhdojë të ekzistojë përgjithmonë.  Ky Fron është Kryqi.  Kallami që i vunë në dorën e djathtë është shkopi mbretëror.  Me atë kallam i mposhti Nazareasi të gjithë skeptrat e tjerë mbretërorë.  Dhe kurora prej gjëmbash është kurora mbretërore e Zotit Krisht.
Ja pra mrekullia.  Kaluan 20 shekuj që atëhere kur u ngjit mbi Kryq Krishti.  Dhe deri sot vijnë përpara Kryqit dhe do të vijnë shumicë njerëzish si valë deti me zërat e tyre si gumëzhima e ujrave, vijnë dhe do të vijnë përgjithnjë për të djegur përpara këmbëve të të Kryqëzuarit temjanin e adhurimit të tyre ndaj Tij.  Vjen foshnja që e mban nëna në krah dhe puth Kryqin, vjen i moshuari me flokë të thinjura, vjen dyqanxhiu vjen dhe zyrtari, vjen mbreti vjen dhe fshatari, vjen bariu analfabet që nuk di të verë as firmën vijnë gjithashtu edhe shkencëtarët e mëdhenj dhe ulin kryet e tyre përpara të Kryqëzuarit, të gjithë vijnë dhe puthin me adhurim dhe dedikim të Kryqëzuarin – Gëzohu o mbreti ynë!

*****
Por çfarë dëgjoj kështu?  Midis kësaj njohje në mbarë botën të Krishtit si udhëheqës dhe ndriçues dëgjohen dhe zëra të çakorduar.  Ka edhe ateistë, ka patur dhe do të ketë fatkeqësisht deri në mbarim të shekujve.  Po a nuk dëgjoni se çfarë thotë Ungjilli?  “Do të vështrojnë mbë atë që shpuan” (Joan 19:37).  Është e sigurt pra që do të vijë një moment kur edhe armiqtë më të mëdhenj të Krishtit do të përulin kryet përpara të Kryqëzuarit “Në emrin e Jisuit do të unjet çdo gju i atyre që janë në qiejt e mbi dhe’ edhe nën dhe’.  Edhe çdo gjuhë do të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot për lavdi të Perëndisë Atit.” (Let. Pav. Filip. 2:10-11).
Në këtë moment më vjen ndërmend një ateist.  Jetoi gjatë shekullit të 19-të dhe shkroi një libër me fjalë magjepsëse.  Libri ishte kundër Hyjnisë së të Kryqëzuarit.  Por në fund të librit, deshi s’deshi himnizoi madhështinë e Jisu Krishtit.  “Prehu”, thothë – “në lavdinë tënde o nismëtar bujar.  Vepra jote shkoi dhe nuk kthehet më.  Prej lartësisë së heshtjes hyjnore do të shohësh rezultatet e mangëshme të punëve të tua, të paqëndrueshmërisë njerëzore… Me mijëra njerëz do të lartësohen, nëpërmjet teje.  Flamur do të kemi kundërshtimet tona ndaj teje.  Ti do të jesh pika për të cilën  do të bëhen beteja të përflakta.  Për mijëra njerëz do të jesh guri themeltar i njerëzimit, por ai që të dojë do t’a fshijë emrin tënd nga faqia e dheut dhe do të tronditet emri yt nga themelet…”.
Nuk e di të dashur vëllezër – të ardhmen e njerëzimit.  Por edhe nëse – shënojeni mirë në mendjet tuaja – edhe nëse njerëzimi arrin yjet dhe ndërton aeroporte në Hënë dhe në Mars, edhe nëse supozojmë që në Mars banojnë qënie të llogjikshme më të mira se ne, të jeni të sigurt që nuk kanë për të patur fe’ më të lartë se feja e Nazareasit.
I bekuar pra qoftë emri i Tij në jetë të jetëve.  Le të mbyllen gojët e të pafeve, u zhduktë ateizmi nga faqia e dheut dhe le të bëhemi të gjithë një kitarë e cila të himnojë ndër shekuj emrin, emrin e emrave, emrin e bekuar dhe të përmbilavdëruar të të Kryqëzuarit
Nuk do të desha në këtë pikë të mbyll fjalën time pa vënë në dukje akoma dhe një të vërtetë tjetër.  Cilën të vërtetë?

*****

“Mbaroi”! E Premtja e Madhe që në kohët e hershme është lidhur me kujtimin e atyre të dashurve tanë që kanë vdekur.  Dhe gjatë kësaj dite shkojnë të Krishterët nëpër varret e të dashurve të tyre, dhe së bashku me të Vdekurin e Madh kujtojnë të vdekurit e tyre të vegjël.  Kjo ditë lidhet me kujtimin e vdekjes.
Do të më lejoni të hedh një sy mbi jetën tuaj.  Nga dashuria ime për ju do të them diçka për shpirtet tuaja.  Ju lutem mos më konsideroni si fallxhor të mandatave të këqia.  Lutem që Zoti të mbulojë me Hirin e Tij jetët tuaja, familjet tuaja, dhe të gjithë ne.  Uroj që të mos shohin më sytë tanë Pashkë të dhimbshme dhe tragjike, ashtu si ato Pashkë që ne më të vjetërit kemi jetuar në të kaluarën.  Por më lejoni të them këtë: mos ndoshta kjo e Premte e Madhe që festojmë sot është e Premtja e Madhe e fundit për disa prej nesh?  Kush n’a ka firmosur kontratë që kjo e Premte e Madhe nuk është e Premtja e Madhe e fundit e jetës sonë? Mundet fare mirë të jetë e fundit për mua që ju flas, dhe mund të jetë e fundit për ju që më dëgjoni, dhe kështu të mos shohim më të Premte të Madhe këtu në tokë.  Nëse jeta e Krishtit është dritë dhe model, nëse çdo fjalë e tij u shkrojt për të shërbyer si yll ndriçues që n’a çon tek e vërteta, ejani atëhere vëllezër dhe mbyllni veshët tuaj ndaj ulërimave të kësaj bote, përqëndrohuni në punët e shpirtit tuaj dhe merreni fjalën “Mbaroi” dhe bëheni peshore me të cilën të matni punët e jetës suaj të deritanishme.
“Mbaroi”! tha Ai dhe me qetësi shpirtërore e dorëzoi shpirtin e tij në duart e Atit Qiellor.  “…dhe uli kryet dhe dha shpirt” (Joan 19:30).  Pyetjen e mëposhtëme ia drejtoj në rradhë të parë vehtes sime, jua drejtoj dhe juve.  Vjen ora kur ëngjëlli që lartazi zbret në tokë dhe merr shpirtin tonë.  Në atë moment, a mundet që secili prej nesh të thotë atë që tha dhe Krishti “Mbaroi”???
O prindër që jetoni në shekullin e 20-të apo të 21-të, në shekullin e çnderimit, shkatërrimit dhe korruptimit, nëna dhe baballarë që keni fëmijë, a mundeni që në momentet e fundit të jetës suaj, kur fëmijët tuaj ju rrethojnë duke qarë, a mundet që të thoni dhe ju: O Zot, detyrat tona si prindër i përmbushëm në këtë botë, aq sa kishim mundësi bëmë, i ushqyem edhe trupat por edhe shpirtet e fëmijëve tanë, dhamë shembullin tonë të mirë tek fëmijët tanë, O Zot “Mbaroi”.  A mundet t’a thoni atë fjalë ashtu siç e tha Krishti?  A mundet të thoni “Ja unë dhe fëmijët që më dha Perëndia”? (Isaia 8:18, Let.Pav.Hebr.2:13).
Ju mësues dhe profesorë që kini ndërmarrë veprën e shënjtë të edukimit të brezave të rinj, bëjini analizë vehtes tuaj dhe pyesni vehten tuaj: a japim mësim ashtu siç mësoi Nazareasi?  A mbjellim në zemrat e nxënësve tanë mësimet hyjnore të Zotit tonë?  A do të mundni ju o mësues dhe profesorë kur të vijë fundi, juve si mësues të vegjël përpara Mësonjësit të Madh të thoni “Mbaroi”???
O ju drejtorë, gjeneralë, arkondë dhe mbretër që uleni nëpër frone të larta, a do të mundeni kur të afrohet fundi i jetës suaj dhe kur kryeëngjëj do të fluturojnë sipër pallateve dhe froneve tuaja për t’ju marrë shpirtin, do të mundeni pra të thoni dhe ju atë që tha Krishti “…nuk erdha që të shërbehem por të shërbej”??? (Matth.20:28, Mark10:45).  A është jeta juaj dedikim ndaj shërbimit të popullit???  Në qoftë se po atëherë të thoni dhe ju “Mbaroi”.
Dhe tani pasi u ktheva për nga pallatet mbretërore dhe të mëdha, pasi u ktheva për nga krerët dhe fuqia e pushtetit, pasi u ktheva nga familjet, më lejoni të kthehem edhe për nga Kisha e Shënjtë dhe të them: priftërinj të të Lartit dhe kryepriftërinj, titujt tuaj nderojmë dhe respektojmë, juve që gjendeni në frone që llamburitin dhe sipër krerëve tuaja nuk kini kurorë gjëmbash por mitra të florinjta, ju të cilët nderojmë, priftërinj të të Lartit dhe kryepriftërinj që qëndroni rreth alltarëve të shënjtë, vendosni dorën në gjoks dhe pyesni vehten tuaj: a i përmbushët detyrat tuaja të shënjta ndaj të Kryqëzuarit?  Rroni dhe merrni frymë vetëm për besën tuaj?  Jini gati të vdisni për Atë i Cili vdiq për gjithë botën?  Atëhere dhe ju si nxënës të Vasilit të Madh, si nxënës të Joan Gojëartit, si imitues të Apostoll Pavlit mund të thoni:  “Sepse unë tani jam duke derdhur gjakun dhe koha e ikjes sime arriti.  Luftën e mirë luftova, udhën e mbarova, besimin e ruajta.  Pastaj më mbetet kurora e drejtësisë, të cilën do të m’a japë në atë ditë Zoti, gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që duan dukjen e tij.” (Let. II-të e Pav. Tim. 4:6-8).

O vëllezërit e mij bashkëmëkatarë!  Kur të vijë çasti i vdekjes sonë dhe marangozi të përgatitë kryqin që do të vihet në krye të varrit tonë, lutem dhe uroj që secili prej nesh të jetë në gjendje t’i drejtohet Zotit duke thënë si Shpëtimtari i Kryqëzuar “Mbaroi”, “O Zot, në duart e Tua jap shpirtin tim!” (Luka 23:46).

U kryqëzove për mua, që të më burosh ndjesën, u shpove në brinjë që të burosh rrjedhë jete, me perona u mbërtheve që të vërtetohem unë për lartësinë e pushtetit tënd nga thellësi e pësimeve të tua e të të thërres o Krisht Jetëdhënës: Lavdi edhe Kryqit tënd edhe Pësimit tënd o Shpëtimtar.

(Nga troparet e Lumërimeve të mbrëmësores së të Enjtes së Madhe)

Fragmenti u shkëput prej librit “DREJT GOLGOTHASË” («ΠΡΟΣ ΤΟΝ ΓΟΛΓΟΘΑ») “ΤΕΤΕΛΕΣΤΑΙ”, σελ. 159-171), i episkop Avgustin Kantiotit

Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip
Pashkë 2008

Këtë përkthim të vogël ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Paçim të gjithë bekimet dhe uratat e tua Hirësi!

