Αυγουστίνος Καντιώτης



Kryqi i Besimtarit

date Μαρ 16th, 2009 | filed Filed under: Albanian

Μετάφραση ομιλιας του π. Αυγουστινου στα Αλβανικά την Κυριακή της Σταυροπροσκυνήσεως

Αλέξανδρος Φιλίππου
Aleksander Filip

Kryqi i Besimtarit

“Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë vehten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij, dhe le të më vijë pas” (Mark. 8:34)

Përveç kryqit që ngriti Krishti duke marrë përsipër gjithë mëkatat e botës, duhet që edhe ne të gjithë, burra e gra, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të vobekë, duhet të ngrehim secili prej nesh kryqin e vet.  Kështu thotë Krishti “dhe le të ngrerë kryqin e vet”.  Çfarë do të thotë Zoti me këto fjalë?

Kryqi i Krishtit dhe kryqi ynë

Disa i keqkuptuan fjalët e Krishtit “dhe le të ngrerë kryqin e vet”, dhe çfarë bënë?  Morën dy drurë, bënë kryq, dhe mbi atë kryq u mbërthyen me të vërtetë.  Vepruan drejt? E interpretuan ashtu siç duhej këtë pjesë të Ungjillit?  Jo!  Nuk thotë Krishti të bëjmë gjëra të tilla.  Kryqi i Krishtit është kryq i veçantë, i papërsëritshëm.  Krishti u kryqëzua dhe dha shpirt sipër mbi kryq për të shpëtuar mbarë njerëzimin.  Një herë të vetme u ofrua therror i shënjtë Krishti, dhe kjo sakrificë vazhdon deri më sot nëpërmjet Liturgjisë Hyjnore – mjafton pra kjo sakrificë që të shpëtojnë të gjithë njerëzit.  Rrjedhimisht, që dikush të shpëtojë nuk është nevoja të kryqëzohet.
Kjo pjesë e Shkrimit të Shënjtë nuk n’a thotë që secili prej nesh duhet të kryqëzohet sipër një kryqi të drunjtë ashtu siç u kryqëzua Krishti. Kuptimi i kësaj pjese qëndron diku tjetër.  Duke thënë Krishti “dhe le të ngrerë kryqin e vet” me këtë do të thotë që secili prej nesh duhet të mbartë kryqin e vet.
Më konkretisht çfarë do të thotë me këtë? Kryq sipas Shkrimit të Shënjtë dhe Etërve të Shënjtë të Kishës do të thotë diçka që n’a mërzit apo shqetëson, diçka që n’a mundon dhe torturon përbrenda, diçka që n’a bën të ndjejmë dhimbje, diçka që n’a bën të rënkojmë, të dëshpërohemi, diçka që n’a çon në situatë pa rrugëzgjidhje, diçka që n’a bën të n’a fryhen sytë nga të qarët, diçka që për ne është tepër e rëndë.  Dhe ashtu si Krishti sipër në kryq tha “Perëndi o Perëndi pse më braktise” (Matthe 27:46), kështu edhe në jetën e çdo njeriu, të çfarëdolloj ngjyre apo pozite, vijnë momente të frikëshme dhe tragjike, furtuna dhe uraganë, stuhi të tërbuara vojtjesh dhe të këqiash, hidhërimesh dhe provash, vështirësish dhe fatkeqësish, dhe atëherë ai i drejtohet Atit qiellor duke thënë “Perëndi o Perëndi pse më braktise?”.  Ja pra kush është kuptimi i kryqit të besimtarit.  Po e shtjellojmë me hollësi më poshtë.