L U T J E

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

L U T J E

Me ratin e Panairit të Shënjtë të Mbledhjes së Apostojve-30 Qershor

Shkëputur nga Libri “EJA PAS MEJE – ΑΚΟΛΟΥΘΟΙ ΜΟΙ”
i Ish-Mitropolitit të Follorinës at Avgustinit

O Zot! Ti që nga asgjëja krijove qiellin dhe dheun, dhe sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë Sate bëre njeriun, dhe tokën – këtë kokrrizë rëre në universin e paanë – e caktove banesën e tij të përkohëshme, e caktove dhe stadium të luftërave shpirtërore të besës dhe virtytit duke patur qëllim të lartë hyjnizimin e njeriut dhe arritjen në qiejt, në Mbretërinë Tënde qiellore dhe të lumur; Ti o Zot që nuk do humbjen e as edhe një njeriu, Ti që nuk dëshiron dështimin e njeriut gjatë ecjes për në destinacionin e lartë, për të cilin edhe e krijove, por dëshiron që “të gjithë njerëzit të shpëtojnë dhe të njohin të vërtetën”, dhe që nëpërmjet punës Sate kolosale dhe madhështore për shpëtimin e botës, në të cilën bashkëpunon me unitet të plotë dhe absolut së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shënjtë, Ti pra jo vetëm botën ëngjëllore e ve në lëvizje, por edhe njerëz të çdo brezi dhe epoke i zgjedh dhe i fton në bashkëpunim, dhe i tregon enë të zgjedhura të Hirit Tënd të Shënjtë; Ti tregove gjatë periudhës së Dhjatës së Vjetër Noen si një predikues të pendimit për brezin e tij dhe më pas e tregove si kreun e brezit të tij në botën e re; Avraamin më pas, nga i njëjti dhe’, e ftove duke i thënë: “Eja prej dheut tënd dhe prej fisit tënd dhe prej shtëpisë së atit tënd dhe dil në tokë që të të tregoj ty”; Jakovit nëpërmjet vizionit qiellor të shkallës i dhe zemër për misionin dhe punët e tij në botë; Josifin prej burgut e ngrite në pushtetin mbretëror për t’i bërë mirë popullit tënd; Moisiun prej shkretëtirës e thërrite nëpërmjet ferrës që zjarr nxirrte dhe nuk digjej, e thërrite që të udhëhiqte popullin duke e nxjerrë nga skllavëria e hidhur; Davidin, më të voglin e vëllezërve dhe më të riun e shtëpisë së atit të tij, nga grigja e thërrite dhe bari të popullit Tënd e bëre; Elisseun e thërrite nëpërmjet parmëndës të bëhej trashëgimtar i profetit Tënd të zjarrtë Ilias; Amosin nga grigja e të shënjtëve dhe gjithë profetët e tjerë nga profesione të ndryshme thërrite që të bëhen shpallës të vullnetit Tënd të shënjtë në kombin e tyre;  dhe kur erdhi mbushja e kohës, jo më nëpërmjet ëngjëjve dhe njerëzve i fole botës, por Ti vetë le qiellin dhe zbrite mbi tokë, zbrite në këtë kokrrizë rëre të universit të pafund që të gjesh dhrahminë e humbur dhe të shpëtosh shpirtin e njeriut i cili ishte i zhytur në batakun e mëkatave dhe pasioneve;  Ti o Krishti im, që jetove në botë dhe hëngre së bashku me njerëzit dhe mik i mëkatarëve u quajte dhe gjithë helmin e ligësisë njerëzore pive; Ti që për tre vjet me rradhë nuk pushove së ecuri nëpër qytete dhe fshatra duke kërkuar si Bari i Mirë delen e humbur dhe nga gryka e të ligut shpëtove tagrambledhës, kusarë dhe lavire, dhe i tregove bij dhe bija të mbretërisë Sate, dhe më në fund duke shtrirë mbi Kryq duart e tua të shënjta dhe të papërlyera thërret njerëzimin në mbarë botën për të bërë kthesë dhe i fton në shpëtim; Ti o Zot që u kujdese që puna Tënde shpëtimtare, të cilën e kreve personalisht, të vazhdohet në jetë të jetëve deri në mbarim të botës, dhe për këtë qëllim njerëz të panjohur dhe të parëndësishëm në botë, Andrean dhe Petron, Iakovin dhe Joanin nga rrjetat e peshkimit, Mattheun nga mbledhja e taksave, dhe Apostojtë e tjerë nga profesione të ndryshme i shkëpute dhe për tre vjet me rradhë i mblodhe tok për shpëtimin e shpirteve, dhe iu dërgove Shpirtin e Shënjtë duke i treguar predikues të flaktë të Ungjillit Tënd të shënjtë, dhe nëpërmjet ketyre burrave të paditur dhe të parëndësishëm, si prej asgjëje krijove një botë të re, një botë pakrahasimisht më të mrekullueshme se bota e mëparëshme, krijove pra Kishën Tënde të Shënjtë; Ti pra që sharësin dhe përndjekësin e Kishës Sate, Saulin nga Tarsea, nëpërmjet vizionit të Damaskut e thërrite dhe e dërgove nëpër kombet si përhapës të Ungjillit Tënd dhe e tregove kreun e Apostojve dhe nëpërmjet tij tregove se në çfarë lartësi mund t’a çojë njeriun Hiri Yt i shënjtë; Ti o Zot që përveç të Dymbëdhjetëve, tregove edhe Shtatëdhjet të tjerët për ndriçimin e popullit që rri në errësirë dhe rron nën hijen e vdekjes,  Ti që tregove dhe gra mirofore dhe ungjillore i bëre, Ti o Zot ndër shekuj dhe epoka nuk pushon së drejtuari thirrjet e Tua së lartazi.

O Zot!  Dy lloj thirrjesh i bën botës.  Njëra është thirrje e përgjithëshme “Ejani tek Unë gjithë ju që jini të lodhur dhe të ngarkuar dhe Unë do t’ju shplodh”, dhe thirrja tjetër është e veçantë dhe individuale, si ajo thirrja që iu drejtoje nxënësve të Tu të parë atë mëngjes në bregun e Tiveriadhës “Ejani pas Meje dhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”.  Oh dënjimi Yt i paanë dhe i pafund për njeriun e vogël o Zot i Tërëfuqishëm dhe i Tërëmirë!  Nëpërmjet thirrjes së parë thërret të gjithë njerëzit të cilët në çdo epokë që jetojnë rënkojnë me zemër të rënduar nën barrën e rëndë të mëkatit.  Por nëpërmjet thirrjes së dytë iu bën thirrje personave të caktuar, për të marë përsipër në Kishën Tënde punë ierapostolike* duke iu dedikuar Asaj plotësisht.

O Zot, thirrjet e Tua nuk pushon së drejtuari botës.  Por përgjigjia e shpirteve ndaj thirrjeve të Tua nuk ka qënë gjithmonë e njëjtë.  Ka patur epoka gjatë të cilave zëri Yt, duke thërritur në pendim njerëzit nëpërmjet shërbëtorëve besnikë të fjalës Sate, kushtoi si jehonë në zemrat e tyre.  Dhe shumicë mëkatarësh rendën me zemër të thyer tek Ti, Shpëtimtari i përjetëshëm, për të përqafuar këmbët e Tua të shënjta dhe për të marrë në emrin Tënd faljen e mëkatave dhe fuqi për të mundur mëkatin dhe hidhërimin që shkakton ai, fuqi për të mundur mëkatin i cili pa fuqinë Tënde të Shënjtë mbetet i pamposhtur dhe shndërron jetën njerëzore në një tragjedi të frikëshme.  Por ka o Zot edhe epoka të ashpërsisë shpirtërore, gjatë të cilave ata që fton dhe thërret nëpërmjet punëtorësh tepër të veçantë të fjalës Sate, rrefuzojnë thirrjet e Tua dhe ngulin këmbë për të qëndruar në ligësi.  I mbyllin veshët për të mos dëgjuar zërin Tënd. I mbyllin sytë për të mos parë dritën Tënde.  Por gjithashtu ka edhe epoka gjatë të cilave shpirte të zgjedhur,

__________________________________

Shënim i përkthyesit:

*Fjala ierapostolik/e nga Greqishtja ιερός-iero’s = i/e shënjtë dhe αποστολικός-apostoliko’s = apostolik/misionar  Ιεραποστολή-Ierapostoli’ = Mision i shënjtë, në kuptimin e besimit tonë Orthodhoks misioni i shënjtë i përhapjes së Dristë së Krishtit me synim shpëtimin e shpirtit, duke u bazuar në fjalët shpëtimtare që iu tha Krishti Apostojve të Tij: “shkoni në gjithë botën dhe lëçitni Ungjillin nëpër gjithë krijesën.  Kush të besojë dhe të pagëzohet do të shpëtojë, por kush të mos besojë do të dënohet” (Mark 16: 15-17).

të rrëmbyer nga dashuria e madhe për njeriun, dëgjojnë thirrjen dhe ftesën Tënde të veçantë për punëra ierapostolike, dhe me një zell dhe vetësakrificë të admirueshme ndjekin udhën apostolike duke u treguar kështu apostoj të rinj të brezit të tyre.  Oh sa të lumura janë ato epoka o Zot!  Por ka dhe epoka të vështirësive shpirtërore, të ashpërsisë dhe ngurtësisë shpirtërore, epoka brutale të interesit personal dhe zemërngushtësisë, gjatë të cilave zëri Yt nëpërmjet veprave heroike të besës dhe virtytit, nëpërmjet punëve të larta dhe të mëdha, nëpërmjet udhëve ierapostolike, nëpërmjet sakrificave dhe gjakut që e bëjnë Kishën të ndritshme dhe të shkëlqyer dhe shpëtojnë popullin Tënd, gjatë këtyre epokave pra zëri Yt bie në veshë të shurdhët.  Të rinjtë dhe të rejat dëgjojnë zëra të tjerë, zëra sirenash, zëra që premtojnë pasuri, lavdi dhe kënaqësi.

O Zot! Duke hedhur një sy në historinë e Orthodhoksisë tonë, shohim që ka patur epoka, si epoka e shekujve të lavdishëm të Perandorisë Bizantine, gjatë të cilave të gjithë të Krishterët ishin të dhënë me mish e me shpirt ndaj idealeve ierapostolike.  Burra e gra kishin në zemër dëshirën e flaktë për të përhapur në mbarë botën të vërtetën Tënde.  Nga brezi i Bizantit, nga qytete dhe fshatra, nga shtëpi përdhese apo oborre mbretërore, nga punishte apo njësi ushtarake, nga manastire të shënjta, që në atë kohë ishin kështjella ierapostolike,  dolën grupe të tëra ierapostojsh të cilët u përhapën në gjithë vendet e botës dhe arritën deri në Danub dhe Vollgë, nga Himalajet deri në lumenjtë që rrjedhin nga Nili, arritën deri në ishujt Britanikë, dhe nëpërmjet mësimeve të tyre dritë-dhënëse dhe shembujve të tyre të shënjtë, prej errësirës së mëkatit, prej mosdijes, injorancës dhe barbarizmit i sollën popujt dhe kombet në dritën Tënde çudibërëse.  Të përmendim emrat e tyre?  Tek ne të paktë janë ata që njohim.  Por Ti o Zot, që numuron yjet e qiellit, Ti i njeh të gjithë ato yje të botës shpirtërore, të cilët në mes të errësirës së thellë të natës shpërndanë dritën Tënde gazmore në mbarë krijesën.  Ti o Zot i di sakrificat e tyre.  Ti o Zot njeh kënaqësitë, nderimet dhe pasuritë të cilat ata i braktisën për hir të dashurisë që ndjenë për Ty dhe për të afërmin e tyre.  Brezi ynë i atëherëshëm, nëpërmjet këtyre shpirteve të shënjta, u tregua brez ierapostolik.  Ideali i lartë i Bizantit ishte gjatë asaj kohe përhapja e Besimit Orthodhoks në gjithë botën.

O Zot!  Nëse nga ato epoka të lavdishme kalojmë në epokën e sotshme, do të mbushemi plot hidhërim për çka ndodh sot dhe do të thërresim: O Zot ku janë mëshirat e tua të mëparëshme?  Helenët, të cilët ti o Perëndi që ngjall të vdekurit, i ngjalle dhe i ngrite prej varrit të skllavërisë 400 vjeçare të turkut nëpërmjet lumit të gjakut që derdhën bijtë dhe bijat e tua besnikë, laikë apo klerikë, katandisi sot, gjatë ditëve të sotshme, në një vend me ideale dhe synime materiale.  Ideali i lartë i Helenëve të sotshëm nuk është më Orthodhoksia.  Emri yt i shënjtë dhe i nderuar, emri yt që qëndron mbi çdo emër tjetër, vlasfimohet dhe shahet nëpër rrugë dhe sheshe dhe askush nuk preket më nga kjo gjë.  Autorë ateistë dhe të pafe’ lavdërohen sot publikisht dhe dekorohen dhe kurorrëzohen.  Grigja Jote sot bie pre’ e ujqërve të urritur apo mortajave shpirtërore.  Kishat e Tua shkretohen pak nga pak çdo ditë.  Populli yt ka mbetur në thelb pa bari.  Fshatra të tëra nuk janë vizituar prej predikuesve të Fjalës Sate për dhjetëra vjet me rradhë.  Predikuesit e flaktë të Ungjillit Tënd të shënjtë të cilët dëshirojnë të përshkojnë mbarë vendin dhe të predikojnë të vërtetën Tënde pengohen me plot mënyra.  Barinjtë e këqinj, jo vetëm ata nuk predikojnë më të vërtetën por nuk i lejojnë as të tjerët të predikojnë Fjalën e së Vërtetës Sate.  Shën Kozma i ri sikur të vinte, Shën Joan Gojëarti apo Apostoll Pavli, akoma dhe Ti o Zot sikur të vije barinjtë e sotshëm nuk do të të lejonin të barisje në mbarë vendin tonë dhe të predikoje…  Shpirti katastrofik mbizotëron sot kudo.  Edhe pak dhe do të dëgjohet zëri i profetit Tënd edhe mbi brezin tonë:  “Mjerr ti o brez mëkatarësh, mjerr ti o popull plot mëkata, farë e keqe, bij të paudhë, që brakisët Zotin dhe shkaktuat zemëratë në Israelin e Tij të shënjtë”.

O Zot Jisu Krisht Perëndia jonë, le të të vijë keq për ne.  Ato shpirte që kanë mbetur besnikë ndaj Emrit Tënd dhe përbuzen dhe tallen vetëm e vetëm se të ndjekin Ty, këto shpirte pra të drejtojnë lutje të nxehtë: tregohe përsëri brezin e Helenëve si një pushtet Tëndin, pushtet të së vërtetës Sate, pushtet të drejtësisë dhe dashurisë.  Ndriçoi zemrat e arkondëve të Shtetit.  Ndriçoi mëndjet e tyre që të shohin se si prej Providencës Sate Hyjnore dhe Përkujdesit Tënd  shpëtoi ky vend i vogël nga rreziqet e tmerrëshme, pengesat dhe hidhërimet dhe mbijetoi.
Vizitoe me Hirin Tënd të Shënjtë Kishën Tënde.  Pushoi skandalet.  Qetësohe popullin Tënd.  Ngrije së vdekurish tendën e rënë.  Nëpërmjet duarve të shërbëtorëve të Tu besnikë thurr përsëri kamxhikun më tresh dhe dëbo prej oborreve të Tua ata që shndërrojnë Shtëpitë e tua të adhurimit në shtëpi tregëtie dhe shpella kusarësh.  Po o Zot!  Ka nevojë për kamxhikun Tënd, ka nevojë për pastrim Shtëpia Jote.  Situata e sotshme, ashtu siç paraqietet prej barinjve të sotshëm, nuk tërheq më njerëz.  Sepse skandalis, neverit dhe zhgënjen.  Një shpirt i ri ierapostolik le të shfaqet në Kishën Tënde o Zot.  Le të fryjnë mbi të erërat e pastra të Shpirtit Tënd të Shënjtë.  Punëtorë të rinj le të shfaqen në stivën e luftërave të besës dhe virtytit.  Ndriçoji o Zot nënat dhe baballarët e sotshëm të pushojnë së shari dhe së mallkuari punëtorët e vyer të Ungjillit, sidomos në ato raste kur vetë fëmijët e tyre duke u tërhequr prej mësimeve të punëtorëve të Ungjillit shfaqin dëshirën për të ndjekur udhën ierapostolike.  Trego përsëri në brezin tonë familje të vërteta të Krishtera, ku që në djep fëmijët ushqehen me shpirtin dhe mësimet e Zotit, dhe fëmijët besëmirë përgatiten që në fëmijëri për shërbimet e shënjta.  Sill o Zot shpirt dashurie dhe bashkëpunimi midis punëtorëve të Ungjillit, midis grupeve dhe vëllazërive të ndryshme ierapostolike, që të mos ketë vënd midis tyre përçarja e cila largon çdo bekim hyjnor dhe skandalis shpirtet e njerëzve.  Jepu durim punëtorëve më të vjetër të Ungjillit, që të ngrehin mbi shpinën e tyre kryqin i cili rëndohet akoma më tepër për shkak të mungesës së shpirtrave ierapostolikë si dhe të braktisjese së udhës ierapsotolike prej të tjerëve.  Forcoji o Zot, ata priftërinj dhe episkopë besëmirë, të cilët edhe brenda edhe jashtë Kishës punojnë me zell duke vënë përmbi interesat e tyre personale interesin e grigjës së tyre.  Çdo enori, çdo fron episkopal, dhe çdo manastir tregohe o Zot qëndër të jetës dhe veprës ierapostolike.  Tregoi të gjithë peshkatarë njerëzish, mbjellës të farës Sate, korrës dhe apostoj sipas mundësive të secilit.

O Zot!  Të gjunjëzuar përpara Kryqit Tënd të lutemi mos n’a ler të vuajmë për shkak të mëkatave tona të shumta.  Le të vijnë përsëri mbi ne mëshirat e Tua të pasura si dikur.  Bëj që të gjejë brezi ynë përsëri misionin e Shënjtë dhe të bëhet brez ierapostolik.  Çdo qoshe le të bëhet pjesëz e Qiellit,  shembull i jetës dhe pushtetit të shënjtë.  Çdo zemër dhe gojë le të bëhet kitarë ëngjëllore dhe të psallë madhështitë e Tua.  Bëj o Zot që në mes të botës së sotshme, e cila gjithnjë e më tepër zhytet në errësirë të dendur, brezi ynë të mbajë të ndezur lambadhen e besës së vërtetë dhe nëpërmjet predikimit të lartë të bëjë thirrje: O kombe dhe popuj!  Ejani dhe merrni dritë nga drita që nuk perëndon.  Dhe drita që nuk perëndon je Ti o Zot që the “Unë jam drita e botës.  Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë por do të ketë dritën e jetës”.

Përktheu nga Greqishtja dhe përshtati në shqip

Aleksandër P. Filip
30 Qershor, 2008
+Mbledhja e të 12 Apostojve

Përkthyesi ia kushton autorit, at Avgustinit, me dashuri, mirënjohje shpirtërore dhe respekt të thellë!

Paçim të gjithë uratat dhe bekimet e tua Hirësi.

(Από το βιβλίο του π. Αυγουστίνου “ΑΚΟΛΟΥΘΟΙ ΜΟΙ” κεφαλαιο “ΠΡΟΣΕΥΧΗ” στο τέλοσ του βιβλίου)

Ngizja e Shën Prodhromit

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Ngizja e Shën Prodhromit


“Gëzohu ti shterpë që nuk pjell; nxirr zë dhe thërrit ti që nuk ke të dhembura të pjelli, sepse djemtë e shkretëtirës janë më të shumtë se të asaj që ka burrë” (Let. Pav. Gall.4:27)

Jetojmë të dashurit e mij në një epokë ateizmi dhe mosbesimi tek Zoti.  Në çdo njëqind veta sot me pikëpyetje është nëse vetëm një prej tyre beson me gjithë zemër tek Perëndia.  Të tjerët, nëse nuk janë ateistë dhe mosbesues, për të justifikuar besën e tyre të pakët thonë: që të besoj dua të shoh çudira, nëse shoh çudira vetëm atëhere do të besoj.

Por në qoftë se ekziston në botë ndonjë fe që bën çudira kjo është feja që themeloi Zoti ynë Jisu Krisht me gjakun e Tij të çmuar.  Çuditë në fenë tonë nuk janë diçka e rrallë.  Besimi ynë është i brumosur me çudi dhe mrekulli, është plot çudi dhe mrekulli.  Kush mundet të numurojë çuditë dhe mrekullitë e fesë sonë?  Janë të panumërta.

Por nga të gjitha çuditë dhe mrekullitë, me rastin e festës së sotshme, do të flasim më poshtë vetëm për një prej tyre.

***

Çudi dhe mrekulli është festa e sotshme.  Kush feston sot?  Në vitet kur po afrohej koha e Krishti ishte – n’a thotë Shrimi i Shënjtë – një çift, Zaharia dhe Elisaveta.  Një çift që kishte frikë Perëndie dhe dashuri midis tyre.  Por diçka iu mungonte, dhe nëse kjo diçka konkrete mungon nga shtëpia atëhere shtëpia nuk është e plotë dhe e lumtur.  Iu mungonte një fëmijë.  Nuk ishin ato kohë si kohët e sotshme, kohët tona moderne, ku fëmija nuk konsiderohet më bekim së lartazi, por sot fëmija, dhe veçanërisht fëmijët e shumtë konsiderohen fatkeqësi.

Nënat dhe baballarët e sotshëm, me mjete të frikëshme dhe të tmerrëshme, me mjete djallëzore të cilat n’a vjen turp edhe t’i përmëndim, përpiqen të çrrënjosin nga gjoksi i tyre jetën.  Çdo fëmijë që mbin në barkun e nënës është zambak qiellor.  Nuk është ky zambak as i gruas as i burrit.  Nëse nuk do Zoti, fëmijë nuk bëhen.  E pra, çdo fëmijë që ngizet në barkun e nënës është zambak qiellor.  Dhe pikërisht atë zambak, nëna së bashku me doktorët ateistë dhe mosbesues dhe me atin duke qënë bashkëfajtor, e çrrënjosin prej brenda saj.  Nëse dikush shkon të këputë nga poçet me lule një borzilok, e zonja e shtëpisë t’a tregon mirë qejfin.  Ajde të çrrënjosësh një bimë nga poçet e fqinjës… Nuk guxon dot.  Por ajo vetë, ajo grua pra, e cila nuk guxon tjetri t’i prekë lulen e saj në poçe, shkon dhe me vetë duart e saj çrrënjos nga gjoksi i saj borzilokun dhe zambakun qiellor, vetë fëmijën e saj.  Kush?!  Vetë nëna!
Nuk di nëse ekziston ndonjë mëkat më i madh se ky në brezin tonë.  Dhe nëse do t’a shkatërrojë Zoti botën, pikërisht për shkak të këtij mëkati do t’a shkatërrojë.  Nëse dikush vjen dhe më thotë që prishi një Kishë të tërë, do t’a fal, sepse do t’i them “shko dhe ngrihe përsëri Kishën, merr gurë dhe llaç dhe ngrihe përsëri”.  Por nëse më vjen një grua dhe më thotë që mora ilaçe dhe çrrënjosa fëmijën prej mitrës sime nuk e di nëse ekziston pendesë për këtë.  Ku duhet të shkojë kjo grua? Cilin at shpirtëror të gjejë që të rrëfehet?!  Sa lutje, sa kombosqinia dhe kreshmë duhet të bëjë?!…  Nuk ka mëkatë më të madhe se kjo.