Cilët janë kryqet e njerëzve

Kryq është varfëria.  Ai që rrojti në shtëpi me deprivime, ku natën prindërit nuk kishin as një copë bukë t’iu jepnin fëmijëve dhe ata binin të flinin me barkun bosh, ai e di shumë mirë se çfarë kryqi është varfëria.
Kryq ëshë sëmundja, e cila e shtrin njeriun në krevat, dhe nuk gjendet ilaç për t’a shëruar dhe asnjë doktor nuk mund t’i bëjë derman, dhe kështu i shtrirë dergjet në krevat dhe rënkon.
Kryq është të mbeturit jetim, të deprivohet fëmija që në moshë të vogël nga prania dhe kujdesi i babës apo nënës dhe të qajë fëmija tek koka e prindit.
Kryq është edhe të mbeturit i/e ve’, të humbë pra gruaja burrin e saj apo burri të humbë gruan e tij dhe të mbeten vetë.
Kryq janë të gjitha dramat familjare – tradhëtia bashkëshortore, rrugarçëritë e fëmijëve, divorcet e çifteve – drama të cilat në kohët tona janë rritur tepër në numur.  Dikur shtëpia dhe familja ishte një parajsë e vogël.  Tani katandisi në ferr.  Kryefamiljari sheh fëmijët e tij, që mezi i rriti, të mos binden (vetëm barkun kanë brenda në shtëpi fëmijët sot, ndërsa zemrën e kanë jashtë shtëpisë); kryefamiljari sheh gruan të mos e dojë dhe t’a tradhëtojë.  Po kështu edhe gruaja si bashkëshorte dhe nënë sheh fëmijët t’a hidhërojnë dhe burrin e saj t’a torturojë dhe në fund t’a braktisë.  Kryq janë të gjitha këto drama.
Kryq është edhe shpifja, gënjeshtra dhe intriga.  Të jesh i pafajshëm dhe të dëgjosh turmën të bërtasë – ashtu siç dëgjuan dhe veshët e Krishtit – “kryqëzohe, kryqëzohe atë” (Lluk.23:21).
Kryq është – akoma më tutje – lufta shpirtërore që bën çdo i Krishterë kundër kënaqësive trupore, kundër botës dhe djallit.
Dhe së fundi, kryq i rëndë është për të gjtihë në momentet e fundit të jetës, vdekja.  Nxehtësisht le t’i lutemi Zotit që të vlerësohemi të themi dhe ne ashtu si kusari “Kujtomë o Zot kur të vish në Mbretërinë Tënde” (Lluk.23:42).

Si do t’a ngrehim kryqin tonë?

Ja pra cilat janë kryqet që secili prej nesh duhet të ngrerë.  Dhe si duhet t’i pranojmë këto kryqe?  Duke u ankuar dhe duke rënkuar? Duke vlasfimuar?  Duke mohuar Krishtin dhe duke gjetur ngushëllim tek magjitë, magjistarët dhe fallxhoret?  Apo duke kryer vetëvrasje?  Jo! Jo!  Kryqi ynë duhet ngritur me trimëri.  Ashtu si Krishti e ngriti kryqin e tij, kështu dhe secili prej nesh duhet të mbartë mbi shpinë kryqin e vet.  Disa kryqe janë të lehtë ndërsa të tjerë janë të mëdhenj dhe tepër të rëndë, por asnjë prej këtyre kryqeve nuk mund të arrijë lartësinë, madhështinë dhe rëndësinë e kryqit që ngriti Krishti.  Përpara të gjithë neve ec përprara dhe n’a udhëheq Kryqi i Zotit.  Pas tij vijnë mijëra kryqe të tjerë.  Dhe gjunjëzohen të kryqëzuarit e vegjël përpara të Kryqëzuarit të Madh duke thënë “Gëzohu o Mbreti ynë!”.
Detyrimi ynë ndaj Kryqit të Krishtit është i dyfishtë.  Së pari, të mos dëgjohet nga buzët e askujt as edhe ofendimi më i vogël, as edhe sharja më e vogël ndaj Kryqit; askush të mos vlasfimojë ndaj Kryqit!  Përkundrazi, të ndjejmë mirënjohje të thellë ndaj të Kryqëzuarit, të lotojmë përpara ikonës së Shpëtimtarit tonë, dhe në mënyrë të veçantë të përpiqemi të ecim në jetë sipas idealit të Kryqit, i cili është simboli më i lartë në botë.