E megjithatë sot kjo gjë është modë.  Përpara se të martohen bëjnë marrëveshje: do të bëjmë vetëm një fëmijë, ndoshta dy, dhe më pas STOP!  Dhe kjo gjë ndodh jo vetëm në familjet e varfëra dhe që s’kanë mundësi, por edhe në familjet e atyre që janë të zhytur në para, që kanë para dhe kanë mundësi të ushqejnë dyzina të tërë fëmijësh, por në vend të fëmijëve ushqejnë qenër.  Familjet e varfëra deri para disa kohësh bënin nga shumë fëmijë, ndërsa sot edhe ata, të ndikuar nga moda e sotshme, nuk përpiqen më… kudo pra u përhap zgjebia…

Sigurisht kjo temë është tepër e gjerë.  Do të mund t’iu vërtetoja që vite më parë skamja dhe varfëria ishin shumë herë më të mëdha, ushqenin atëherë edhe pesë edhe dhjetë fëmijë.  Kur nuk ke bekimin e Zotit edhe një fëmijë të vetëm të kesh nuk ke për t’a gëzuar; por nëse ke bekimin e Zotit, edhe pesë edhe dhjetë dhe pesëmbëdhjetë dhe njëzet fëmijë do t’i rritësh – nuk janë përralla këto gjëra.  Por sot mosbesimi mbizotëron dhe bën ligjin: një fëmijë këtu një atje, dy aty-tek… të tjerat po zhduken.

Por nuk mendonin kështu Zaharia dhe Elisaveta.  Ata i luteshin Zotit t’iu jepte fëmijë.  Dhe Fuqimadhi Zot, iu dhuroi një fëmijë në moshë të kaluar.  Dhe ky fëmijë ishte Shën Joan Pararendësi, burri më i madh i Dhjatës së Vjetër.  Këtë ngjarje, zënien e këtij fëmije në barkun e nënës së tij Elisaveta, këtë çudi dhe mrekulli pra, Kisha jonë e Shënjtë e feston më 23 Shtator…

***

Por do të më thoni: tërë këto që thua ishin “në atë kohë”.  Ne duam çudira të ditëve të sotshme.

Ah, vëllezërit e mij!  Bëhen dhe sot çudira dhe mrekullira.  Por edhe sikur të gjitha çuditë dhe mrekullitë t’i shihnim, nëse nuk shohim një – vetëm një çudi dhe mrekulli – atëherë do të shkojmë drejt ferrit.  Dhe kush është kjo çudi dhe mrekulli?  Çudia dhe mrekullia më e madhe të cilën duhet secili prej nesh t’a shijojë është ndërrimi i zemrës.  Ah ato zemrat, që janë plot gjarpërinj dhe nepërka dhe akrepa helumues, që kanë përbrenda tyre shthurrje dhe prishje, që kanë përbrenda tyre lakminë dhe argjendashjen!  Këto zemra pra si do të ndryshojnë? “Krijo zemër të kthejllët tek unë o Perëndi dhe përsërit përbrenda meje frymë të drejtë” (Psallmi 50:12).  Si do të ndryshojë kjo zemër?  Është shumë e thjeshtë.  Të kemi besim tek Perëndia, vëllezër të dashur, jo pesë-përqind(5%) por njëqind-përqind(100%), të kemi besim të patundur që Krishti është Perëndia, Krishti është Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotëruesve, të kemi besim të patundur që Krishti është A(lfa) dhe Ω(mega), që Krishti është jeta e botës.  Tek ai të besojmë me gjithë shpirt.
Dhe diçka tjetër akoma.  Të pranojmë të gjithë ne faktin që jemi mëkatarë dhe që kemi nevojë për pendesë.  Dhe më pas, çfarë të bëjmë?  Të shkojmë të rrëfehemi.  Ka të Krishterë që kanë vite të tëra pa u rrëfyer.  Nga një mijë të Krishterë vetëm pesë rrëfehen.  Të gjithë të tjerët nuk shkojnë në rrëfim dhe kungohen me misteret e shënjta duke qënë të papërgatitur.  Do të dënohen me ferr të përjetëshëm…

Po, vëllezërit e mij!  Të besojmë ashtu siç besuan Zaharia dhe Elisaveta, ashtu siç besuan Avraami dhe Sara, ashtu siç besuan të gjithë Shënjtorët.

Besofshin pra të gjithë, burra e gra, tek Krishti.  Vulosini veshët me dyllë dhe mos dëgjoni se çfarë thonë të pabesët, ateistët dhe masonët…  Mbani në zemrat tuaja të ndezur flakën e besimit.  Dhe kështu të n’a denjësojë Perëndia që kur të arrijmë në momentin e fundit të jetës mbi dhe’, të bëjmë denjësisht shenjën e Kryqit dhe të themi dhe ne: “Kujtomë o Zot kur të vish në Mbretërinë Tënde” (Lluk.23:42). Amin.

Lindja e Joan Prodhromit
24 Qershor

Shën Joan Pararendësi ose Joan Prodhromi, është shënjti më i madh i Dhjatës së Vjetër.  Është ylli më i ndritshëm i botës së lashtë përpara se të vinte Krishti.  Nuk e themi ne këtë gjë, vetë Krishti e thotë.  Tha që “mes’atyre që janë lindur prej grash nuk është lindur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori” (Matthe 11:11).  E megjithatë, edhe Joan Pararendësi, përpara Krishtit e konsideronte vehten shumë të vogël dhe të përulur duke thënë që nuk është i denjë të përulet dhe të zgjidhë “rripin e shollëve”, dmth s’mund të zgjidhë as lidhëset e këpucëve të Krishtit (Ioan 1:27).
E gjithë jeta e Shën Joanit, që nga fillimi dhe deri në fund, ishte një jetë jo e zakonshme.  Nuk ishte pra si jeta e gjithë njerëzve të tjerë.  Ishte një jetë e cila ngjallte admirim prej të gjithëve.  Joani ishte me të vërtetë i madh.  Dhe vetëm lindja e tij mjafton të vërtetojë që Joani ishte i madh.  Sepse, ashtu siç thotë dhe Ungjilli i shënjtë, erdhi në jetë mrekullisht.  Cila ishte kjo mrekulli?  Për t’ju dhënë një farë ideje për këtë çudi dhe mrekulli që u bë gjatë lindjes së tij do të përmend shembullin e mëposhtëm.

Në qoftë se ju tregoj një gur prej mermeri dhe ju them që nga ky mermer do të mbijë një lule e bukur kush do të më besojë?  Lulet, që të mbijnë duan dhe’ të zgjedhur.  Mbijnë nëpër poçe, për të cilat përkujdesen nikoqiret e shtëpive.  Nuk mbijnë mbi mermer ku nuk ka dhe’ fare.  E pra, ajo që nuk bëhet në mermer pikërisht u bë në rastin e Shën Joan Prodhromit.  U lind prej një gruaje e cila jo vetëm kishte një burrë të shkuar në moshë por dhe vetë ishte shterpë.  Dhe jo vetëm shterpë por edhe e kaluar në moshë.  Si një copë mermer ishte përsa i përket fëmijë-bërjes.  Ashtu si në mermer nuk mbin lulja kështu edhe fëmijë-bërja është e pamundur për një grua shterpë dhe të kaluar në moshë.  A kini dëgjuar ndonjëherë të lindë ndonjë grua 70 vjeç, e cila gjatë moshës së rinisë ishte edhe shterpë?  E megjithatë kjo grua shterpë dhe e kaluar në moshë, Elisaveta, lindi fëmijë – lindi Shën Joan Prodhromin.  Ja pra çudia dhe mrekullia.

Ati i shën Joanit, prifti Zaharia, kur dëgjoi prej ëngjëllit që gruaja e tij Elisaveta, e cila në moshën e rinisë nuk bëri dot fëmijë, do të lindte tani në pleqëri një fëmijë, nuk deshi të besonte se vërtet do të ndodhte një gjë e tillë, dhe për shkak të mosbesimit të tij u dënua dhe mbeti i pagojë.  Iu zgjidh gjuha dhe foli ditën që do t’i jepej emri fëmijës.
-Si do që t’a quajmë fëmijën?, e pyesnin të afërmit e tij.
Dhe Zaharia mori një copë dërrasë dhe shkruajti mbi të emrin JOANI.  Dhe menjëherë sapo e shkrojti i erdhi goja dhe foli.  Dhe jo vetëm që foli por edhe shkrojti një poemë, jo si poemat e botës që kanë fjalë që rimojnë, por poemë plot kuptim hyjnor, poemë e frymëzuar nga Perëndia, poemë-lutje, poemë-profeci.  Zaharia profetizoi se çfarë kishte për t’u bërë fëmija (Lluk. 1:68-79).
Çudi dhe mrekulli ishte lindja e Shën Joanit, por çudi dhe mrekulli ishte dhe jeta e tij e mëpasme.  Joani, kur afroi koha, u largua nga shtëpia dhe shkoi larg, shumë larg, në shkretëtirë e cila ishte përtej lumit Jordhan, dhe atje ndenjti për shumë vite duke bërë një jetë tepër të vështirë.  Banesa e tij ishin shpellat.  Pija e tij ishte uji i Jordhanit.  Ushqimi i tij ishin karkalecat.  Veshja e tij ishte e ashpër, e punuar me qime gamileje.  Shoqëri kishte kafshët e egra.  Libër i tij të cilin e studionte çdo ditë ishte natyra – gjithçka krijoi Perëndia.  Gëzimi i tij ishte lutja.  Shpresa e tij, e cila mbushte zemrën plot, ishte lajmi që po vjen Krishti dhe ai (Joani pra) duhej të parapërgatitte popullin për të pranuar Shpëtimtarin e botës.
Dhe kur erdhi ora e duhur Joani filloi të lëçitë në popull.  Predikimi i tij ishte PENDIMI – PENDOHUNI!  Me fjalë tepër të ngrohta, fjalë që dilnin prej zemrës së tij dhe bënin akoma dhe zemrat më të akullta të shkrinin dhe të ndjenin dashurinë e Perëndisë, me këto fjalë pra iu bënte thirrje njerëzve të linin pas jetën mëkatare, të pagëzoheshin në ujrat e Jordhanit dhe të merrnin vendimin për të bërë një jetë tjetër, një jetë të re tani që do të vinte Krishti për të themeluar Mbretërinë e Tij, dmth Kishën e Tij.  Një parapërgatitje pra për një jetë të Krishterë ishte predikimi i Joanit.  Ashtu si një fëmijë i vogël që shkon në fillim në kopësht dhe mëson shkronjat e para, kështu dhe njerëzit, përpara se të bëheshin nxënës të Krishtit duhej në fillim të kalonin nëpër duart e Joan Pararendësit.  Shkolla e Joanit ishte si një çerdhe/kopësht.  Shkolla e përsosur është mësimi i Jisu Krishtit.  Pikërisht për këtë arësye të gjithë nxënësit e Joanit u bënë më pas nxënës të Krishtit.
I admirueshëm pra Joani për lindjen e tij të çuditëshme.  I admirueshëm për asketizmin e tij.  I admirueshëm edhe për mësimet e tij.  I admirueshëm akoma edhe sepse u vlerësua të pagëzojë Krishtin në ujrat e Jordhanit.  Dhe së fundi, i admirueshëm për vdekjen e tij martirike.  Kur mori vesh se mbreti la gruan e tij dhe jetonte me një grua tjetër, me gruan e vëllait të tij, Joani me guxim u paraqit në oborret mbretërore dhe kritikoi mbretin në sy të të gjithë të pranishmëve.  Dhe pikërisht këtë kritikë e pagoi me jetën e tij.  U arrestua, u burgos, dhe në fund iu pre koka.