T’a bëjmë shënjën e Kryqit ashtu siç duhet

Detyrimi i dytë është të bëjmë kryqin ashtu siç duhet.  Nga kjo dallohet i Krishteri Orthodhoks.  Hiliastët (dëshmimtarët e Jahovait) e urrejnë kryqin, dhe kryq nuk bëjnë.  Diku në një qytet, disa fëmijë gdhëndën natën tek porta e një hiliasti shënjën e kryqit.  Në mëngjes hiliasti u tërbua nga inati kur pa kryqin.  U përpoq t’a fshinte por nuk mundi, dhe më në fund e shkuli portën nga vëndi dhe e dogji!  Kaq shumë urrejtje kanë ndaj kryqit.  Por ne të Krishterët Orthodhoksë le të mos kemi turp të bëjmë kryqin tonë.  Krishti nuk u turpërua kur u ngjit lart në kryq lakuriq ashtu siç kishte dalë nga barku i shënjtë i së Tërëshënjtës Hyjlindëse Mari, ndërsa ne fatkeqësisht kemi turp të bëjmë kryqin.  Ose kur e bëjnë disa, e bëjnë sikur i bien mandolinës.  Akoma dhe zyrtarët e lartë kanë turp të bëjnë kryqin.  Kjo nuk është tjetër veçse tradhëti!

Kush është domethënia e Kryqit?

Bëhe shënjën e kryqit ashtu siç duhet dhe siç i ka hije të Krishterit Orthodhoks.  E kam theksuar këtë gjë me mijëra herë dhe nuk do të pushoj së thëni.  Kryqi bëhet duke bashkuar tre gishtat e dorës.  Që këtu duket menjëherë se cilit besim i përket – duket menjëherë që beson tek Trinia e Shënjtë – Ati, Biri dhe Shpirti i Shënjtë – o Trini e Tërëshënjtë mëshiroe botën dhe mua mëkatarin!  Më pas i ngre të tre gishtat e bashkuar tek kryet tënd, duke i vendosur tek balli.  Ç’do të thotë kjo? Ashtu si shqiponja zbret prej lartësive të mëdha dhe ulet mbi një shkëmb, kështu dhe Krishti nga lartësitë e qiellit zbriti këtu mbi tokë dhe u bë njeri.  Për këtë arësye në vazhdim e ulim dorën tek barku.  O Krisht, i themi, të falenderojmë që le qiellin dhe erdhe për ne këtu poshtë në tokë duke u mishëruar prej gjakut të shënjtë të Hyjlindëses.  Më pas e sjellim dorën tek supi i djathtë – me këtë veprim kujtojmë me mirënjohje kusarin i cili prej kryqit të tij tha “Kujtomë o Zot kur të vish në mbretërinë tënde” (Lluk.23:42).  Dhe në fund, duke e sjellë dorën tek supi i majtë themi: O Krisht, mos më hidh me dhitë në ferr.  Këto janë domethëniet që përmban kryqi, të cilat edhe i Krishteri më analfabet mund t’i kuptojë dhe t’a bëjë shënjën e kryqit me ndjenjë të thellë.

O vëllezër, le t’a duam me gjithë shpirt kryqin tonë.  Ashtu si Krishti ynë nëpërmjet Kryqit arriti në Ngjallje, kështu dhe ne duke mbartur mbi shpinë kryqin tonë do të kemi shpresë të hyjmë në mbretërinë e tij. Amin.

+Episkop Avgustini
Predikim gojor i mbajtur në Kishën e Shën Pandelimonit
në Follorinë më 21 Mars, 1982

Përktheu nga Greqishtja,
përulësisht dhe me dashuri më Krishtin
Aleksander P. Filip
E Diela e III-të e Krshmëve
Falja e Kryqit të Nderuar
22 Mars, 2009

Me dashuri dhe respekt të thellë ia përkushtoj autorit Gjerond Avgustinit…
Paçim uratat dhe bekimet e tua Hirësi…

     Add A Comment

You must be logged in to post a comment.