***

Të dashur të Krishterë!  Edhe dy fjalë të tjera do të themi për emrin që iu vu, sipas porosisë së Perëndisë, birit të vetëm dhe të shumë-dashur të Zaharisë dhe Elisavetës.  U quajt JOANI.  Emri Joani është me origjinë hebraike, dhe do të thotë dhuratë nga Perëndia.  Dhe vërtet që Joani u tregua dhuratë Perëndie, ishte një mirësi për mbarë njerëzimin.  Pyes: a janë të gjithë fëmijët që vijnë në këtë botë dhurata Perëndie?  Po, të gjithë fëmijët janë dhuratë nga Perëndia.  Perëndia, nëpërmjet prindërve i sjell në botë, i sjell në botë që të bëjnë të mira, të falenderojnë prindërit dhe të bëjnë punë të vlefshme për njerëzimin.  Por fatkeqësisht, shumë prej fëmijëve, meqënëse nuk kanë prindër të mirë, të mirë si prindërit e Joanit, dhe meqënëse shoqëria jonë e sotshme është shumë e korruptuar dhe çdo ditë jep shembuj të këqinj tek fëmijët, për këtë arësye pra shumë fëmijë dalin nga udha e Perëndisë, dalin nga udha që gdhëndi Krishti, dhe prishen dhe çthurren, dhe me krimet dhe keqbërjet e tyre bëhen fatkeqësia e njerëzimit.

O prindër, nëna dhe baballarë!  KINI KUJDES FËMIJËT TUAJ – SI SYTË E BALLIT!  Ushqejini me “mësimet dhe këshillat e Zotit”.  Futni brenda tyre frikën e Perëndisë.  Ruajini nga shoqëritë e këqia.  Dhe atëhere fëmijët tuaj do të jenë për ju dhe për shoqërinë DHURATA PERËNDIE.

Përktheu nga Greqishtja

Aleksandër P. Filip
24 Qershor, 2008
+Lindja e Shën Joan Pagëzorit

Kapitujt u shkëputën nga libri
“Shën Joan Prodhromi – Misioni dhe punët e tij”
Nëpër shkrimet dhe predikimet e episkop Avgustin Kantiotit

Përkthyesi ia kushton autorit, at Avgustinit, me dashuri, mirënjohje shpirtërore dhe respekt të thellë!

Paçim të gjithë uratat dhe bekimet e tua Hirësi.

KU U LIND KRISHTI!

author Posted by: Επίσκοπος Αυγουστίνος Καντιώτης on date Ιαν 29th, 2009 | filed Filed under: Albanian

KU U LIND KRISHTI!

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”
(Ndenjësore e Krishtlindjes)

Festojmë, të dashur lexues, festojmë festën e madhe të Krishtlindjeve, prej së cilës rrjedhin të gjitha festat e tjera të vitit Kishëtar.  Kjo festë është rrënja e pemës gjigande të Kritshtërimit, të cilën e mbolli Trinia e Shënjtë me qëllim që të lulëzojë dhe të japë fruta në jetë të jetëve.  Në lidhje me këtë festë do të shprehim disa mendime për dobinë tonë shpirtërore.  Sepse mjerr ne, nëse gjatë kësaj feste nuk dëshirojmë të ngrehim lart zemrat tona, përtej botës materiale dhe të prekshme.

IA MBYLLËN DYERT

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! A mundet të dashur, a mundet të imagjinojmë se cilat ishin kushtet nën të cilat u lind Krishti?!  Ishte natë dimri.  Pemët e zhveshura krejt prej gjetheve.  Kafshët dhe shpendët të strukur nëpër foletë e tyre.  Dhe njerëzit nëpër shtëpitë e tyre rreth vatrës së ndezur që lëshonte ngrohtësi.  Askush nuk ishte i pastrehë.  Atëhere, në qytetin e vogël të Vithleemit filloi të vihet në dukje një trafik i jashtëzakonshëm njerëzish.  Trafik njerëzish, burra dhe gra, të cilët kishin lindur në Vithleem por jetonin larg qytetit të tyre, për shkak të urdhërit të Qesarit për kryerjen e regjistrimit të nënshtetasve të tij, shpejtonin të ktheheshin në vendlindjen e tyre.  Të gjithë gjendeshin në Vithleem.  Dyndje e madhe njerëzish.  Të gjitha shtëpitë e qytetit strehonin miq dhe të afërm.

Ndërkohë që Vithleemi paraqit një pamje të tillë, ja tek duket të arrijë me turmat e fundit të njerëzve dhe i drejti Josif së bashku me Virgjëreshën Mari, të cilës i ishin mbushur tashmë ditët për të lindur Birin e saj të vetëmlindur.  Të lodhur nga rruga e gjatë kërkojnë një shtëpi ku të qëndrojnë pak kohë.  Në shumë porta trokitën duke kërkuar të qëndronin disa ditë, por asnjë shtëpi nuk u tregua e gatshme t’i mirëpriste.  Dyert iu mbyllën dhe Mariama me Josifin mbetën përjashta.

Në këtë gjendje u detyruan të gjenin strehë në një shpellë, e cila ndodhej në të hyrë të qytetit Vithleem dhe përdorej si stallë bagëtish.
“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! Sa shumë ngashërrohemi kur mendojmë që Ai që krijoi planetin tonë, në të cilin mijëra njerëz gjejnë strehë falas, shplodhje falas, dhe shijojnë falas të mira të panumërta si në një hotel tej mase të madh, Ai nuk gjeti strehë…  Ai që strehon të gjitha mbeti i pastrehë!  Lavdi o Zot zemërgjërësisë Sate!

Ekzistojnë shpirte besëmirë, të cilët duke lexuar historinë e shënjtë të Lindjes së Krishtit, do të dëshironin tepër të kishin jetuar gjatë asaj kohe, të kishin shtëpi në Vithleem dhe t’ia falnin krejt për strehim Shpëtimtarit Krisht, Nënës së Tij të Tërëshënjtë dhe mbrojtësit të tyre Josif.  Një prej poetëve tanë u pushtua aq shumë nga dëshira që të gjendej pranë Foshnjës së Shënjtë dhe të shijonte bekimet e Tij, sa në një nga poezitë e tij shkruan:

“Do desha të isha një fije kashtë
një diçka e varfër,
në kohën kur hapi syrin Krishti
nën qiellin e kaltër!”.

Le t’ia hapim ne dyert tona

”Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! Ah sikur t’a shihnim dhe ne Krishtin!
Por, të dashur lexues, sa prej jush ushqeni në shpirtet tuaj këtë dëshirë të lartë, kini shpresë dhe merrni krahë.  Sepse Krishti vazhdimisht gjendet mbi dhe’, dhe përshkon të gjitha gjatësitë dhe gjërësitë e rruzullit tokësor.  I padukshmi i dukshëm! Si është e mundur?!  E tha dhe vetë: “Me të vërtetë po u them juve, sado që i bëtë njërit prej vëllezërve të mij më të vegjël, m’a kini bërë dhe mua” (Matth.25:40). Domethënë, kur bëni një të mirë ndaj dikujt që vuan dhe ka nevojë për ndihmën tuaj është njësoj sikur të m’a kini bërë mua.  A dëgjoni, të dashur lexues, a dëgjoni se çfarë thotë Krishti?   Ka uri tjetri? Ka etje? Ka ftohtë? Është i sëmurë? Është i huaj?  Është i pastrehë dhe nuk ka ku të futë kokën? Përderisa ti e ndihmon tjetrin në nevojë e sipër është njësoj sikur të kesh ndihmuar vetë Krishtin, i cili edhe në këtë jetë do të të shpërblejë, por veçanërisht do të të shpërblejë në kohën e gjyqit të fundit, ashtu si dhe gjithë ata që me punë dhe vepra treguan dashuri për të afërmit (sipas kuptimit të Ungjillit) e tyre.

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”! Në qoftë se besojmë tek Krishti dhe rrojmë sipas fjalëve të përjetëshme të Ungjillit të Tij të Shënjtë, do të përftojmë përpara syve tanë një vizion të ri sipas të cilit do të shohim Krishtin në fytyrën e të gjithë atyre që vuajnë.  Po, të dashur, pas fytyrës së të miturit jetim që troket në portën tonë, pas fytyrës së vejushës, pas fytyrës së të sëmurit, pas fytyrës së të pëndjekurit dhe të shkretuarti prej miqve dhe familjes, do të shohim vetë Krishtin dhe do të rendim t’i ndihmojmë, t’i ngushëllojmë, t’i përkrahim, t’i mirëprsim në shtëpitë tona.  Dhe atëhere nuk do t’u ngjasim banorëve zemër-ashpër Vithleemitas të cilët ia përplasën portat në fytyrë Zotit dhe e lanë në mes të katër rrugëve, të pastrehë, dhe të detyrohet të gjejë vendqëndrim në një haur me kafshë…

“Ejani o benikë të shohim ku lindi Krishti”! Nëse të gjithë kombet e botës do të besonin tek Krishti dhe do të zbatonin mësimet e Tij Hyjnore nuk do të ekzistonin probleme ekonomike pa zgjidhje.  Atëhere nuk do të ekzistonin të pastrehë, ndërsa tani disa jetojnë në gradaçela dhe të tjerë nëpër kolibe.  Atëherë nuk do të kishte të urritur dhe nuk do të vdisnin me mijëra fëmijë ndërkohë që të tjerë përlajnë me pangopje, sikur të kenë dhjetë gojë, ushqime të majme.  Një fatbardhësi për mbarë shoqërinë do të mbretëronte në tërë botën, ndërsa tani ekzistojnë beteja dhe revolucione, luftëra civile, lotë dhe zemra të copëtuara…

Ku është krishtërimi ynë?

Por le të mos shohim, të dashurit e mij, se çfarë do të ndodhte nëse do të zbatohej Ungjilli i Krishtit, dhe le të hedhim një sy tek vetja jonë, tek secili prej nesh.  Pyes: a e shikon secili prej nesh tjetrin si ikonë të Krishtit?  A interesohet secili prej nesh për nevojat e tjetrit ashtu siç interesohet për nevojat e tij?  A rend secili prej nesh shpejt të ndihmojë tjetrin në rast nevoje, apo përkundrazi mbyllet brenda vehtes së tij, si kërmilli brenda guackës, dhe nuk shikon asgjë tjetër përveç vehtes së tij dhe si e si të kalojë mirë e bukur jetën e tij?
O njeri, Krishti la qiellin lart dhe erdhi poshtë në tokë për ty, të të vizitojë dhe të të shpëtojë ty, ndërsa ti përton të bësh dy hapa më tutje dhe t’i afrohesh të afërmit tënd dhe t’i tregosh pak dashuri?  Ku është krishtërimi yt?
Dhe le të mos nxjerrim pretekst se nuk kemi çfarë t’iu ofrojmë të tjerëve.  Kemi.  Sa mijëra e mijëra shpenzojmë që të dukemi, dhe për gjëra të dëmshme dhe mëkatare?!  T’ju sjell shembuj?!
Për zakone të ndryshme festive, të cilat në shumicën e tyre janë pagane, dhe nuk bëhen për asgjë tjetër veçse për vallëzime, zbavitje dhe shthurrje, kemi dhe shpenzojmë mijërat e parave, ndërsa për të varfërit, të pastrehët, për ata që u dëmtuan nga tërmeti apo dëbora, dhe për gjithë vëllezërit tanë në nevojë nuk kemi?  Akoma dhe në fshatrat e vogla, me pak banorë, brenda një nate luhen me letra apo iu ofrohen të ashtuquajturve artistë në klube dëfrimi me mijëra para! Dhe kur pas pak ditësh del prifti për të mbledhur ndihma për të varfërit, atëhere qindarka vetëm mblidhen!  Mijëra para’ për djallin dhe qindarka vetëm për Krishtin!

Vithleemitas apo të Krishterë?

Të dashur lexues! Të gjithë ata që në zemrat e tyre nuk kanë Krishtin dhe nuk e duan Krishtin dhe nuk zbatojnë porositë e Tij të Shënjta, nuk mund të festojnë Krishtlindje.  Të tilla Krishtlindje, Krishtlinjde me shpërdorim parash, me dëfrime dhe shthurrje, janë Krishtlindje pa Krisht!

Jo, pra si Vithleemitas, por si të Krishterë besëtarë le t’a presim Krishtin në zemrat tona. Le të tregojmë dashurinë tonë ndaj Tij me vepra filanthropike, dhe atëhere do të ndjehim gëzimin që dikur ndjenë barinjtë e Vithleemit gjatë asaj nate të paharruar, kur panë Ëngjëlllin t’iu sjellë lajmin e gëzuar për mbarë botën: “mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve zë të mirë për një gëzim të madh, që do të jetë mbi gjithë kombet; sepse sot u lindi juve në qytet të Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht” (Lluk.2:10-11).

“Banove në shpellë o Krisht Perëndi, grazhdi të priti, barinj dhe magë t’u falën. Atëhere mbushej dhe lëçitja e Profetëve, dhe Ushtëritë e Ëngjëjve çuditeshin duke thirrur e duke thënë: Lavdi dënjimit Tënd i vetëm njeridashës.” (nga himnet e Mbrëmësores së Krishtlindjes)

Në mes të kafshëve

“Dy kafshë e njohën si Perëndi të vërtetë”

Në qoftë se, të dashur lexues, vështrojmë me vëmendje ikonën bizantine e cila paraqet lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht, do të shohim Foshnjën Hyjnore të shtrirë në një grazhd kuajsh, Hyjlindësen e Tërëshënjtë të qëndrojë pranë Tij, dhe të drejtin Josif të paraqitur me frikë Perëndie dhe lutje.  Por përveç personave të shënjtë do të shohim të pikturuar dhe dy kafshë, një ka’ dhe një gomar.

Profiti Avvakum

Prania e dy kafshëve në ikonën e Lindjes së Krishtit i ka bazat mbi traditën, e shkrojtur dhe gojore, të Kishës sonë.  Sipas Ungjillorit Lluka, i cili më tepër se Ungjillorët e tjerë përshkruan lindjen hyjnore, i drejti Josif, shoqëronte Virgjëreshën Mari, dhe kur pas një rruge të gjatë dhe lodhëse arritën në Vithleem, nuk gjenin dot strehë pasi asnjë shtëpi nuk ishte e gatshme të mirëpriste Nënën e shënjtë.  Për këtë arësye u detyrua të kërkojë gjetkë një vend për të kaluar natën.  Në të dalë të qytetit, rreth kodrave me argjilë, ishin disa shpella të cilat përdoreshin nga barinjtë si vathë për delet e tyre.  Një nga këto shpella, e cila ishte pak si më e gjërë se të tjerat përdorej dhe si han, në të cilin kalonin natën udhëtarët jabanxhinj.  Kjo shpellë-han ngjante tepër me shtëpitë e blegtorëve, e cila zakonisht ndahet në dy pjesë; njëra pjesë përdoret për familjen si vend ndënjeje dhe fjetje, kurse pjesa tjetër, përjashta në oborr, përdoret si stallë dhënsh.  Sa prej jush lindët, apo kaluat një natë, apo qëndruat për pak kohë në një shtëpi të tillë e dini shumë mirë se sa mbytëse është atmosfera për shkak të ndotjes nga vatha e dhënve.  Por shpella në të cilën u lind Krishti ishte akoma dhe më vajtuese se sa shtëpia më e zakonshme që mbante kafshë.

Në grazhd, atje ku fshatarët vendosin ushqimin e kafshëve, Virgjëresha vuri Foshnjën Hyjnore.  Ungjillori Lluka në përshkrimin e tij nuk bën fjalë për kafshë.  Por përderisa bëhet fjalë për grazhd, nuk mund të përjashohet fakti që në stallë kishte kafshë.  Sepse atje ku ka grazhd ka dhe kafshë.  Një traditë e herët e Kishës sonë përmend që atje ishin prezent dy kafshë, gomari dhe kau.  Kjo traditë e ka bazën në profetinë e profitit Avvakum.

Profeti Avvakum jetoi gjatë shekullit të 7-të përpara Krishtit, dhe profetizoi rreth mishërimit të Zotit.  Është e famshme lujta të cilën i drejtonte Perëndisë.  I ndriçuar prej Shpirtit të Shënjtë, ai e çan me sy perdhen e rëndë të shekujve dhe parashikon një ngjarje, një ngjarje e cila do të ishte më e madhe se gjithë ngjarjet e tjera historike të botës.  Do të zbresë nga qielli në tokë Perëndia.  Do të shfaqet si njeri mbi dhe’.  Do të lindet në kushte shumë të përulëta.  Njerëzit nuk do t’a përfillin.  Por kafshët do t’a njohin si Perëndi të vërtetë dhe do t’i falen… Profeti mbetet gojëhapur përpara madhështisë së fuqisë, përpara madhërisë, lartësisë dhe virtytit të Zotit.  Virtyti i Tij do të mbulojë qiejt.  Dhe do të vijë dita kur emri i Tij do të nderohet dhe lavdërohet në çdo qoshe të botës.  Fjala e Tij, më e ndritshme se rrezet e diellit, e fortë dhe e fuqishme sa asnjë tjetër, do të shpërndajë errësirën, do të dërmojë malet dhe do të përshkojë dheun me shpejtësi kuajsh vrapues.  Vizioni i tij është tepër mahnitës.  Fuqia e pamasë e Krishtit, si dhe dashuria e tij e pafund për njeriun krijojnë një forcë tërheqëse ndaj personit të Tij.  Profeti e adhuron Krishtin përpara se t’a shohë dhe njohë.  E himnon përpara se t’a shohë me sytë e tij fizikë.  I falet përpara se t’a vështrojë të varur në kryq.  E gjithë qënia e tij dridhet përpara figurës së Krishtit.  Profetia e tij në formë lutje fillon kështu: “O Zot i bëra bindje zërit Tënd dhe u frikësova! O Zot pashë punët e Tua dhe u mahnita.  U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë…”.

“U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë”.  Kjo profeti, sipas Etërve të Shënjtë të Kishës sonë u plotësua me lindjen e Krishtit.  Kau dhe gomari, përpara se të vijnë barinjtë dhe magët që t’i falen, këto dy kafshë u ndodhën përballë Foshnjës Hyjnore, iu falën Krijuesit të gjithësisë dhe me frymën e tyre ngrohnin atmosferën e ftohtë të asaj nate dimërore.
Kjo hollësi e këtyre dy kafshëve, ashtu si u profetizua nga profeti Avvakum dhe ashtu siç paraqitet madhërisht në ikonat bizantine përmban një forcë të madhe mësimdhënëse.  Pikërisht prej kësaj hollësie do të shtjellojmë më poshtë disa mësime.

Rruga e gabuar e adhurimit të kafshëve dhe idhulltarisë

“U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë”.  Bota e lashtë, përveç popullit të Israelit i cili përbënte një ishull të adhurimit të vërtetë të Perëndisë në mes të oqeanit të madh të idhulltarisë, bota pra e lashtë përpara Krishtit adhuronte përveç të tjerave dhe kafshët si perëndi.  Adhurues kafshësh ishin njerëzit e lashtë.  Disa adhuronin kafshët e egra, disa të tjerë krokodilin dhe gjarpërin, disa të tjerë macet, të tjerë adhuronin poshtërsinë dhe ndyrësinë e kafshëve.  Në gërmimet arkeologjike të kohëve të fundit në luginën e Nilit në Egjipt, u zbuluan disa varre me skeletë macesh, të cilat adhuroheshin prej Egjiptianëve të lashtë… Një nga perandorët e Romës së lashtë pasi fitoi një betejë të rëndësishme ngriti një statujë gjigande gomari, sepse duke marshuar drejt fushës së betejës pa një gomar dhe fitoren pra ia dedikoi atij…

Ishte aq e fuqishme rryma e idhulltarisë sa akoma dhe populli i zgjedhur i Israelit, për një farë kohe u rrëmbye nga kjo rrymë dhe duke braktisur adhurimin e Perëndisë së vërtetë iu falej kafshëve.  Siç e dimë, gjatë mungesës së Moisiut, kur ai ishte në malin Sina’, Isrealitët, burra dhe gra, u pushtuan nga idhulltaria dhe grumbulluan gjithë arin që kishin dhe pasi e shkrinë, derdhën në ar një statujë viçi, të cilin e adhuronin si perëndi.  Indinjimi i Moisiut ishte tepër i madh për këtë veprim të popullit të Israelit (Të Dalët 32:19).

Por akoma dhe sot, në vendet kur drita e Ungjillit nuk arriti, adhurohen kafshët.  Në Indi p.sh. lopët konsiderohen si kafshë të shënjta.  Mjerr ai që do të guxojë të therrë ndonjë lopë.  Por edhe në vendet kristiane, në të cilat njerëzit u edukuan me frymën e besës së vërtetë, a nuk ka mijëra burra e gra, të cilët adhurojnë me tërë kuptimin e fjalës macet dhe qentë, i ushqejnë dhe i veshin si jo më mirë, dhe kanë merak të madh mos iu sëmuren, dhe kur ngordhin vajtojnë dhe mbajnë zi’ për vdekjen e tyre?!…
Edhe në Greqi ka shoqata adhurues kafshësh, të cilët nuk preken aspak nga fatkeqësia e të afërmit të tyre, por gjithë dhembsurinë e tyre e përqëndrojnë tek katërkëmbëshit, prej të cilëve nuk ndahen ditë e natë.

Rrugën e gabuar të adhurimit të kafshëve, qoftë në lashtësi apo tani në kohët tona, e kritikojnë dhe dënojnë dy kafshët e pranishme në grazhd, kau dhe gomari, të cilët gjatë asaj nate të paharrueshme të Lindjes së Krishtit panë me sytë e tyre dhe njohën Krishtin si Zot të të gjithave.  Kur shikoj në ikonën e shënjtë këto kafshë të ulin kokën e tyre drejt Zotit, më duket sikur i dëgjoj të flasin e të thonë: o njerëz, nuk jemi ne perëndi, jemi krijesa të Perëndisë, Atij vetëm i përket nderimi dhe adhurimi në jetë të jetëve.  O njerëz mos n’a bëni idhuj!

Njeriu më poshtë se kafshët

“U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë”.  Njeriu ndryshon krejt nga kafsha.  Një humnerë e tërë e ndan njeriun nga kafshët.  Kafshët nuk kanë arësye, as llogjikë që të mund të demonstrojnë se mund të mësojnë dhe avancojnë.  Njeriut i ka falur Perëndia një fuqi të veçantë, atë të intelektit dhe të lirshmërisë së mendimit, dhe nëse i përdor këto ashtu siç duhet do të arrijë lartësi të mëdha, do të kalojë përtej lartësisë së yjeve, do t’u afrohet Ëngjëjve dhe Kryeëngjëjve dhe do t’i ngjasë Perëndisë.  Po, do t’i ngjasë Perëndisë, do të bëhet dhe ai një perëndi e vogël.

Por fatkeqësisht njeriu nuk i përdori siç duhet këto dhurata të paçmuara që i dha Perëndia.  I keq-përdori bekimet e të Lartit.  Njeriu u korruptua, u shtrembërua, dhe nga lartësia ku duhej të qëndronte ra deri në fund të thellësisë së ligësisë dhe prishjes.  Krijoi perëndi të turpshme në të cilat personifikoi ligësinë dhe mëkatin.  Nën ndikimin e demonëve, i cili mbizotëronte në botën e lashtë, njeriu kreu mëkata të mëdha, kreu vepra të turpshme dhe të pandreshme, krime të frikëshme, dhe të gjitha këto e ulën deri në nivelin e jetës shtazore.  U bë më i keq edhe se bishat e egra.  Një profit tjetër, përpara profetit Avvakum, duke vajtuar për rënien e njeriut thotë: “njeriu nuk mbeti në nder por tani u ngjan shtazëve pa llogjikë” (Psalm.48:13).

Në situatë të mjerë morale dhe fetare gjendej njeriu përpara se të lindej Krishti.  Dy kafshët që vemë re’ në ikonën e Lindjes së Krishtit simbolizojnë botën e asaj kohe dhe nivelin e saj të ulët.  Por erdhi Krishti dhe solli forcë të re në zemrën e njeriut mëkatar.  Vendosi tek ai ndjenja të forta dashurie për gjërat e larta dhe të mëdha dhe e kthehu vëmendjen e njeriut drejt qiellit të idealeve të pavdekshme.  Nga kopeja e njerëzve-kafshë krijoi grigjë të re, grigjën e deleve të llogjikshme, në krye të së cilës është Ai, Bariu i Mirë.

Nga kafshëria në të mbinatyrshmet

Të dashur lexuesit e mij!  Bota e sotme, megjithë përparimet dhe arritjet e saj, në art apo shkencë, ec drejt barbarizmit, drejt një barbarizmi që nuk mund të krahasohet me asnjë barbarizëm tjetër.  Barbarët e lashtësisë ishin të liq dhe të poshtër, por nuk kishin mjetet shfarrosëse që kanë barbarët e sotshëm.  Barbarët e sotshëm venë maska të bukura në fytyrat e tyre dhe gënjejnë edhe vehten edhe të tjerët, sepse poshtë maskave të tyre fshihet kafshëria e tyre.
Ashtu siç shënon dhe një fillozof bashkëkohor, në qoftë se çdo njeri do të merrte formë sipas ligësisë dhe korruptimit që ekziston brenda tij, oh atëhere! Shumica e njerëzve do të humbnin pamjen e tyre njerëzore, disa do të dukeshin si dhelpra për shkak të dinakërisë së tyre, disa si gamile për shkak të ndjenjës së fortë të hakmarrjes, të tjerë si tigra dhe luanë për shkak të agresivitetit dhe ashpërsisë të tyre, e kështu me rradhë.  Nuk do të kishte kopësht zoologjik që t’i nxinte njerëzit me format e tyre kafshërore, dhe kjo për shkak të dëshirave dhe prirjeve shtazore prej të cilave sundohen.

Por Krishti, i cili erdhi në këtë botë për të shpëtuar mëkatarët, është më i fuqishëm se të gjitha forcat e errëta, të cilat përpiqen për shtazërimin e njerëzimit.  Krishti, ashtu siç e ka treguar dhe historia, ka fuqi të drejtojë njerëzit nga jeta jashtë natyrës në jetën sipas natyrës, dhe jo vetëm aq por akoma t’i çojë njerëzit në jetën e mbinatyrshme, dhe nga qënie që nuk ndryshojnë shumë nga kafshët t’i shndërrojë në qënie që nuk ndryshojnë shumë nga ëngjëjt.  Jam i sigurt që historia e kohës së ardhme do të nxjerrë prova të reja të fuqisë hyjnore të Krishtit, për të cilën thurri himne profeti Avvakum: “O Zot i bëra bindje zërit Tënd dhe u frikësova! O Zot pashë punët e Tua dhe u mahnita.  U njohe si Perëndi e vërtetë nga dy kafshë…”.

Në Stallë

Toka, kjo kokrrizë rrëre, në krahasim me shumicën dhe përmasat e yjeve që rrotullohen në hapësirat e pafund të qiellit, toka pra, ky planet mikroskopik, të cilin Urtësia Hyjnore e Krijuesit e caktoi si banesë të njeriut, nuk është një sferë e thatë, pa ujë, ashtu si sateliti i saj hëna.  Jo.  Toka nuk ka vetëm akullnajat dhe zonën tropikale.  Në të përfshihen dhe vende mahnitëse.  Ishujt, duken si mjelma të bukura nga shkumba e deteve dhe oqeaneve, dhe lagen dhe freskohen nga flladet dhe erërat perëndimore; toka ka liqene si pasqyrë në të cilat reflektohet natyra përreth dhe së larti; lugina të stolisura me gjelbërim, me pyje të virgjërta në të cilat s’ka vënë dorë druvari dhe në të cilat nuk është dëgjuar kërcitja e prerjes së pemëve; rrafshnalta dhe maja malesh të larta prej të cilave shfaqen panorama të tëra…
O Zot i tërëmirë, me çfarë dhe me sa bukurira e ke stolisur dheun!

Zbriti nga qiejt në grazhd

Në një nga këto vënde që sapo përshkrova më lart duhej të lindte Foshnja Hyjnore.  Ne, si njerëz që jemi, nuk e kemi në dorë të zgjedhim vendin e lindjes.  Por Foshjna Hyjnore, si Perëndi që është, Zot i qiellit dhe i dheut, prej të cilit “u bënë të gjitha, dhe pa të Cilin nuk u bë asgjë” (Ioan.1:3) do të mundej pra të zgjidhte si vend të lindjes së Tij vendin më të pastër dhe më të bukur të gjithë botës.  Por nuk e zgjodhi.  U shfaq mbi dhe’ si mbret i panjohur, i cili pa veshjen e purpurtë mbretërore udhëtoi nëpër vendin e shtetasve të tij.  U përul aq shumë sa ia la në dorë njeriut të zgjedhë vendin ku do të lindej.  Dhe njeriu, si vend për të mirëpritur këtë vizitor të lartë, që vizitoi dheun, zgjodhi… një stallë.

Në stallë pra u lind Krishti. Në stallë? Po, në stallë! Hapeni, ju lutem, Ungjillin e shënjtë dhe lexoni kapitullin e 2-të të Llukait, rreshtat 6-7, dhe do të shihni se si me pak fjalë por fjalë tepër shprehëse ungjillori përshkruan vendin dhe kushtet e Lindjes së Shpëtimtarit Krisht.
“Edhe tek ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë.  Edhe lindi djalin e saj të parëlindur, edhe e mbështolli me shpërgënj, edhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vënd tjetër për ata” (Lluk.2:6-7).

“Në grazhd” Krishti.  Grazhdi nuk është ndonjë mjedis i rrethuar me mure, i bukur dhe elegant, në kopshtet e oborreve mbretërore apo të shtëpive të pasura; grazhdi gjendet brenda mureve të ndërtesave të rrënuara të cilat përdoren si banesa për kafshët.  Brenda grazhdit, në një vënd të rrethuar me mur prej guri apo prej druri, mbahet ushqimi i kafshëve.  Nodfta e kini njohur nga eksperienca personale jetën e fshatit?  Kini parë ndonjëherë grazhd? Kini hyrë ndonjëherë brenda në stallë?  Në peripeci e sipër, të përndjekur, të kërcënuar prej përndjekësish të pamëshirshëm dhe vrasës mizorë – si Davidi nga Sauli – ndofta u detyruat të kërkoni strehim nëpër vrimat e dheut, nëpër shpella, u detyruat të fshiheni në ndërtesa të shkatërruara dhe të kaloni natën në kashtën e stallave?  Jetuat ndonjëherë dhe thithët atmosferën e rëndë dhe mbytëse të stallës?  Në qoftë se po, atëherë ju më shumë se kushdo tjetër mund t’i merrni me mënd ato që hoqi Hyjlindësja e Tërëshënjtë, e cila një natë të ftohtë dimri, duke mos u mirëpritur prej banorëve të Vithleemit, u detyrua të përikë në shpellat përreth qytezës, të cilat përdoreshin si stalla kafshësh, dhe atje të lindë Birin e saj të vetëmlindur, birin e saj të parëlindur, të quajtur Emanuel.

“Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti”.  Që atëhere kaluan shumë shekuj, dhe rrjedha e historisë, e papërmbajtur ec drejt mijëvjeçarit të tretë pas Krishtit.  Si kohë, u larguam shumë prej asaj nate.  Dhe ndërsa fantazia e piktorëve, poetëve dhe artistëve nëpërmjet penelit, fjalës dhe penës, e stolisi me shumëllojshmëri vendin e Lindjes së Krishtit, devocioni i besimtarëve ndaj Zotit bëri që të ndërtohet një Kishë madhështore mbi atë pikë të rruzullit tokësor ku u krye misteri i madh i Lindjes së Krishtit.  Vëndi nuk njihet më.  Asgjëkundi tashmë, as në ikonat as në vendin ku u lind Krishti nuk duket balta dhe lluca.  Çdo gjë ndrit dhe shkëlqen.  Por ajo stallë, jo stalla e fantazisë së poetëve dhe piktorëve, por stalla e atij hanit në vendet e Lindjes, atje ku udhëtarët linin bagëtitë për t’u çlodhur, ajo stalla e atëhershme paraqiet përpara syve tanë, dhe rreth kësaj stalle, si ngjarje e vërtetë dhe simbol, do të nxjerrim disa mësime.

Lugina e bukur qilim që shkelet nga kopetë

Ashtu siç thamë më sipër, lugina është nga peisazhet më mahnitëse të tokës.  Veçanërisht në pranverë.  Akoma dhe tapeti më i bukur persik, me push dhe plot ngjyra, e humb shkëlqimin dhe bukurinë përpara panoramës që paraqet lugina në ditët e lulëzimit.  Vetë lugina është një tapet që endi jo dora e njeriut por dora e padukshme e Krijuesit, një tapet i mbuluar me lule të shumëllojshme, të të gjitha ngjyrave dhe nuancave, tapet që çdo fije peri – desha të them çdo bisht dhe çdo gjethe, çdo petale – lëshon aroma të lehta dhe të padukshme dhe shpërndan erë të patregueshme.  Ky tapet natyror, kryevepër e artit hyjnor, mbulon sipërfaqen e luginës, e cila ngjan me një nuse të stolisur.  Ngazëlluese pamja e luginës.

Por mos ndofta do të qëndrojë për shumë kohë në këtë gjëndje lugina?  Ja tek vijnë kopetë.  Brenda pak kohe lugina pushtohet nga katërkëmbësha.  Gomerë, mushka, kuaj, buaj, dele, kope kafshësh të qelbura, kope derrash shkelin këtë tapet të këndëshëm.  Ky tapet mbi luginë me mijëra lule, nuk është për katërkëmbëshit temë letërsie dhe filosofie, por një vaft ngrënie.  Dhe e dini? Janë tepër të urritur. Me shputat e tyre shkelin barin e bukur.  E bëjnë copë-copë tapetin.  Pa mëshirë copëtojnë gjelbërimin dhe me babëzi përlajnë lulet njëra pas tjetrës.  Oh lulet e luginës!  Të bukura si yjet. Dhe ndërsa yjet vezullojnë atje lart në qiell, lulet këtu poshtë reflektojnë hirin e shënjtë, shkëlqimin e Krijuesit Hyjnor, nga duart e të cilit dalin kryevepra të tilla arti.
Ah lulet e arës!  Në qoftë se lulja do të kishte zë, do t’i thoshte katërkëmbëshit që e shkel: “Nuk më sheh? Nuk të vjen keq?  Jam akoma e mitur.  Sapo dola nga gjiri i tokës.  Dua të rritem. Dua të arrij deri në pjekuri që të paraqitem me gjithë madhështinë time.  Pse befas më këput?  Nuk të pëlqen të stolis luginën që të dëfrehen kalimtarët?…”
Por katërkëmbëshi nuk e le.  Nuk i jep afat për të jetuar as edhe një moment.  Drapër bëhen dhëmbët e kafshës.  I pret, i copëton dhe i përlan lulet.  Pastaj i varros në dhomëza të veçanta brenda stomahut të gjërë.  Atje funksionon një laborator, një laborator kimik i tërë.  Atje lulet pësojnë shndërrim.  Bëhen pure’, më pas gjak, gjaku pataj zhndërrohet në qumësht, mish, bumbrekë, kocka, lëkurë, qime, brirë…

Shndërrim i dobishëm, apo jo!  Por shumica e luleve do të shndërrohen në… bajga.  Dhe bajgat do të bien në stallë.  Çdo ditë do të bien njëra mbi tjetrën dhe do të formohet një shtresë e gjërë me lëndë të fëlliqur.  Kush guxon dhe hyn në stallë i ndjen këmbët t’i zhyten në bajga.  Një ndjenjë pakënaqësie dhe neverie të pushton dhe mezi pret të dalësh që atje, vetëm në qoftë se je mësuar me erën e qelbur të stallës dhe rri atje ashtu si djali prodig i paravolisë ungjillore, i cili “kishte si strehë stallën e derrave”…

“Ejani o bensikë të shohim se ku u lind Krishti”.
Brenda shpellës, brenda një stalle u lind Krishti.  Djep për të ishte grazhdi. Pse?!  Vetëm përmëndja më sipër e djalit prodig, i cili katandisi në mes të derrave dhe jetonte me ta në stallë, mjafton për të kuptuar ti i dashur lexues se çfarë simbolizonte ajo stalla e vërtetë e Vithleemit.  Por le të vazhdojmë më tutje t’a shtjellojmë këtë temë.

Lulet kundërmonjëse

Të bukura janë lulet e luginës.  Por nuk janë të vetmet lule.  Përveç këtyre luleve të përkohëshme, ekzistojnë dhe lule të tjera të një natyre tjetër.  Lule të cilat mbijnë jo në tokë materiale por në tokë shpirtërore.  Janë lule të cilat lëshojnë aromë hyjnore.  Lule të parajsës.  Cilat pra janë këto lule?  Është era kënaqëse dhe ndriçimi i shkëlqyer që zbukurojnë disa krijesa të caktuara.  Tek disa persona të caktuar, gjëra të caktuara, ide dhe ideale të caktuara ekziston një hir, një bukuri – e kam fjalën për bukurinë shpirtërore dhe jo për bukurinë trupore apo fizike – një bukuri që tërheq dhe bën për vehte, që deh dhe rrobëron njeriun, njeriun zemërmirë dhe të sjellshëm i cili e ka të thellë ndjenjën e të mirës, ndjenjën e së vërtetës dhe të së bukurës.

Lule shpirtërore!  Doni t’ju sjell shëmbuj? Sapo ti p.sh. përmend me besë të thellë emrin e Zotit Jisu Krisht, zemra tënde dhe mjedisi përreth mbushet plot me erë të kënaqshme shpirtërore, sikur të mbanje në dorë një tufë lulesh kundërmonjëse.
Ti, psall Kisha, Ti o Krisht je lulja, lulja e vetme, lulja e përjetëshme, “lulja e rrënjës Iesse’”.  Emri yt përhap erë të kënaqëshme më tepër se çdo emër tjetër.  Nga kjo lule, e cila lulëzon përjetë dhe nuk vyshket kurrë, prej kësaj lule merr erë të kënaqëshme çdo lule tjetër, çdo shënjt tjetër pra.  Shënjtorët bien erë të këndëshme për shkak të aromës së vityteve, sepse jetuan gjithmonë me atë lule (Krishtin pra) në gjoks.  Pas lules së parë, lulja e dytë e zgjedhur, e shkëlqyer, e pakrahasueshme me asnjë tjetër është Hyjlindësja e Tërëshënjtë.
Gjatë shërbesës së Hymnit Akathist Kisha jonë i psall asaj:
“Gëzohu o lindëse e të pafishkurit trëndafil, gëzohu se ti po rrit mollën e herëshme, lule e qiellshme e Zotit dhe Mbretit, lum ti o Hyjlindëse, zonjë shpëtonjëse…”.
Lule shumëgjyrëshe dhe me shumë aroma të kënaqëshme janë oshënarët, hyjprurësit, martirët, Etërit dhe mësonjësit e Kishës sonë.  Ata janë lulet kundërmonjëse të parajsës mendore.

Emrat e shënjtorëve dhe në veçanti emri i Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht duhen nderuar, duhen mbajtur lart, ashtu si i mbajnë lulet lart në kopsa zbukuruese luledashësit.  Po a nderohen ashtu siç duhet?  Fatkeqësisht emrat e shënjtorëve dhe të Zotit, merren nëpër gojë pa pikë frike nga shumë njerëz, të cilët hedhin baltë me fjalë turpe dhe të pahijshme, fjalë që nuk thuhen dot dhe të cilat ngjajnë me vëndin ku grumbullojnë bajgat. Kështu pra xhevairet hidhen poshtë në stallë.  Dhe ndërkohë që gurët e çmuar nuk e humbin vlerën e tyre, mjerr ata që i hedhin poshtë xhevairet në stallë…

Në bajga lulet

Në bajga hidhen dhe shndërrohen gjëra dhe persona të cilat duhej të mbeteshin përgjithmonë lule të pavyshkura.  Në bajga lulet?! Le të marrim një shembull.  Të pikturuarit është një lule, një lulëzim i shpirtit të njeriut.  Një ikonë e pikturuar me sukses është një libër i shkëlqyer për populliln.  Por ja tek vjen njeriu i pafe’ dhe e keq-përdor artin e pikturës duke paraqitur pamje të turpshme dhe skandalis, ngjall përbrenda dëshira të turpshme dhe mbush zemrën me llucë.  Kështu arti i të pikturuarit në duart e piktorëve të padenjë shndërrohet në stallë.  E njëjta gjë ndodh dhe me skulpturën, me këngën dhe me çdo art tjetër të bukur.  E njëjta gjë ndodh dhe me poezinë dhe me letërsinë.  E njëjta gjë ndodh dhe me shtypin.  Dhe përgjithësisht e njëjta gjë ndodh me çdo gjë tjetër që demonstron jetën njerëzore.  Kudo ku ka lule, vjen kafsha dy-këmbëshe që quhet njeri, dhe i katandisur në nivele më poshtë edhe se shtazët, i shkel lulet, i këput dhe i përlan.
Në librin e tij të bukur rreth jetës së Krishtit, Xhiovani Papini shënon: “Mos ndofta bota nuk është një stallë e madhe e pafund, ku njerëzit hanë dhe lëshojnë bajga? Gjërat më të bukura dhe më të pastra, gjërat më hyjnore, mos vallë nuk i shndërrojnë në bajga?”.  Dhe në këto male me bajga të bashkë-grumbulluara prej poetësh, piktorësh, shkrimtarësh, gazetarësh, fillozofësh, sociologësh, nga higjemonë dhe mbretër, shtrihen dhe flenë lumërisht njerëzit, dhe i quajnë këto male bajgash “shijimi i jetës”.

Shoqëria stallë

Ejani tani, të shohim o besnikë se ku dhe si festohet sot në ditët tona kjo ngjarje kaq e madhe dhe e rëndësishme e historisë botërore, lindja e Shpëtimtarit. Ku pra do t’a vendosim? A ka vënd të pastër nga çdo e keqe në këtë dhe’ ku t’a vendosim margaritin e paçmuar, Zotin tonë? Dini ju ndonjë vend të tillë të pastër? Pse e lini Foshnjën Hyjnore të endet andej e këtej? Përsëri në stallë do përfundojë, edhe pse është shekulli 21-të? Mjerr! Jeta shoqërore në të gjitha nivelet e saj qelb nga era e padurueshme, erë e ndyrë stallash. Çdo gjë është shnëdrruar në stallë. Brenda këtyre stallave të sotshme, ku kafshët dy-këmëbshe pëllasin dhe shqelmojnë, ku sulmojnë njëri-tjetrin dhe sillen në mënyrë të pahijshme, dhe nxjerrin ndyrësira nga zemrat e tyre festohet Lindja e Krishtit.

Vjen Krishti dhe pastron

Por le të mos n’a pushtojë dëshpërimi.  Me gjithë gjëndjen e mjeruar në të cilën gjendemi le të mos e humbim shpresën ngushëlluese që shoqëria jonë nuk do të jetë gjithmonë stallë.  Shoqëria jonë do të pastrohet.  Dhe këtë shpresë e mbështesim tek besimi ynë në fuqinë e mbinatyrshme që zotëron Foshnja Hyjnore e Vithleemit.  Ka shembuj të panumurt që vërtetojnë fuqinë pastruese të Tij.

Stallë a nuk ishte jeta e asaj lavires për të cilën në mënyrë aq prekëse bën fjalë Ungjilli?  Studioni atë fragment në Ungjillin pas Llukait 7:36-50).  Nëpërmjet besimit tek Ai dhe me lotët e nxehtë të pendimit ajo grua mëkatare u pastrua; zemra e saj e qelbur u pastrua, duke ndritur më tepër se kristalet, zemra e saj u bë sallon i përshtatshëm për të pritur Mbretin e të gjithave, sallon mistik brenda të cilit e pret dhe bashkëbisedon me Të, dhe ngazëllohet shpirtërisht dhe bindet që një moment i vetëm i shoqërimit të shënjtë me Jisuin vlen pa krahasim më tepër se mijëra vjet qëndrimi dhe dëfrimi nëpër sallat dhe pallatet e botës.  Kështu pra, stalla u pastrua dhe u shndërrua në banesë, në kishë, në shtëpi Perëndie.

Stallë ishte dhe ajo lavirja e madhe që korruptonte kombet, Roma e lashtë, ajo perandoria në të cilën ishin mbledhur gjithë pahijeshitë e botës dhe prej së cilës vinin gjithë paturpësitë.  Përpara se të lindej Krishti nuk ishte tjetër veçse një qendër ndërkombëtare e korrupsionit.  Nën pushtetin e higjemonëve, mbretërve dhe perandorëve të degjeneruar, Roma, me orgjitë e saj të patregueshme, ishte kalbur krejt.  Lexoni poetët dhe fillozofët e asaj kohe dhe do t’u kallet frikë.  Respekti kishte humbur. Pafajshmëria nuk ekzistonte.  Krimet bëheshin haptazi dhe duartrokiteshin. E qelbur ishte Roma!  Kush e pastroi? Krishtërimi, përgjigjet historia e paanëshme dhe e pakorruptuar.  Por që të pastrohej nga gjithë turpet e jetës idhulltare, sa mund e djersë, sa gjak u desh?!  O ju varre të panumurta të katakombeve, lumenj, shpella dhe vrima të dheut, që mbajtët brenda jush lipsanet e atyre luftëtarëve trima dhe zemërgjërë, flisni dhe n’a tregoni betejat e tyre… E kaluara e lavdishme e Krishtërimit n’a jep kurajo dhe guxim për të tashmen dhe për të ardhmen.

Shoqërinë e sotme e cila jeton në male bajgash vetëm një mund t’a pastrojë, KRISHTI.  Por pastrimi do të mund të bëhet vetëm nëpërmjet bashëkpunimit nga ana e vullnetit njerëzor.  Perëndia do që të n’a pastrojë. Por duhet të duam dhe ne.  Le të duam pra.  Le të besojmë tek Ai.  Le të luftojmë të gjithë së bashku.  Le të jemi gati për çdo lloj sakrifice.  Dhe atëhere vendi dhe shoqëria do të pastrohen nga të gjitha turpet dhe me gojë të pastër dhe zemër të qashtër do psallet me gëzim dhe hare’:

Ejani o besnikë të shohim ku u lind Krishti,
Le të ndjekim pas yllin, bashkë me
Magët mbretërit e Lindjes.
Ëngjëj e përhymnojnë atje pa pushim
Barinjët i këndojnë me fyell këngë të vyeshme
Lavdi më të lartat duke thënë
Atij që lindi sot në shpellë prej
Virgjëreshë dhe Hyjlindëses në Vithleem të Judhesë.

Përktheu nga Greqishtja,        Fragmenti u shkëput nga libri
Aleksander P. Filip                  “KRISHTLINDJE” (faqe 237-269)
Krishtlindje 2007                    i episkop Avgustin Kantiotit
ish Mitropolit i Follorinës,
botim i vitit 1988 në Athinë